22 Dhjetor 2024

“Unioni” dhe restaurimi i tij

Shkruar nga arch. Ylber Vokshi -Ylli

Të hënën me katër tetor 2010 opinioni kosovar u njoftua se Komisioni i eksperteve të trashëgimisë kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës ka marrë vendim se ish hoteli “Union” në Prishtinë nuk do të rrënohet,se objekti do të restaurohet. Komuna e Prishtinës ende nuk ka marrë qëndrim të prerë për fatin e objektit – lokacionit,edhe se nuk janë të qarta kompetencat e tyre pasi objekti është nën mbrojtjen e Shtetit të Kosovës.

Me siguri është menduar në Rindërtim pasi pas djegies fatale në gusht të vitit 2009 si dhe lënies së tij në mëshirën e kohës,asgjë nuk ka mbetur për tu restauruar,pos disa gërmadhave dhe lokacionit i cili e ka pronarin e vet.

Për mua ishte lajm i pritur që nga pranvera e vitit 2008. Komuna e Prishtinës është e obliguar të respektoi vendimin e ekspertëve të nivelit qendror të Ministrisë nëse nuk dëshiron të humb kontestin në gjykatat ndërkombëtare me pronarin aktual të objektit nga prilli i vitit 2009  “Benetton Group”.

Ata kësaj vere edhe një herë ia rikujtuan komunës së Prishtinës pronësinë,dhe i prezantuan opinionit kosovar projektin tani të rindërtimit të objektit,pasi gati tërësisht ishte shkatërruar edhe nga koha gati një vjeçare pas djegies. Si objekt i trashëgimisë kulturore dhe historike,ashtu e kërkojnë ligjet,normat dhe standardet ndërkombëtare,të cilave deshëm apo nuk deshëm jemi të obliguar të iu nënshtrohemi. Kush dëshiron të kundërshton të jemi pjesë e botës së civilizuar?.

Kur në pranverë të vitit 2008 u bënë publike tendencat e komunarëve të Prishtinës për rrënimin e një objekti (ish hotelit UNION),kinse kjo ishte “kërkesë e banorëve” të kryeqytetit,pati reagime të zëshme të shoqërisë civile,ekspertëve të ndryshëm,shtypit ditor etj.

Atë kohë Komunës iu dorëzua edhe një peticioni për mbrojtjen e “Unionit”,pasi atë duhet shikuar edhe si rezultat të asaj se ky objekt ishte mbetur ndoshta ndër të fundit nga qyteti i vjetër si pjesë e një tërësie urbane. Të gjithë në princip ishin të mendimit se objekti i “Unionit” të mos rrënohet pasi në të gjitha dokumentet profesionale si i tillë ishte trajtuar. Këso reaksionesh janë pritur dhe do të ketë edhe në të ardhmen deri sa të flaken të gjitha “intervenimet” e pa kontrolluara në urbanistikën e kryeqytetit ku i vetmi kriter është”profiti”duke harruar se aty jetojnë njerëzit. 

Kaluan gati tre vite tendencash që ky objekt të zhduket,u tentua me metoda të çuditshme primitive,edhe duke e djegur objektin,edhe me komunikata dhe  vlerësime se ky objekt i ka humbur vlerat pas djegies,për të arritur qëllimin e tyre por si po duket ma në fund nuk patën sukses.

Në aspektin kohor dhe historik ky objekt ka vlera të mëdha,që tregon vazhdimësinë shekullore të ekzistencës së shqiptarëve në këto hapësira,tregon identitetin urban të pakontestueshëm,shumë shekullor të qytetit të Prishtinës. Sa lehtë e anashkalojmë e harrojmë ekzistencën tonë në këto hapësira.

Gjithnjë nuk e kemi vlerësuar të kaluarën e jonë e cila ma së miri identifikohet me objektet të cilat çdo shoqëri në mënyrë institucionale i ruan,për të treguar dhe dokumentuar lashtësinë e vet,e ne mu këto vlera historike dhe arkitektonike i kemi zhdukur përpara dhe sot.

Vetëm ata të cilët nuk e njohin rëndësinë arkitektonike dhe historike të ekzistimit të objekteve të mbrojtura me ligj,e të ndërlidhura ngushtë me identitetin urban të Prishtinës munden me bërë këso veprime. Në shikim të parë kjo duket e pa rëndësishme,shumë objekte kulturo historike,që ishin nën mbrojtjen e shtetit (afër 40%) në mënyrë sistematike në dhjetë vjetshin e fundit janë rrënuar,pa dhënë askush përgjegjësi dhe llogari.

Si duket kështu janë mësuar të punojnë zyrtarët komunal të kryeqytetit,Prishtinës,e kështu bota nuk do të na pranon e të na njoh si shtet serioz i cili i respekton konventat ndërkombëtare. Urgjentisht kërkohet ndryshimi i shprehive dhe respektimi i normave dhe standardeve ndërkombëtare në fushën e urbanizmit dhe trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Askush nuk është i çmendur të jetë kundër dëshirave të shumicës,por së paku duhet respektuar disa rregulla elementare të jetës urbane në kryeqytet ku duhet bërë edhe kompromise të dhimbshme. Shikoni se si trajtohet ky lloj i objekteve në qytetet dhe kryeqytete tjera në tërë globin.

Ndoshta shembuj ma të afërt do të kishim pjesën tjetër të kombit në Shqipëri,se si ata i kanë trajtuar dhe i trajtojnë objektet e trashëgimisë,që së  fundit i kanë ndërtuar Italianët në vitet tridhjeta të shekullit të kaluar në Tiranë,Durrës etj. Për monumentet e periodave ilire,romake,bizantine,osmane as që duhet diskutuar,pasi Shqipëria i ka tre komplekse historiko-kulturore në UNESKO si Gjirokastra,Butrinti dhe Berati. Si objekt i trashëgimisë kulturore dhe historike “Unioni” duhet rindërtuar mu në vendin ku ka funksionuar me dhjetëra vite,nga viti 1927 kur u ndërtua.

Në njërin nga prononcimet e mija publike nga prilli 2008,pata theksuar se “Unioni”- është mision i mundur,kjo ishte bindja ime e thellë profesionale. Gabuan ata të cilët me metoda primitive (kallje) tentuan të arrijnë disa qëllime të pa realizueshme në rrugën qendrore të Prishtinës,që duhej të ishte pjesë integrale e qendrës së kryeqyteti të Republikës së Kosovës.

Një çështje duhet sqaruar në thelb,asnjë problem urban nuk duhet trajtuar individualisht por si një pjesë të pa ndarë të tërësisë urbane të kryeqytetit,si pjesë integrale e pjesës së qendrës së të cilës është edhe objekti i “Unionit”.

Jo të kemi zgjidhje parciale të disa “shesheve”në një rruge qendrore të kryeqytetit e cila është mbyllur për komunikacion pa asnjë analizë të mirëfilltë urbane. Ketë e vërteton edhe vendimi i fundit,i qartë dhe obligues për Komunën e Prishtinës,i Komisionit të eksperteve të trashëgimisë kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës,rinisë dhe sporteve të Kosovës (MKRS).

 Kurrë nuk është vonë,gabimet e pa qëllimta duhet të korrigjohen thotë një proverb popullore e jona.
 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)