Unë jam më i mirë sepse vjedh më pak se ti
Shkrur nga Faik Krasniqi
Demokracia në vendet e zhvilluara nuk është dhuna e shumicës ndaj pakicës. Nuk do të thotë që ai koalicion qeveritar të rrijë në qeveri për 4 vjet sepse është zgjedhur me vota.
Po ashtu nuk do të thotë që të lejohet të rrëzohet me dhunë nëse këtë gjë përpiqet ta bëjë opozita. Por Kosova nuk është demokraci.
Këtu më shumë shahet opozita sesa pozita. Nuk ke asnjë mundësi t'i kërkosh llogari pozitës as të ngresh një komision parlamentar për të hetuar (për çfarëdo çështje).
Në Gjermani është mëse normale që një komision i opozitës të hetojë për çdogjë (megjithëse përbëjnë pakicën). Dhe pozita reagon në qoftëse e sheh që është në gabim.
Mentaliteti i 4 vjet i zgjedhur dhe nuk ke ç'më bën, ekziston vetëm në demokracitë hibride si në Kosovë dhe në Shqipëri.
Në Gjermani nuk është se zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese por vendimet e rëndësishme merren në konsideratë dhe reagohet.
Në hapësirat mbarëshqiptare vetëm flitet që e respektojmë, por asnjëherë nuk merren veprime konkrete.
Në shtetet demokratike për vendimet dhe politikat strategjike dhe afatgjate merret mendimi i të dy palëve. Tek ne kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Dhe kjo edhe kur partitë e tjera që kanë qenë në pushtet, e sot janë në opozitë.
Nuk dua të lë asnjë nga partitë e mëdha pa faj. Me këtë situatë mund të pajtohen vetëm militantët e thekur të partive, por jo ata që e duan vërtetë këtë vend. Për vendimet strategjike duhet të vendos vetë populli me referendume.
Në shumë pak vende të botës gjysma lufton kundër gjysmës tjetër si tek ne. Dhe atje ku ndodh një gjë e tillë nuk ekziston një regjim demokratik.
Po ashtu mbrojtja me arsyetimin që unë jam më i mirë sepse vjedh më pak se ty është e vlefshme vetëm në hapësirat shqiptare. Sepse aty mungon ligji dhe institucionet e pavarura. Në Kosovë duhet të krijohen kushtet për një transparencë në çdo institucion përndryshe do të mbizotërojë fodullëku dhe pandëshkueshmëria si tani.
Nuk mund të më thotë akush që ekziston Demokracia tek ne, kur në 15 vite me gjithë ato që kanë ndodhur dhe po ndodhin nuk është dënuar ose ka marrë përgjegjësi asnjë zyrtar i lartë.
Në një vend të varfër kjo është absurde. Dhe ata që marrin përgjegjësinë e bëjnë sa për t'u fshehur, që të marrin postin përsëri në zgjedhjet e ardhshme. Dhe ky është fakt i ndodhur jo një herë.
(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i ''Nismës për Kosovën'')