Universiteti lëshon honoris por turpi është causa
Shkruar nga Idlir Azizi
Ne, si pjesë shqiptarësh, vendosëm të protestojmë sapo dëgjuam dekorimin më të fundit honoris causa të presidentit më të fundit kosovar nga një universitet tiranas.
Por fillimisht ne u habitëm, ndoshta paralel me vetë zotin Pacolli, për këtë honor të akorduar, ende pa u ulur ai mirë në bythoren karrigen e kryetarit të shtetit të Kosovës.
Mirëpo e lamë me aq kur menduam se kjo duhet të ishte thjesht një idiotësi e radhës; një idiotësi tiranase e radhës; dhe skishte pse të vrisnim mendjen, meqë në këtë klimë shqiptare debiliteti ishte e kotë të nxeheshe.
Kujtuam një çast atë personazhin e filmit të Joseph Mankiewicz, ku një shërbëtor (me origjinë shqiptare) i ambasadorit anglez në Ankara, gjatë Luftës II botërore, vidhte dhe i shiste gjermanëve planet e zbarkimit të aleatëve. Po e citojmë:
-Ti je i vetmi shqiptar që kam njohur!
-Po ke njohur njërin zere se i ke njohur të gjithë!
Sa po zbaviteshim me këtë citim nga filmi më sipër, u kujtuam se vendimi i honorit vinte nga një universitet privat i Tiranës i këtyre viteve të fundit, pjesë ndoshta nga makineria gjigande e prodhimit të analfabetizmit me para, me euro; nga ajo makineri ku gjithë Tirana e di që studentët i marrin diplomat me paratë e babit (edhe të mamit) sa për tu futur mandej në strukturat e shtetit/ The Albanian dream!
Nuk e di pse folëm anglisht në këtë çast. Por na shkoi mendja që nuk kishim pse të merreshim me komente dhe interpretime të pafunda lidhur me këtë gjë: tek e fundit, si një universitet privat shqiptar, zere se ke kaluar të të gjithë, tek po ato diploma private, te po ai analfabetizëm i kultivuar.
Atëherë vendosëm të shqyrtonim, si shqiptarë, vetë tekstin e akordimit të diplomës honoris causa presidentit të ri kosovar, që kushedi sa duhet të jetë habitur për këtë titull, që nuk vjen as nga dhoma e tregtisë, as nga shoqata e mbrojtjes dhe promovimit të biznesit, por nga një Universitet.
Mezi po deshifronim tekstin e motivimit të akordimit. Një nga ne lexoi me zë të lartë: Ne mbetemi të mrekulluar nga ...! Sa zor e kishim të kuptonim në shqip këtë përkthim aq të keq nga anglishtja (such a bad translation) që edhe administratat servile e mbrojtëse të integralistëve shqiparë të të gjitha trojeve tona smund të arrijnë ta prodhonjë.
E lamë me aq. U kujtuam që duhet të ishte një idiotësi shqiptare, e radhës; sia vlente të shkoje më tej.
Pastaj lexuam: ... ku shquhet veprimtaria lobuese e rangut të lartë! Normale, në mungesën lobotomike të mendimit shqip në gjithë këto vite, një frazë e tillë rrinte mirë!
Pastaj lexuam: Ne nuk kemi ditur të mbetemi peng ..., thoshte motivimi i një universiteti X privat të Tiranës.
Dhe nuk po kuptonim gjë hiç; se kjo frazë nuk na dukej as thyerje konceptuale në sintaksë! Mirëpo, prapë u kujtuam që në këtë analfabetizëm të universiteteve private tiranase, e çmund të kërkoje më tepër!
Mirëpo vazhdimi i motivimit ... e individit që e ka çarë vetë rrugën e jetës... ishte një provokim i hapur ndaj traditës sonë popullore, asaj sllogano-komuniste të çarjes së rrugës së historisë (shqiptare) me shpatë në dorë!
Pra një lloj solipsizmi ky i një zinxhiri universitetesh private, ku arrivizmi ishte lënda më kryesore, diploma e padukshme në uniformitetin e vjedhjes së kuadrit universitar shqiptar, që duhet të fitonte bukën e kalamajve, në një shoqëri të jetës lakuriqe sot (referencë është Giorgio Agamben).
Motivimi që fliste për arritje të mëdha të zotit Pacolli në fushën e ndërtimit, në trojet tona krejt të mësuara me tollonin dhe skamjen, na u duk njëlloj si ti ofroje Enver Hoxhës çmimin e nderit për eleminimin e analfabetizmit shqiptar në një vend me 97 përqind analfabetë.
E që prapë do ia merrte shoku Enver në kthesë honorit të akorduar sot nga një copë universiteti privat si qindra universitetet analfabetike private që gjeneron sot Tirana: universitet botëror, universal, ndërplanetar, galaktikor, përrallor, jashtëtokësor, e kushedi sa etiketa do ti vet-mvishen universiteteve private shqiptare në të gjitha vitet e trazicionit që do vijnë.
Për rezultate të shkëlqyera akademike ... ishte vazhdimi i motivimit nga universiteti privat tiranas. Na u duk sërish një frazë e përkthyer shumë keq nga kushedi se çfarë gjuhësie koloniale e kësaj bote.
Mirëpo menduam se mos universiteti në fjalë kishte përgatitur ndërkohë botimin e veprës së plotë teorike apo teknike të të Honorifikuarit në fjalë.
Sepse nëse jo, ne skishim si ta kuptonim përse ky honor nuk i jepej poashtu edhe Sude Kamberit, për arritjen madhore të të paturit një milionë shqiptarë ndjekës, më shumë se Papa Gjon Pali II.
Atëherë menduam se në këtë pikë të vdekur të reagimit ndaj honorifikimit të zotit Pacolli nga një universitet X privat i Tiranës, mirë ishte ti çonim një letër të hapur lëvizjes Vetëvendosje, që këto kohë po bënte edhe debate të forta mbi Kahjen e unifikimit Kosovë-Shqipëri.
Domethënë asaj Lëvizjeje ku ligjërimi shqip lidhur me Popullin e mirëfillë, me popullin si akt i arritje-shndërrimit (devenir) të popullsisë, ishte ngritur për herë të parë në rang parësor në gjuhën e trojeve tona, pas vitesh e shekujsh.
Dyshimi ama qëndronte këtu: nga cila Tiranë duhen kthyer sytë e Kosovës për bashkim? Nga Tirana e degjenerimit total konceptual e mendor? Nga Tirana e mungesës totale të krahëve politikë, ku partitë janë vetëm ca trena të lyer si te parku Shtatë xhuxhat?
Te ajo Tiranë që i akordon një akademiku e parlamentari kosovar, Sabri Hamiti, çmimin për veprën e jetës, pikërisht kur nga Kosova sapo hidhen dyshime të rënda mbi plagjiaturën e librave të tij? (mbetet për tu vërtetuar kjo, natyrisht, por ama Ministria e Kulturës së një vendi smund të honorifikojë kaq apriori!).
Te ajo Tiranë që ska patur iniciativën të mbështesë kurrë asnjë lëvizje të tillë vetëvendosëse? Domethënë një lëvizje që i trajton me të njëjtën distancë edhe tradicionalizmin folklorik, por edhe kolonializmin e stisur euro-atlantik?
Dhe këtu qëndron kyçi i problemit. Senatorët e universitetit që sapo kanë honorifikuar biznesmenin zoti Pacolli, nuk kanë nga të lëviznin: ata na dukeshin viktima të një psikopatie politike idelogjike gati pan-europiane; të asaj ku shteti ka filluar të trajtohet si ndërmarrje e drejtohet si firmë ndërtimi.
Na mbetet njëfarë shprese tani që zoti kryetar si burrë me taban albanez që i bie të jetë, të mos aplikojë kurrë kërcimin bunga-bunga si zoti biznemen kryeministër Berlusconi.
Në këtë pikë në vumë re edhe se në çfarë niveli të mjerë është sot censura e Shqipërisë dhe e Kosovës! Të paktën në Hungari, bie fjala, pushteti ballisto-stalinist atje ka aq takat sa të persekutojë filozofët e mendimtarët!
Dikur antisemitë, e sot nacionalistë antieuropianë, hungarezët të paktën arrijnë ta drejtojnë censurën kundër filozofëve dhe teoricienëve, duke lënë të paktën mundësinë e betejës së përplasjes së nocioneve e të krahëve politikë. Pra tregon se ka ende kë të censurojë filozofikisht.
Në Shqipëri dhe Kosovë nuk po ndodhte as minimumi i hipokrizisë: të paktën të kishte krahë politikë konceptualë në kampe të ndryshme sa për ballafaqim idesh. Në gjithë këto javë, askush në trojet tona e në gjuhën tonë nuk vuri qoftë edhe një vështrim mbi persekutimin demokratiks të filozofisë e të mendimit në Hungari.
Pse?
Shumë e thjeshtë përgjigja: sepse megjithë kusuret përkatëse, në Hungari ende ekzistojnë disidentë që kanë ekzistuar përherë, marksistë apo tjetër lloj, por që kanë qenë përherë të tillë.
Agnes Heller e të tjerë vazhdojnë të jetojnë bindjet e tyre filozofike, edhe në regjimin e ri. Ndryshe nga Tirana, ku të gjithë filozofët janë bij të mbretit, domethënë kanë frikë se mos i akuzon ndokush për filozofë, që te ne është fyerje.
Dikush nga ne në tavolinë shfaqi mendimin se kështu i binte që persekutim politik e ideologjik në Shqipëri ska patur kurrë! Internim dhe biopolitikë sajë emrit të familjes po, ka patur; por jo ndjekje ideologjie alternative.
Rezultati na dukej sot mëse evident në Shqipëri: një mungesë absolute e vënies para drejtësisë së ish Persekutimit; një riciklim patetik e dhunëbartës i ligjërimit pushtet-opozitë në Tiranë sot.
Dhe mungesë absolute e ligjërimit teorik e politik, të zëvendësuar vetëm nga fashion i liberalizmit. Në gjithë këto vite pas firmave piramidale, Shqipëria kishte shfaqur vetëm arritjen e një konsensusi të tmerrshëm e shterpë, atë ku ska rëndësi se çfarë krahu mban sa kohë që të sjell para të shpejta në xhep!
Na mbetej të hidhnim pikëpyetje se nëse Lëvizja Vetëvendosje! donte ti kthente sytë drejt kësaj Tirane të degjeneruar? Nëse dikur Kosova shihte shokun Enver si bacë ndër-kombëtare, mbase ka ardhur koha që Shqipëria të vështrojë kah disa koncepte të Vetëvendosjes lidhur me integrimin e vet te vetvetja, por gjithë duke dyshuar në radhë të parë veten.
Ndryshe shqiptarofolës të bashkuar sdo të ketë kurrë. Ose nëse do të ketë, kjo do të jetë një rrezik konceptual e vital për vetë shqiparofolësit në radhë të parë.
Senatorët e X universiteti privat të Tiranës nuk është çudi mi falë honoris causa zotit Bexhet Pacollit. Nuk është e vështirë sot të jesh shqiptarofolës e të mos priresh nga logjika e ekstazës financiare.
Nga tregtar flamujsh në shitës diplomash. Vështirë shqiptari të dalë tani nga bisnesëzimi total i jetës publike e politike. Në një Shqipëri e Kosovë ku mungon edhe Migjeni, edhe Don Kishoti.
Na mbetej pra vetëm të përfytyronim një Shqipëri e Kosovë si shtete-ndërmarrje, si tenderizim të çdo ndjesie qytetare.
Mungesa e konsensusit nga ana Vetëvendosje!-s (siç del nga ndërhyrja Albin Kurtit së fundi në parlament) mbase duhet të vazhdojë fort. Vetëvendosja duhet të këtë parasysh se sot po kërkon dashamirësisht e konceptualisht të ftojë në skenë një Tiranë krejt të degjeneruar nga ana universitare e mendore, aq sa po degjeneron edhe Kosovën dhe frymën e saj publike.
Të mos harrojmë se asnjë publik, asnjë avancim publik i shqiptarëve të Shqipërisë, nuk mbështeti as kalimthi Bojatisjen e rektorit të Universitetit të Prishtinës para do kohësh.
Kur Tirana vazhdon të jetojë ende me skizofreninë e bojatisjes së pallateve me jetët gri brenda, askush nuk u solidarizua me rivendikimin e shpirtit revolucionar që ata djem evokuan si reagim ndaj fjalimit gjoja babaxhan të rektorit.
Në atë Universitet të Prishtinës ku u kristalizua dikur rezistenca ndaj dhunës serbe, forma pësoi atentat, skuqja erdhi nga jashtë, përderisa cipa ideopolitike ka plasur me kohë. Dhe se në vend të një fjalimi post-kolonial, si pritej normalisht, rektori donte të rrëfente qifulla të para-programuara të integrim-asocijimit.
Të mos harrojmë se ata dy çuna na kthyen pas te triumfi i materies!
Të mos na duket ndonjë hendek mes tyre dhe Vasil Laçit apo Avni Rustemit dikur, vetëm pse tani ne shqiptarët jemi bërë të gjithë biznesmenë, feja jonë e vërtetë, më në fund!
Pse?
Sepse pushtuesit kryesorë të Shqipërisë dhe Kosovës sot janë vetë shqiparët. Dhe prandaj në këtë lëvizje vet-vendosëse, ne kemi arritur pikën maksimale të integrimit: të të parit e vetes si rrezikuesin më kryesor, dhe si asocijuesin më të parë të logjikës shterpe të patriotizmit fals!
Ndryshe një lëvizje ska më mocion për tu treguar!
Nuk dukej fare çudi që në këtë atmosferë prej Fausti, një universitet privat tiranas ti akordojë, pa pikë turpi, zotit Pacolli këtë honoris causa.
E keqja është se vetë zoti Pacolli del si figurant në këtë aferë servilizmi të skajshëm. Ndoshta vetë ai e kupton që ia ka marrë, para kohe, në garë Chomskyit apo Kadaresë, Sorosit apo Thatcherit...
Mirëpo ja që në këtë pikë jemi mesa duket: Politika shqiptare ia ka dalë të degjenerojë në të gjitha trevat shqipe, mundësinë e respektit funksional ndaj Tjetrit. Në këtë pikë fundore asnjë mendim, asnjë prodhim teorik apo politik nuk ka më rëndësi, në një Shqipëri që po e eksporton vdekjen e vet në të gjitha viset ku flitet shqip.
Ne menduam se Lëvizja Vetëvendosje!, si i vetmi ligjërim (deri tani) që e konsideron Popullin si një territor të ndarjes së të mundshmes, si vend ku perspektiva nuk është gjetja e shpirtit të Nënë Terezës, por pikërisht çasti tani i rrëfimit të vet metafizik, duhet të shohë drejt një Tirane që smund të jetë kjo e sotmja.
Na u duk se me këtë dekorim, ky universitet ET me anë të zotit Pacolli, duke e përodrur atë, po mundoheshin të vazhdonin idenë e një bashkimi kombëtar fallco, një akt vlerësimi të shpejtë, si me porosi, një akt njohjeje, si me ngut.
Por kjo prapë nuk na dukej çudi. Dukej kjo ishte idiotësia e radhës e sistemit universitar privat tiranas, që sduhej marrë dhe aq seriozish, me atë analfabetizëm që po krijon nëpër vend, me qarkullimin masiv të diplomave fallco, gjë që tashmë e di i madh e vogël.
Pra, universitetet private tiranase e kishin vet-denoncuar (pa dashur) veten prej vitesh, e prej vitesh vetëm sa prisnin që të vinte dita e shkatërrimit, e rrënimit të tyre piramidal (çdo kohë viktimat e veta, apo, jo?) derisa dhe vetë zoti Pacolli, i honorifikuar, për vetë çudinë e tij mbase, sdo ketë asgjë se çfarë të bëjë lidhur me to.
Tek e fundit në këtë sistem universitar privat shterpë e analfabet e çfarë rëndësie ka akti i dhënies honoris causa? I bie të jetë një akt i kotë e vanitoz alla shqiptar i sotëm, sia vlente ta merrje seriozish. Ne si shqiptarë menduam që vetë zoti Pacolli do ta refuzojë këtë honor. Sipas fjalëve të poetit William Burroughs: Ti djalosh sishe aty që në fillim .. as në fund ske për të qenë!