Udhëkryqi fiskal i Kosovës
Shrkuar nga Burim Piraj
Kosova edhe pas dymbëdhjetë vjetësh, ende nuk ka krijuar politika fiskale, të cilat do të mundësonin zhvillim ekonomik dhe shtimin e vendeve të punës.
Qasja e gabuar në atë që quhet lëndë e parë e ka shndërruar Kosovën në një mjedis të pafavorshëm për prodhim, njëherë dhe në një vend i cili konsumon prodhime të huaja dhe e rritë dita ditës papunësinë e popullatës vendore, thjesht parajsë për fabrikat që plasojnë mall në Kosovë, dhe ferr për fabrikat kosovare.
Derisa proklamohet se lirimi i lëndës së parë nga taksa doganore për produkte, siç është mishi, p.sh. do të ndikonte direkt në pengimin e zhvillimit të blegtorisë e njëjta politikë nuk përdorët kur është fjala për produktet finale të mishit që kanë vërshuar Kosovën, nga Bosnja, Serbia, Maqedonia etj.
Produktet finale vazhdojnë të mos paguajnë taksë doganore, nga të gjitha vendet e CEFTA-s, me arsyetimin se Kosova është anëtare e kësaj organizate, dhe nuk mund të vendoset taksë në produktet që kanë origjinë nga këto vende me arsyetimin e njëtjtë, po autoritetet nuk kanë pengesa ligjore që të vazhdojnë taksimin e lëndës së parë në këtë rast të mishit.
Dihet shumë mirë se Kosova, prodhim vendor të gjedheve nuk ka, ose të themi e ka shumë të kufizuar, dhe se gjedhet importohen kryesisht nga vendet e rajonit.
Gjithashtu prodhimi i zogjve të pulës, është shumë i vogël përkrah kërkesave në tregun tonë, prandaj krahasimet e tilla janë jo reale dhe arsyetimi i mos lirimit nga taksa i lëndës së parë e nga ana tjetër lejimi i produkteve të mishit nga vendet rrotull Kosovës të importohen pa taksë është i pa arsyeshëm njëherë dhe shumë i keq sa i përket politikave të cilat do të hapnin vende të reja pune.
Jo vetëm mishi po çfarëdo produkti që importohet në Kosovë me qëllim të prodhimit apo përpunimit të mëtejmë, duhet ti hiqet taksa doganore.
Edhe pse nga agjencitë qeveritare, kjo heqje e taksës po konsiderohet si humbje buxhetore, realiteti është krejt tjetër, sepse përfitimi do të shihet pas disa viteve dhe do të jetë shumë më i madh sepse do të mundësohet punësimi i popullatës gjë që sipas raporteve të fundit shkalla e papunësisë në vendin tonë ka arritur në 48 % dhe së dyti nga TVSH-ja e brendshme, tatimi në paga dhe tatimi në fitim do të krijohen të hyra buxhetore shumëfish më voluminoze në krahasim me të hyrat e stilit si ta plotësojmë buxhetin sivjet, më tutje daltë ku daltë.
Situata e pafavorshme për investime në Kosovë nuk është e tëra si rezultat i qeverisjeve të deritanishme, por kjo është e lidhur direkt dhe me shoqatat e biznesit, të cilat shumë shpesh sponsorizojnë çështje, që kanë të bëjnë me interesa të politikës ditore, në vend të atyre çështjeve të cilat do të ndikonin në zhvillimin e mirëfilltë të biznesit.
Sot prodhuesi vendor kosovar, as që mund mendoj globalisht, se lëre më të merr hov global, sepse është i përballuar me energji me kosto shumë të lartë, me kapital shumë të shtrenjtë, me politika fiskale të pafavorshme, dhe gjithashtu me qasje shumë negative nga qarqe dhe individë e ndryshëm, që nuk kanë vizion për krijimin e një ambienti të vërtetë për investime në Kosovë, por thjesht merren me gjëra të cilat vazhdimisht po i pengojnë proceset zhvillimore.
Mirëpo, pasojat e një politike të tillë fiskale, normal që janë të parashikueshme. Me një politikë kësisoj sigurisht do të ketë rritje të papunësisë dhe të varfërisë, ashtu siç ka pas këtë vit e që do të ketë dhe vitet në vijim.
Prandaj, koha është që të ndalemi, koha është që ti lemë inatet anash, është koha e bashkëpunimit dhe e pranimit të mendimit ndryshe. Të mendojmë ndryshe dhe të krijojmë ndryshe, të shkojmë përpara, sepse ne jemi bartës të zhvillimeve dhe të ndryshimeve të vendit tonë.
Nëse unë e kam mendimin e gabuar, atëherë le të më përmirësojnë të tjerët, por të tentojnë mendim ndryshe së paku njëherë, dhe do të shohin se sa kanë vuajtur nga monizmi. Ne jemi shtet i ri, dhe e kemi më lehtë se të gjithë kombet tjera. Nuk kemi nevojë të eksperimentojmë, por thjesht, ne mund ti marrim praktikat e mira nga të tjerët dhe ti zbatojmë për të mirën tonë.