"UNDP dhe Koha Ditore bëjnë kërdi me krim të organizuar"
Shkruar nga Isa Mulaj
Çfarëdo përpjekje e EULEX-it, institucioneve të Kosovës, iniciativave qytetare, dhe mekanizmave ndërkombëtarë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, do të jetë e barabartë me 0,0 nëse caku i kësaj lufte nuk është i drejtuar te Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Koha Ditore.
UNDP është organizatë ndërkombëtare sikur Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Për ata që nuk janë të njoftuar rreth profilit të tyre, por edhe ata që i njohin veprimtaritë e tyre më në detaje, mjafton të bëhet një dallim i vogël dhe i shkurtë ndërmjet tyre. UNMIK është mision kryesisht politik, ndërsa UNDP ka mision të zhvillimit, qoftë ai edhe i arrestuar. Në përkufizimin më të thjeshtë, UNDP është UNMIK-u ekonomik.
Kundër UNMIK-ut ka pasur akuza, hetime, dënime për korrupsion (sado të parëndësishme të kenë qenë ato), grafite, protesta, shfryrje të gomave, dërgim të sanës, gjuajtje me mbeturina, dhe spërkatje të ndërtesave të tij me lëngun e plehut natyral. Sidoqoftë, të gjitha këto nuk kanë qenë as për së afërmi ndaj asaj që ndoshta e ka merituar UNMIK-ku si organizatë kryesisht politike.
Kundër UNMIK-ut ekonomik ose UNDP-së në Kosovë deri më sot nuk ka pasur kurrfarë hetimi, askush nuk është dënuar, asnjë ndërtesë e saj nuk u spërkat me pleh natyral dhe nuk u gjuajt me mbeturina, përkundër se krimi i organizuar, korrupsioni, diskriminimi, dhe nepotizmi kanë qenë dhe janë më prezent në UNDP. Në vijim po u sjellim dëshmi se si funksionon ky sistem ndërmjet UNDP-së dhe gazetës Koha Ditore. Është rast që ka të bëjë me juve, e jo me mua. Por, duke e vërejtur se ju sa herë bisedoni me mua (disa prej jush, jo të gjithë) nuk leni të zezë pa më treguar për korrupsionin dhe krimin e organizuar në USAID, UNDP, Bankën Botërore, RTK, Kohën Ditore, e gazeta tjera, rrallë herë e keni bërë publike ndonjë dëshmi. Një shembull të tyre po e bëjë publik unë. Kur them publik, në disa raste duket shumë paradoksale. Për shembull, shpalljet e UNDP-së të botuara në Kohën Ditore janë publike, por, publiku kosovarë me tepër se për çdo gjë sekrete, ka nevojë elementare të njihet me gjëra të cilat janë tepër publike.
Shpalljet e shumëfishta të UNDP-së në Kohën Ditore si shpërlarje e parave
Ju me siguri jeni të njoftuar se disa gazeta në Kosovë financohen nga favorizimi me reklama i subjekteve të caktuara politike, qofshin qeveritare apo në opozitë, grupet e huaja (si p.sh. financimi i BIRN-it), donatorët, njerëzit e mirë, por edhe matrapazët, hajdutët, kriminelët, e kështu me radhë. Në shumicën e ankesave dhe raporteve që vijnë nga organizatat e huaja, ambasadat e shteteve të jashtme në Kosovë (sidomos ajo e SHBA-ve), BIRN-i, UNDP, na tregojnë shpesh se qeveria e Kosovës po bënë një diskriminim të papranueshëm në favorizimin me reklama dhe shpallje në gazetat e saj, Infopress dhe Epoka e Re. Të njëjtat subjekte që ankohen për diskriminim në reklama, nuk janë dëgjuar kurrë të përmendin ndonjë diskriminim të ngjashëm në gazetat tjera. Nëse ju i përmendni reklamat në Kohën Ditore në kontekst të ngjashëm, ekziston rreziku që vendorët e USAID-it, UNDP-së, Luan Shllaku i KFOS-it, dhe Bankës Botërore, të provojnë tua heqin kokën, vetëm nëse nuk munden. Sa janë të drejta shpalljet e UNDP-së në Kohën Ditore, dhe për çfarë qëllimi bëhen ato?
Çdo vështrim i zakonshëm në shpalljet e botuara në Kohën Ditore, shpesh ti vret sytë me shpalljet e UNDP-së, sikur në Infopress të qeverisë. Për Infopressin është thënë se favorizohet nga qeveria, e për Kohën Ditore nga UNDP-ja kurrë. Qëllimi ynë këtu nuk është të bëjmë krahasime rreth frekuencës së reklamave në Infopress nga Qeveria, dhe në Kohën Ditore nga UNDP-ja. Mjafton të njihemi me diçka të pazakontë, por gjithsesi publike me të cilën publiku kosovarë duhet të informohet për herë të parë.
Shpesh herë, UNDP boton shpalljet e saj të njëjta në Kohën Ditore, brenda një dite, dhe brenda një faqe, me të njëjtin format. Lexuesi ka dy opsione: së pari, ta lexoj njërën shpallje të UNDP-së në anën e majtë të faqes; dhe së dyti, të zgjedh shpalljen tjetër të UNDP-së në anën e djathtë te të njëjtës faqe, me të njëjtin format, dhe me përmbajtje 100% sikur ajo në anën e majtë. Shpalljet majtas dhe djathtas në të njëjtën faqe nganjëherë zëvendësohen lartë-poshtë. Kjo traditë vazhdon të përsëritet për një kohë të gjatë nga UNDP-ja në Kohën Ditore. Mbledhja, skanimi dhe dërgimi me postë elektronike i të gjitha shpalljeve të tilla të dyfishta, është i pamundur. Edhe gjurmimi i arkivës së Kohës Ditore për fotokopjimin e shpalljeve të tilla të dyfishta, merr kohë. Ka edhe raste kur shpalljet e njëjta të UNDP-së brenda një numri të Kohës Ditore, botohen në faqe të veçanta. Pyetja është: Në cilën gazetë të botës e keni hasur këtë sistem reklamimi të shpeshtë dhe dyfishtë sikur në Kohën Ditore? Jam i bindur se në asnjë. E atëherë, cili është qëllimi i këtyre shpalljeve të dyfishta? Përgjigja e vetme: Shpërlarja e parave nga UNDP-ja në llogari të Kohës Ditore.
Çka ka rëndësi për juve si lexues nëse e njëjta reklamë në formë teksti botohet në të njëjtën faqe dy herë, tri herë, ose dhjetë herë me përmbajtje 100% të njëjtë? Ta mbani një pjesë të shpalljes për vete, dhe tjerat ti preni me gërxhorë tua shpërndani të tjerëve, a po? A mendoni se Koha Ditore ka menduar pikërisht kështu që ta zvogëloj shitjen e tirazhit të saj? Kurrsesi. E pra, cili qenka qëllimi i reklamave të dyfishta? Përgjigja: Hapësira për reklama në gazetë kushton dhe paguhet. Çdo gazetë është në gjendje tua botoj të njëjtën reklamë disa herë brenda një numri. Por kjo nuk ndodhë tjetërkund edhe sikur sponsori të jetë miliarder, me përjashtim të matrapazëve kosovarë në UNDP.
Rasti më i fundit i biznesit të jashtëligjshëm UNDP-Koha Ditore, është i datës 09 dhe 10 qershor 2010. Po e marrim edhe një shpallje të rastit të datës 18 qershor 2009 për krahasim, të cilën po e bashkëngjitim për shikimin tuaj, dhe si dëshmi ta vërtetoni në arkivat e Kohës Ditore. Shpallja është në gjuhën angleze. Çka shihet aty?
E njëjta shpallje e UNDP-së dhe Sorosit në dy korniza, njëra lartë, e tjetra përfundi saj, ku kërkohet ekspert i diasporës ose vendor të punoj si këshilltar i CDF-së (Capacity Development Facility Aftësia e Zhvillimit të Kapaciteteve) në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Personat që i bëjnë këto reklama të dyfishta quhen: Marta Gazideda nga UNDP, dhe Luan Shllaku nga KFOS Soros si intrigant dhe konspirator i Kohës Ditore. Çka tjetër po vëreni në këtë shpallje? Data e botimit të shpalljes është 18 qershor 2009. Afati i fundit për konkurrim është 28 maj 2009, ose fiks tri javë para shpalljes në Kohën Ditore!? Kjo poshtërsi nuk është gabim i rastit por intrigë. Ka ndodhur edhe më herët me shpalljet e UNDP-së kur ato botoheshin në Kohën Ditore, ndërsa afati i fundit për konkurrim ishte disa javë përpara nga data e shpalljes së njoftimit. Kur të doni, shkojmë bashkë dhe e hulumtojmë arkivën e Kohës me bizaritete të UNDP-së në funksion të shpërlarjes së parave edhe me këso shpallje. Më duket se autorët e parë të kësaj teknike në UNDP ishin Flutura Bacaj dhe Anita Smajloviq.
Çka tjetër nuk ka ndodhur me shpalljet e UNDP-së në Koha Ditore? Në shpallje jepet adresa e postës elektronike gabim dhe Mytaher Haskuka thoshte se të interesuarit duhet të konkurrojnë nëpërmjet postës elektronike. Dhe merrni me mend vetëm në gjë interesante këtu. Për dallim nga adresat elektronike në disa faqe, si psh. në Hotmail Yahoo, Gmail kur juve u kthehet njoftimi brenda disa minutave se nuk është shpërndarë porosia e juaj, nga serveri i UNDP-së dhe shumë organizatave tjera, ky problem është krejt ndryshe, dhe më i dëmshëm. Nëse adresa elektronike është gabim, ju merrni një përgjigje pas një ose dy ditëve me përmbajtjen: Delivery to the following recipient has been delayed (Dërgimi te pranuesi i mëposhtëm është vonuar). Ju do të mendoni se keni konkurruar me kohë ose ditën e parafundit dhe se porosia e juaj do të arrij në adresën që ua ka dhënë UNDP-ja. Pas dy ditëve tjera, përsëri i njëjti mesazh u kthehet prapa: Delivery to the following recipient has been delayed. Porosia e tillë vazhdon tu vie në kutinë e postës elektronike deri në afat prej dy javëve, dhe atëherë serveri i UNDP-së nuk u bezdisë më, kur u thotë: Delivery to the following recipient failed permanently (Dërgimi tek pranuesi i mëposhtëm dështoj përgjithmonë). Vetëm tani ju e kuptoni se porosia e juaj nuk ka arritur fare në UNDP, ndërkohë që afati i fundit për konkurrim ishte dy javë më herët.
Në këtë sistem shantazhi elektronik të UNDP-së, përpos Mytaher Haskukës bënte pjesë edhe Flora Kelmendi, motra e Eleonora Kelmendit e cila po ashtu punonte në UNDP në kuadër të CBF-së.
Cili është misioni në praktikë i CBF-së?
Tanimë dihet për nivelin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, dhe pak a shumë e dini se kush e udhëheq e ushqen atë (sikur në rastin e mësipërm). Publiku kosovarë është njoftuar kryesisht vetëm për korrupsionin dhe krimin e organizuar të politikanëve, çfarëdo emri dhe mbiemri të kenë ata, si: Ftamir Limaj, Hashim Thaçi, Bujar Dugolli, Jakup Krasniqi, Isa Mustafa, Lutfi Zharku, Nexhat Daci, etj. Por a i kanë të gjitha fajet këta, apo edhe ndihmësit e tyre si këshilltarë? Nga vijnë ndihmësit e tyre si këshilltarë për korrupsion dhe krim të organizuar? Më së shumti nga CBF-ja. A ka lënë ministri dhe vetë qeverinë e Kosovës CBF-ja pa e infektuar me këshilltarë debila dhe të korruptuar në emër të ndërtimit të kapaciteteve qeverisëse? Gati asnjë. Atëherë, përse nuk hetohet korrupsioni aty ku e ka gjenezën, pra në CBF? Kush janë ata që furnizojnë qeverinë dhe këshilltarë të korruptuar për të shpërlarë para? Marta Gazideda, Luan Shllaku, Eleonora Kelmendi, Krenar Loshi. Shkaqet e korrupsionit dhe kriminalizimit të skajshëm të ministrive dhe qeverisë së Kosovës, gjenden në CBF. Cilën ministri e ka kriminalizuar më së shumti CBF-ja? Atë të Industrisë dhe Tregtisë. Si? Prej se ka hyrë në fuqi marrëveshja e CEFTA-s (a keni dëgjuar për tragjedinë e CEFTA-s në Kosovë?) para afër tri viteve, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu (Ekobiznesi, 1 shkurt 2010, faqe 3), MTI ka dërguar vetëm një letër në Sekretariatin e CEFTA-s dhe më tutje nuk është bërë asgjë. Madje ai thekson se OEK-u i ka shprehur brengat rreth (tragjedisë së) CEFTA-s për Kosovën në Bruksel, por Këshilli i Evropës thotë se, përderisa institucioni i juaj (MTI-a), që është kompetent nuk sqaron dhe nuk propozon zgjidhje, ne nuk mund të veprojmë. Institucioni ynë të cilin e udhëheq Lutfi Zharku, është kompetent për korrupsionin dhe krimin e organizuar së bashku me CDF-në. Luta u këput duke shpërla para, e ju gazetarë të nderuar kontaktoni Isa Mulajn, Safet Gërxhaliun, Lekë Musën se si tia bëjmë me Serbinë dhe Bosnjën rreth CEFTA-s. Luta është bërë milioner dhe tani ka filluar ti shpërlajë paratë. Këtë ia mundësoj CDF-ja kur ia dërgoj Petrit Gashin si këshilltarë, për ti treguar se ku duhet shpërlarë paratë. Dhe ku tjetër do ta këshilloj Petriti Lutën të shpërlajë para pos te ish-shefi i tij Muhamet Sadiku, në emër të Strategjisë për Zhvillimin e Industrisë në vlerë prej 50.000 eurove. Petriti me Muhamet Sadikun kanë përvojë në shpëlarjen e deri në 2,5 milionë euro në emër të Strategjisë për Zhvillimin Ekonomik të Kosovës, strategji e cila një dreq e di se a gjendet kund në sirtarë, dhe e cila më në fund rezultoj në krijimin e Lëvizjes Daut që demaskoj krimin e organizuar. Kur është hetuar ai krim i organizuar, në të cilin më duket se ka marrë pjesë CDF/CBF. Kurrë. Po ky i Lutës? Kurrë. Për çfarë lufte kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e keni fjalën ju dhe EULEX-i?
UNDP dhe Koha Ditore vazhdojnë krimin e organizuar
Po supozojmë se botimi i reklamave të UNDP-së vetëm në Kohën Ditore është diçka në rregull, qoftë edhe i përditshëm. Shpalljet më të fundit të tyre që janë marrë për shqyrtim në këtë artikull, janë të datës 09 dhe 10 qershor 2010. Çka tregon shpallja e datës 09 qershor në faqe 31? Biznes si zakonisht shpallja e njëjtë në dy korniza me përmbajtje të njëjtë, njëra majtas, tjetra djathtas. Qëllimin e këtyre reklamave të dyfishta e sqaruam më lartë dhe nuk do më shumë koment.
Duhet theksuar se shpallja e datës 09 qershor ka vijuar paraprakisht për disa ditë. Dhe në fund çfarë ndodhi? Të nesërmen ose më 10 qershor 2010, në faqe 22, kuptohet në të njëjtën gazetë, UNDP njofton për anulimin e thirrjes për propozime. Edhe botimi i njoftimi për anulimin e shpalljes është diçka që kushton dhe paguhet në Kohën Ditore. Kështu loja e botimit të shpalljeve në vazhdimësi, mandej me shpallje të dyfishta në të njëjtën faqe dhe në faqe të ndryshme por përsëri në të njëjtin numër të gazetës, dhe në fund njoftimi për anulimin e të gjithave, duket si krim i organizuar. Nuk duhet përjashtuar mundësinë se shumë shpallje të UNDP-së nuk kanë fare të bëjnë me projekte konkrete. Ato thjeshtë botohen në një gazetë dhe në fund anulohen sa për ti shërbyer qëllimit kryesor shpërlarjes së parave në llogari të gazetës mission accomplished.
Kur është hetuar legjitimiteti i këtij reklamimi? Kurrë. Cilat masa janë ndërmarrë nga UNDP-ja deri më sot? Asnjë. Kur kanë reaguar Reporterët pa Kufij, USAID-i, Ambasada e SHBA-ve, BIRN-i, OJQ-të, analistët e pavarur ndaj këtij favorizimi, i cili duket i pashembullt në raport me favorizimet e gazetave tjera? Kurrë. Atëherë pyetja logjike është: Kush është imun ndaj ligjit në Kosovë? Disa thonë UNMIK-u, EULEX-i, politikanët kosovarë, dhe mafiozët. Derisa për këta bisedohet ditë e natë, asnjëherë deri më sot nuk është theksuar dhe hetuar se UNDP-ja me të punësuarit vendorë dhe lidhjet e tyre klienteliste dhe nepotiste në Bankën Botërore, qeveri, ministri, KFOS, janë mbi ligjin. Konstatimit i krerëve të shtetit të Kosovës se askush nuk është mbi ligjin, mund të refuzohet kështu: Vetëm edhe buburrecave u ka mbetur të jenë mbi ligjin në Kosovë.