24 Dhjetor 2024

UNIMIK-u 1999 - ?, skenarët dalës

Shkruar nga Dhurata Hoxha


Së pari ju falenderoj për ftesën në këtë tryeze, dhe ju pergezoj per organizimin si dhe për çështjen qe keni zgjedhur ta trajtojmë sot bashkarisht.

“UNIMIK-u 1999-?: skenarët dalës” – për të biseduar për këtë temë, me lejoni të bëj një përmbledhje të shkurtë për UNMIK-1999 deri tani.

Nga lufta e vitit 1999, Kosova doli e shkatërruar dhe me më shumë se gjysmën e popullatës të zhvendosur. Detyra e Misionit të sapo formuar të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Kosovë ishte të siguronte kthimin e refugjatëve dhe ta përgatiste Kosovën për ‘vetëqeverisje.’

Zhvillimi i institucioneve të reja demokratike ishte ndikuar shumë nga një ambient i pas luftës dhe nga pasiguria për statusin e saj final. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara njohu sovranitetin e Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ) mbi Kosovën, dhe themeloi një Mision të Administratës së Përkohshme të KB (UNMIK) për ta administruar Kosovën dhe për ta përgatitur atë për “vetëqeverisje.” Ky qëllim i dyfishtë shpesh krijonte pakënaqësi në mesin tone, sepse ne kërkonim pavarësi të plotë.

Kështu, ndërtimi i institucioneve të Kosovës ka qenë nën hijen e një problemi më të madh i cili ka qenë statusi i saj final dhe administrata ndërkombëtare e cila së paku në vitet e para kishte fuqi kyçe vendimmarrëse. Përveç detyrës së administrimit dhe zhvillimit të institucioneve, misioni ndërkombëtar ishte ballafaquar me detyrën e përkrahjes së kthimit të refugjatëve dhe fillimin e rindërtimit të Kosovës.

Zgjedhjet e para ishin mbajtur në vitin 2000 në nivelin lokal. Më 2001 kishte zgjedhje për Parlamentin në nivel qendror. UNMIK-u hartoj një Kornizë Kushtetuese e cila vendosi platformën për funksionimin demokratik të Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes. Ajo gjithashtu përfshiu dispozita për të garantuar përfaqësim të minoriteteve në Parlament, qeveri dhe shërbimin civil. Pra struktura qeverisese ishte Rezoluta 1244, Përfaqesuesi Special i Sekretarit të Pergjithshëm, dhe institucionet veteqeverisëse të Kosovës.

UNMIK – në atë kohë i ka pasur të mirat dhe të këqijat e tij. Fillimisht me lejoni te flas për te mirat e këtij misioni. Institucionet e Kosovës kanë përfituar nga prezenca e komunitetit ndërkombëtar në shumë mënyra. Prania e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ishte e dobishme në kuptimin se ofroi një grumbull njerëzish dhe njohuri në të cilat kosovarët mund të kishin besim. Sidomos nese kemi parasysh se administrata civile duhej të krijohej nga e para.

UNMIK-u dhe komponenta e saj e OSBE (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë) ndihmuan në krijimin e institucioneve dhe më vonë edhe në funksionimin e tyre. Pas zgjedhjeve të para parlamentare u nevojiten tre muaj e gjysmë për krijimin e një koalicioni qeverisës.

Mirepo UNMIK-u shpesh ka qenë i kritikuar ashpër nga shoqeria Kosovare por edhe nga disa vende te bashkesise nderkombetare. Duke pasur rolin e tij autoritar/ekzekutiv, ndikimi i UNMIK-ut në zhvillimin e institucioneve të Kosovës mund të shikohet si negativ në shumë drejtime. 

Pikat kyçe të kritikave janë perkushtimi i stafit të UNMIK-ut në progres dhe çështjet e përgjegjësisë. Punëtorët e administratës ndërkombëtare dhe burokratët e karrierës të KB janë vënë nën akuzë për krijimin e një lloj kaste e cila së pari kujdesej për interesat e veta.

Problemi më i madh i dukshëm ishte ai i mungesës së përgjegjësisë së UNMIK-ut. UNMIK-u me të madhe shihej si një pushtet neo-kolonial i cili shmangte vendime të vështira duke u fshehur prapa nocioneve të paqarta për promovimin e demokracisë.

Në të vërtetë, qeverisja e UNMIK-ut gjatë kësaj periudhe ka ngadalësuar ngritjen e institucioneve në shumë mënyra. Adoptimi i ligjeve është një shembull i mirë i kësaj. Secili ligj i cili kishte kaluar në Parlament është dashur të aprovohej nga UNMIK-u. Legjislatura e parë (nga 2001 deri 2004), ka nxjerrë kështu vetëm 86 ligje dhe 5 rregullore. Legjislatura e dytë (2004 – 2007) ka aprovuar 79 ligje.

Edhe sa i përket çështjeve të ekzekutivit, UNMIK-u gjatë kësaj periudhe ka pasur gjithashtu fjalën përfundimtare në të gjitha vendimet e qeverisë. UNMIK-u ka pasur përgjegjësi të drejtpërdrejt për mbrojtje dhe marrëdhënie me jashtë.

Ministritë e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme ishin krijuar relativisht vonë, më 2006. Procesi i transferimit të përgjegjësive nga UNMIK-u tek institucionet e zgjedhura filloi përafërsisht në të njëjtën kohë, por ishte mjaft i ngadalshëm.

Çështja e statusit të pazgjidhur ka qenë një problem shumë serioz për Kosovën. Përderisa dëshira për pavarësi i ka udhëhequr kosovarët në reformimin e vendit të tyre me qëllim që ta fitojnë ligjshmërinë ndërkombëtare, kjo rrugë drejt pavarësisë ka nënkuptuar gjithashtu edhe shumë energji të shpenzuar për çështjen e statusit.

‘Status quo-ja’ ka pasur gjithashtu një ndikim negativ sa i përket pengimit të njerëzve në pranimin e më shumë reformave – të tilla si decentralizimi.

Periudha e pas shpalljes së pavarësisë ka parë prapë një prezencë të misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Nuk pamë një mbarim të UNMIK-ut siç ishte pritur.

Më saktë UNMIK-u mbeti prezenca kryesore e KB pavarësisht rikonfigurimit dhe zvogëlimit. Kemi parë një lloj beteje në mes të akterëve të ndryshëm për ta plotësuar rolin e UNMIK-ut.

Ai rol është marrë në masë të madhe nga misionet e Bashkimit Evropian në Kosovë. BE ka dhe ka pasur një rol të rëndësishëm në drejtimin e politikës së Kosovës, me prezencën shumë të madhe në formë të EULEX-it, ICO-s dhe Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian.

Kurse me permbylljen e mbikqyrjes se pavaresise qe nga viti i kaluar kemi Zyren e BE-se ne Kosove dhe EULEX-in, ndersa ICO-ja ka permbyllur zyren e saj.

UNMIK-u ka filluar një proces të rikonfigurimit që nga shpallja e pavarësisë. Kështu ai e ka zvogëluar prezencën në mënyrë të ndjeshme. Që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës UNMIK-ut i është hequr autoriteti. Megjithatë, UNMIK-ut sipas 1244 i mbesin disa përgjegjësi veçanërisht kur është në pyetje përfaqësimi i Kosoves ne Keshillin e Sigurisë.

Sidoqofte, UNMIK-u në Kosovë edhe pse me mision të zvogëluar kishte mbetur në Kosovë në gjendje të fjetur, perveq zyres administrative të UN në veriun e Mitrovicës, zyre kjo e cila financohej nga Qeveria e Kosovës me rreth 4 milion buxhet vjetor.

Mirëpo ne maj 2012 Qeveria e Republikes se Kosoves merr vendim te hape Zyren Administrative te Mitrovices Veriore, ku buxheti i zyres se UNMIK-t ndalet, dhe i dedikohet kesaj zyre.

Tani cilat jane disa nga opcionet dalëse të UNMIK-ut:

1.    Përderisa kemi rezoluten 1244 UNMIK-u do te vazhdoje te jete prezent ne Kosove ne gjendjen qe ka tani, pra me nje rol simbolik të përfaqësimit të Kosovës në KS. Për shkak të mosnjohjes nga shtetet si Rusia dhe Kina, është mjaft e vështirë të ndrrohet kjo rezolutë me një tjetër.

2.    Ne jemi duke shqyrtuar mundesitë ligjore, pra përparesitë dhe mangesitë që teë kërkojmë anetaresimin në Kombet e Bashkuara nëpërmes Asamblesë së Përgjithshme, me arritjen e numrit të duhur të njohjeve. Mirëpo edhe kjo bart

8
sfiden që Kosova mund të bëhet anëtare vëzhguese në UN, dhe ky nuk është ndër opcionet e preferuara, pra jemi duke analizuar se a do te kemi përfitime nga ky opcion, dhe nëse po çfarë?

3.    Dhe së fundi, është edhe opcioni tjetër që tani me marreveshjen e arritur për normalizimin e marrëdhënieve dhe pas implementimit të marrëveshjes mund të kërkojme një rezolutë të re që do të sponzorizohej nga BE-ja dhe SHBA-te, mirepo edhe ky opcion është në shqyrtim e sipër se si do te mund të implementohej në praktikë.


/Autorja është Këshilltare e Kryeministrit të Kosovës/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)