Unë isha në Bllacë me Albinin, se ju na dëbuat atje
Shkruar nga Vadrin Ahmeti
Më 14 janar, unë isha nisur në Merdarë për të mbrojtur vendimin e Kuvendit të Kosovës të datës 7 dhjetor i cili e obligon Qeverinë për reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. Në diskutimet e mëhershme në zyrë bashkë me plotë aktivistë të tjerë ishim marrë vesh që atë ditë të ndalohen kamionët që vijnë nga Serbia dhe veturat me targa të Serbisë. Nëse Serbia nuk i pranon targat e Republikës së Kosovës, pse duhet që Kosova ti pranojë ato targa?
Kur mbërritëm në Besianë, Policia e Kosovës kishte bllokuar rrugën në udhëkryqin Prishtinë-Besianë-Medarë. Më herët na kishin lodhur me deklarata që nuk do lejonin bllokimin e lëvizjes së lirë, kurse unë i shihja policët teksa i detyronin veturat me targa RKS të ktheheshin mbrapa.
Në orën 13.50 u vendosëm dy metra para kordonit të policisë, dhe sapo Albini bëri shpjegimin e parë para protestuesve, të cilëve ju bëri thirrje të mos e provokonin dhe sulmonin policinë, ishte policia ajo e cila filloi të na sulmojë ne, duke na shtyrë dhe duke na hedhur sprej lotësjellës. Sulmi i policisë për një moment ndaloi.
Që prej asaj kohe, ne lejuam mbi dhjetë vetura me tabela të Republikës së Kosovës të kalonin në njërën korsi të rrugës. Veturat kalonin në drejtim të Merdarës në të dy kahët. Për çudi kjo nuk u paraqit në asnjë edicion të lajmeve. Polici kufitar nuk ishte Fisi (për çudi).
Në orën 14:10, Njësitë speciale të Policisë së Kosovës u afruan drejt nesh nga vendi ku ishte më herët. Ne iu bëmë thirrje policisë që të mos na provokojë, e mos të na sulmojë, meqenëse ne ishim aty për të zbatuar një vendim të Kuvendit të Kosovës, të cilin vendim qeveria nuk po e përfill. Për eprorët e policisë së Kosovës thirrjet tona hynin në njërin vesh e dilnin në tjetrin. Ne u ulëm të gjithë para intervenimit të Policisë, por as kjo nuk ju bëri përshtypje.
Gjatë arsyetimit për intervenimin, zyrtarët policor thanë se kanë hasur në rezistencë aktive. Nuk di si mund të rezistojë një person ulur në tokë. Filluan të na shqelmonin sa ishim të ulur në tokë, të na hidhnin sprej e të tërhiqnin zvarrë ata që mundën ti kapnin. Sollën edhe topat e ujit, të cilët na detyruan të ngriheshim në këmbë, dhe pastaj filluan të gjuanin gaz lotësjellës me aq sa kishin kapacitete.
Ne u tërhoqëm prapa, dhe unë qëllova që të jem afër Albinit, i cili kishte pësuar më së shumti nga spreji lotësjellës. U larguam afër një oborri (ndoshta Hotel Besianës). U ulëm që të mund të merrnim frymë më lirshëm. Por nuk vonoi përsëri sulmi i policisë, dhe na u desh të tërhiqemi përsëri, me sy mbyllur, me frymëmarrje të bllokuar, dhe me rroba të lagura.
Policët hynin edhe nëpër oborre të shtëpive e arrestonin kë gjenin aty. Policia nuk u ndal. Për afër më shumë se dy orë, policia na ndoqi deri në qendër të qytetit të Besianës. Ata qytetarë që i zuri duke hyrë në autobus në stacionin e autobusëve në Besianë, i arrestoi pavarësisht se nuk ishin fare pjesë e protestës.
Pak pasi kaluam stacionin e autobusëve në drejtim të qendrës së Besianës, unë morra një plagë në arkadë dhe në sy nga gazi lotsjellës, të cilin policia e përdornin në vend të plumbave, nuk isha unë i vetmi, dikë e qëllonin në këmbë, dikë në shpinë, e dikë në kokë. Pas kësaj unë hipa në automjetin e mikut tim i cili më solli në Prishtinë për të marrë ndihmë për plagën që kisha marrë.
Atë ditë nuk mund ti shihja as lajmet nga dhimbja në sy, por të nesërmen në edicionin kryesor të lajmeve pashë një koment të një zv.ministri, i cili për ta dëshmuar veten para shefit të tij, sulmon VV-në si i çartur.
Ai në rrjetin social fb, kishte thënë: ... pamja e dytë ishte me Albin Kurtin, i cili pas debateve kishe trimfaliste nëpër media, ish ul i thyem skaj një gardhi e u doke si një refugjat i Kosovës diku nBllacë më 1999 ...:))) - (Sesi ka qenë saktësisht në Bllacë Iliri e dinë mirë, ndoshta i ka treguar miku i vet Berat Buzhala, (zëvendësministri tjetër) nga përvoja e jetës së tij).
Unë pas intervenimit të policisë deri sa mora plagën në sy, isha me Albinin, jo si roje e tij siç thuhet në ndonjë TV, por si aktivist i cili i ndihmon aktivistit tjetër në secilin aksion tonin. Ne u tërhoqëm nga gjithë ai gaz lotsjellës e gjithë ai ujë, dhe njëmend u ulëm pranë një gardhi që të pushonim.
Po, ne ishim në Bllacë atë ditë.
Shqiptarët ikën për në Bllacë pas dhunës dhe represionit të ushtruar nga shteti i Serbisë. Shqiptarët qanin në Bllacë, meqenëse nuk kishin se si ti kundërviheshin shtetit të Serbisë. Shqiptarët ishin në Bllacë, sepse policia e ushtria serbe po ju hynte nëpër oborre e nëpër shtëpi, duke i rrahur vrarë e arrestuar të gjithë që i dilnin përpara.
Ne, policia na sulmoi me të gjitha mjetet që i pati aty në dispozicion. Ne ishim në Bllacë. Në ekzil brenda vendit tonë.
Ne treguam që jemi paqësor, dhe me shumë se aq nuk mund të duronim me trupat tanë(sprej e gaz lotësjellës, topa uji, shkopinjë gome e hekuri, shqelma, etj.). Ne protestues paqësorë që ishim nuk kishim se si ti ta ndalonin policinë, andaj edhe po të dukeshim si refugjatët në Bllacë. Po ne u dukëm ashtu nga pamundësia për të ushtruar një të drejtë themelore, atë të protestës.
Policia arrestoi edhe ata që dilnin të shuanin gazin lotsjellës në oborret e shtëpive të tyre, edhe ata që ishin nisur për në Prishtinë, e policia i zuri duke hipur në autobus. Edhe atëherë ne ishim në Bllacë.
Zëvendësministri i Qeverisë së Kosovës i cili e shkroi këtë koment, harroi që në Bllacë shqiptarët i dëboi dikush. Ishte një sistem i cili i luftonte shqiptarët e i cili i dëboi më shumë se 800.000 shqiptarë nga Kosova, e mbi 1.500.000 shqiptarë nga shtëpitë e veta.
Po ashtu ne afër atij gardhi si në Bllacë na largoi dikush nga protesta jonë. Ishte policia e shefit të zëvendësministrit, për të cilin shkruan ngado: në FB, në gazetat qeveritare, flet nëpër emisione, e bile edhe shan nëpër muhabete. Krahasim të policisë së Kosovës, me paramilitarët serbë, nuk kam parë të ketë bërë ndonjëherë ndonjë zyrtarë qeveritarë.
Me gjithë këmbënguljen e zëvendësministrit, ne nuk e besojmë atë. Ne besojmë që në Policinë e Kosovës ka më shumë njerëz të drejtë, të cilët nuk e duan Serbinë në Kosovë, ashtu si shefat e tyre.
Meqenëse ata mendojnë që duke tentuar të na poshtërojnë do të na mundin, unë Ilirit i them: Po, unë isha në Bllacë bashkë me Albinin, sepse atje na dërgoi policia e Thaçit.
(Valdrin Ahmeti është aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i cili u lëndua rëndë gjatë protestës së 14 janarit 2012, në Merdar gjatë intervenimit të policisë më gazlotsjellës. Ai ende sot që po botohet ky shkrim nuk sheh nga njëri sy)