26 Dhjetor 2024

Unë nuk jam krenar që jam shqiptar

Shkruar nga Hilmi Gashi

Jo tani, assesi dhe pikë...! Nuk është koha dhe momenti për t’u ndier i tillë! Jo derisa në vendin tim politika vret ëndrrat e të rinjve, vret të tashmen dhe të ardhmen e vet. Vret të kaluarën! Shtyp dhe godet deri në pangopësi.

Jo derisa në vendin tim që nga pastruesit e deri tek akademiket i rrekën punës në saje të intervenimeve të stilit sicilian.

Jo derisa pushtetarët e shfrytëzojnë vendin e vet dhe postet publike vetëm për përfitime të tyre materiale.

Jo derisa në vendin tim udhëheqin analfabetet dhe punësojnë militantë analfabetë siç iu përshtatën atyre pikë për pikë.

Jo derisa mjekësia vret pacientet e vet në vend që t\'i shëroj, ndërsa bebet e vogla lindin korridoreve të spitalit dhe vdesin duke u përplasur me kokë për dysheme.

Jo derisa vendin tim në ambasada dhe konsullata jashtë vendit neper botë e përfaqësojnë militantët e jo profesionistet, e në mesin e tyre ka edhe kriminelë.

Jo derisa mësuesit tanë shkollohen barazi me nxënësit dhe bëhet shaka me ta, kurse eksperimentet me nxënës nuk kanë të ndalur tashmë e 20 vite më radhë.

Jo derisa universitetet publike janë katandisur aq fortë sa as atomi s\'do të mund ta pastronte mjerimin e mbjellë aty nga grupet mafioze me kollare në qafë.

Jo derisa drejtoret e shkollave zgjidhën si kukulla të shëmtuara të politikes dhe i shërbejnë atyre që bëjnë me gisht e jo parimeve profesionale dhe etikes.

Jo derisa në restorantet e vendit tim hy me fëmijë të vogël, e aty buka më mbet në fyt nga tymi i duhanit. Aty tymosin edhe zyrtarë të policisë sa për t\'ia vënë kulmin marrëzisë.

Jo derisa në barnatoret e vendit tim ilaçet shitën me çmime fiktive e paushall, pa banderolë e pa kuponë fiskalë, ndërsa natën çmimi i tyre rritet trefish më shumë.

Jo derisa në televizionet tona hapësira i jepet të proklamuarve të amoralitetit me mesazh seksin, drogën, fëlliqësinë dhe degradimin.

Jo derisa në vendin tim e zeza shitet për të bardhë dhe e bardha për të zezë. Derisa e pavlera shitet për vlerë dhe vlera shihet si e dalë kohe.

Jo tani, assesi dhe pikë...! Nuk është koha dhe momenti për t’u ndier i tillë!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)