Unë nuk jam ti
Shkruar nga Avdullah Hasani
Në takimet me kolegët e mi të rinj nga vendet e ndryshme, gjatë pushimeve midis seancave, ndodh shpesh të kujtoj valëvitjen e trendafilave të kuq rrugëve të Shtimes. Rrugëve të Shtimes kur prisnim ushtarët e KFOR-it, bashkë me fëmijët e shkollës sime.
Çfarë gëzimi ndihej edhe në shtëpi, sa fjalë të ëmbla thuheshin për lirinë e Kosovës dhe sa shumë rrëfime për luftën nga prindërit, motrat dhe vëllezërit tanë.
Sa herë që dëgjoj bashkëmoshatarët e mi të rinj evropianë kur diskutojnë të lirë, nuk mund të mos e kujtoj veten time i fshehur në qoshe të ndryshme, i frikësuar me frikën e një fëmije, gjer në palcë, nga granatat që binin gjithandej.
Dhe sa herë që më bie ta marr fjalën në Asamble dhe seanca të ndryshme të të rinjve që organizohen në shtete të ndryshme të botës , me një luk të pastër dhe tejet të qartë si një evropian i ri i Kosovës, ithtar i përjetshëm i lirisë dhe barazisë për të gjithë popujt në Botë, ndiej se jam një imazh i rremë para të rinjve të Kosovës , duke vë në pah para kolegëve të mi izolimin e tyre në raport me botën e qytetëruar, duke pasur vëshirësi në marrjen e vizave për të studiuar dhe për të vizituar vendet dhe institucione të ndryshme me rëndësi historike e kulturore për shtetet dhe popujt e Evropës.
Në këto momente kaq të rëndësishme për vendin tim, 12 vjet pas luftës, sot, më shumë se asnjëherë tjetër, marr guximin e duhur, të mbështjellë me dilema dhe me gëzim, tiu drejtohem institucioneve relevante të Bashkimit Evropian, që sa më shpejt tiu mundësohet bashkëmoshatarëve të mi liberalizimi i vizave, sepse ata duhet dhe meritojnë të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.
Për momentin vendi im nuk e ka të qartë rrugën drejt integrimeve evropiane, edhe pse institucionet e Kosovës dhe populli im bëjnë përpjekje të përditshme tiu arrijnë juve me punë, dije dhe vullnet me qëllimin e mirë dhe dëshirën fisnike që të bëhemi vërtet evropianë e të qytetëruar.
Gjithherë duke e vënë në peshojë veten time dhe gjithë atë çfarë mund të bëj unë për vendin tim, kujtoj me krenari para jush se qindra të rinj e të reja të Kosovës, ashtu si qindra të rinj francezë, suedezë e italianë, kanë lexuar Danten, Shekspirin, Andersenin..., ndërsa dhjetëra prej tyre kanë marrë çmime kombëtare për kimi, fizikë apo matematikë, ndërsa përse tani, në këto momente, tek po ju drejtohem me këtë shkrim, ndonjëri pre tyrej të mos mendojë për nobelin, teksa ha fasulen e përditshme në menzën e studenteve, apo sallamën e lirë nëpër dhomat e konvikteve.
Njerëzit nuk lindin, ata bëhen të mëdhenj, është një thënie sa filozofike, po aq reale, tejet domethënëse, të cilën shpesh e kujtoj dhe më pëlqen ta kujtoj kur jam vetëm në shtëpi dhe më kaplon, si i ri që jam, dhe problemeve që kam përpara, njëfarë ndjenje pesimiste për botën. Çështë e vërteta, unë jam optimist, ju lajthita, megjithëse rrallë parapëlqej të shmang të vërtetën, por, tani kur bashkëmoshatarët e mi presin takime me mua, unë ende nuk jam ti Paolo, ti Zhaneta, ti Laura, ti Mihail, përderisa unë ende nuk jam unë. Unë ende nuk jam unë, sepse në fund të zemrës sime ka mospajtime, ka edhe pak zhgënjime.
Autori është President i Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës.