Urbanizmi dhe ndryshimet klimatike në Kosovë
Shkruar nga arch. Ylber Vokshi -Ylli
Me iniciativën e UN-HABITATIT zyra në Kosovë,me rastin e Ditës Botërore të HABITATIT,u organizua tryeza e rrumbullakët,interesante për Qytetet dhe ndryshimet klimatike.
Qëllimi kryesor kësaj tryeze ishte për të treguar se sa është e rëndësishme përfshirja e ndryshimeve klimatike që po ndodhin në natyrë,ku drejtpërdrejt kanë ndikim në procesin e Planifikimit Hapësinor dhe Urban,ku edhe shteti i Kosovës nuk bënë përjashtim.
Nga z. Hasse Ericsson si përfaqësues i programit MuSPP në Kosovë,dëgjuam një prezantim të shkëlqyeshëm lidhur me eksperiencën e Suedisë,në trajtimin e zvogëlimit të ndikimit të ndryshimeve klimatike në Planifikimin Hapësinor dhe Urban. Suedezët me punë të vazhdueshme,të përkushtuar dhe profesionale,tërë kohën i sfidojnë të gjitha problemet urbane të cilat i imponon natyra.
Edhe zyrtarët e lartë shtetëror të nivelit qendror dhe lokal,që ishin prezent,premtuan se me këto sfida duhet të përballemi edhe ne në Kosovë,edhe se janë të vetëdijshëm për nivelin e Planifikimit Hapësinor dhe Urban te ne.
Se ndikimi i zhvillimeve urbane në ndryshimet klimatike është evident,se nuk duhet neglizhuar në të ardhmen është e qartë,pasi deri me sot fare pak janë marr në konsideratë këto ndikime.
Kjo deri diku mundet me u arsyetuar pasi përgatitja dhe zbatimi i dokumenteve hapësinore te ne ka qenë dhe është në nivel të ulet. Nuk besoj së ndonjë plan urban komunal ka trajtuar me seriozitet ketë problematik,e sa për zbatim as të mos flasim !.
Pa dyshim lidhja në mes të planifikimit klimatik dhe planifikimit urban duhet të jetë e ndërlidhur në mes të resurseve natyrore dhe asaj që po ndërtohet nga njeriu sot.
Planifikimi urban i vendbanimeve tona duhet të bëjë integrimin e shqetësimeve realiste në mes të natyrës dhe asaj që po e bënë dora e njeriut me urbanizim të qyteteve tona,çka në rastin e Kosovës nuk mundemi të themi se është menduar apo respektuar ndonjëherë.
Mënyra e ndërtimit pa planifikim,është dukuri reale te ne. Ndryshimet klimatike dhe lidhja e tyre me Planifikimin Urban,kanë filluar ta zënë vendin e rëndësishëm në botë,tek ne as që është trajtuar ndonjëherë seriozisht.
Ne vetëm pas dëmeve natyrore,si vërshimet,tërmetet,rrëshqitjet e dheut apo thatsirave të viteve të fundit,dimë të reagojmë dhe atë në nivel të ulët komunal apo nëpër mes të medieve.
Ndikimet e Planifikimit Urban në ndryshimet klimatike janë evidente edhe në Kosovë. Ndotja e pa kontrolluar e qyteteve tona nga automjetet,prodhimet industriale,mbeturinat urbane,si dhe ujërat e zeza, ndikojnë direkt në ndryshimet klimatike,të cilat pastaj shkaktojnë çrregullime të ndryshme që ndikojnë në kualitetin e jetës urbane në qytetet tona që është e varfër.
Duhet analizuar së pari disa etapa që vetë planerët urban i sfidojnë si,a janë në gjendje ata me marrë përsipër procesin e komplikuar të planifikimit të ndryshimeve klimatike,kush duhet me qenë aktorë në proces dhe si dhe sa kanë ndikim ndryshimet klimatike në qytetin e tyre.
Çka duhet ndërmarrë konkret dhe realisht,pasi jemi të vetëdijshëm me nivelin e ulët të trajtimit të kësaj problematike në Kosovë,edhe se ekspertiza dhe profesionistët e profileve të ndryshme nuk mungojnë.
· Gjatë procesit të planifikimit urban esenciale është caktimi gjeografik i lokacionit për ndërtim të ri,apo për zgjerimin e qyteteve në ato territore,ku pas hulumtimeve paraprake gjeologjike të terrenit,e shumë elementeve tjera që ndikojnë në sigurinë e asaj toke,dilet me propozime konkrete për të filluar procesin e planifikimit urban.
· Mjedisi është i rëndësishëm pasi me caktimin e duhur të zonave të gjelbëruara,vetëm do të ndihmojmë të kemi ajër të pastër,hije të bollshme dhe do të ndikojmë pozitivisht në ndryshimet e mundshme klimatike nga ana ynë.
· Vërshimet,tërmetet,rrëshqitje e dheut potenciale,me një planifikim urban të qëndrueshëm,do të reduktoheshin në minimum,pasi pas hulumtimeve nuk do të vendoseshin në zona të rrezikshmërisë së lartë,zonat e banimit etj.
· Projektimi arkitektonik pos anës kreative dhe estetike që është kryesore,duhet menduar edhe për sigurinë e objektit,nga përshtatshmëria e lokacionit deri te ndikimet minimale të ndryshimeve të mundshme klimatike.
· Tërë procesi duhet me u përcjellë me rregulla ligjore,që në Kosovë duhet plotësuar si në ligjet e Planifikimit Hapësinor ashtu edhe në ato të Mjedisit.
Janë këto vetëm disa sekuenca që i kërkojnë ndryshimet me tërë ndërlikueshmerinë e vet,e që kërkon angazhim të mëdha e të gjithë neve. Ka ardhur koha që edhe ne në Kosovë të fillojmë të mendojmë ma seriozisht për ndryshimet klimatike të cilat kanë ekzistuar edhe përpara,por ne në procesin e Planifikimit Hapësinorë dhe Urban fare nuk i kemi trajtuar.
Në të ardhmen e afërt do të vërehet se përfshirja e këtyre ndryshimeve klimatike,në procesin e planifikimit posaçërisht urban do të jetë e domosdoshme dhe esenciale. Për të gjitha këto procese komplekse nevojitet ndihma e pa rezervë e vendimmarrësve Kosovar,të cilët vetëm në mënyra deklarative i përkrahin këto procese e asgjë ma shumë.
Autori është kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK), qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë personale.