26 Dhjetor 2024

Turruni dhe shkatërroni çdo gjë, ende pa përfudnuar ndërtimi

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Pas Kuvendit, u bë edhe Qeveria: Me njëqind mijë probleme u zgjodhën organet drejtuese të Kuvendit ndonëse opozita e pabashkuar bëri çmos që të pengojë këtë anipse ishte interes i opozitës të votojë kryetarin e Kuvendit dhe të bëjë përpjekje për ta formuar Qeverinë.

Opozita nuk kishte asnjë mundësi të pengojë kandidatin e pozitës për kryetar të Kuvendit sepse Kushtetuta e Kosovës shprehimisht i njeh këtë të drejtë kandidatit që propozohet nga pozita.

LV, edhe në mandatin e kaluar nuk e votoi Veseli për kryetar të Kuvendit dhe kjo nuk më habitë fare kurse veprimi i LDK-së, me ata dy shtegtarët politikë, me emër të madh si Alternativa ndonëse nuk janë në gjendje të ofrojnë asnjë alternativë përveç interesit personal që për mrekulli e kanë materializuar, kudo që i kanë pasur çadrat.

LDK, e deklaruar si parti institucionaliste i është nënshtruar tekeve personale të një politikani në ikje të cilin e kanë përkrahur një grusht politikanësh të parapaguar në poste duke krijuar monopol absolut mbi një subjekt politik që ka luajtur rol me rëndësi në zhvillimet politike në Kosovë, që nga viti 1989 e deri më sot, qoftë në kontekstin negativ apo pozitiv.

Një deputet i AKR, Korab Sejdiu doli publikisht kundër koalicionit PANA dhe kundër subjektit ku i fitoi votat, AKR, duke deklaruar se në asnjë rrethanë nuk e voton kryetarin e Kuvendit e as Ramush Haradinaj për kryeministër.

Ashtu edhe bëri dhe pas votimit u lavdërua para opinionit që e paska mbajtur fjalën e dhënë thuaja se ishte i thirrur ta mbrojë Kanunin e Lekë Dukagjinit e jo të kontribuojë në formimin e institucioneve të Kosovës, për çka edhe e ka fituar mandatin.

Dy parti, të armiqësuara deri dje u bënë bashkë, jo për të ofruar një mundësi më të mirë për qytetarin por për ta dërguar PDK në opozitë e që nuk ia dolën, as për herë të dytë. Doli se më lehtë u zgjodhë kryetari i Kuvendit se Qeveria dhe Ramushi, kryeministër.

Si armë jashtëzakonisht e stërpërdorur nga opozita me të cilën kundërshtohej Ramush Haradinaj, kryeministër, ishte vartësia e koalicionit nga Lista Serbe duke e bërë njëfarë mënyre Aleksansër Vuçiqin kryeministër të vërtetë të Kosovës kurse Ramushin zëvendës të tij.

Poshtërsia nuk ka kufi, mund të jeni i poshtër dhe më i poshtër. Dihet botërisht se me kryeministër Ramush Haradinaj nuk jam në dashuri të madhe, kam rezerva edhe tani por kjo nuk më lejon në asnjë mënyrë ta kundërshtojë luftën dhe sakrificën e madhe që e kanë bërë Ramushi, Dauti, Shkëlzeni, Luani dhe mbarë familja Haradinaj.

Po flas për periudhën e luftës çlirimtare dhe jo ate pas vitit 1999. Të thuani se Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, Hasha dhe të tjerët i kanë rënë në gjunj Serbisë, se janë dorëzuar para Vuçiqit dhe se e kanë tradhëtuar Kosovën është manipulim i skajshëm dhe një gënjeshtër që nuk kapërdihet.

Këtë e bëjnë kryesisht ata që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për këtë vend madje, familjarët apo edhe vet ata kanë qenë në anën tjetër duke i shërbyer Vuçiqit, si zëdhënës i Sheshelit dhe Millosheviqit si dhunuesit më të madh të drejtave të shqiptarëve. Këta që i përmenda mund t’i kundërshtoni për periudhën e pasluftës por, nëse i akuzoni për tradhëti kombëtare , atëherë seriozisht duhet të brengoseni për shëndetin tuaj.

Shtrohet një pyetje e thjeshtë ; ku ishit ju që me aq paturpësi i akuzoni për tradhëti ata që u gjakosën, u plagosën, mbetën pa gjymtyrë kurse shumë familjarë iu vranë dhe masakruan nga pikërisht këto forca të cilave sot, sipas juve po iu nënshtrohen, duke iu rënë në gjunj ?!

Ishit, së bashku me mua në kampet kufitare në Jazhince dhe Han të Elezit, në përpjekje për ta shpëtuar lëkurën dhe familjen.

Po këta që aq paturpësisht po i sulmoni, a kishin lëkurë të vet dhe a kishin familje ?! Pse lëkura jonë që ikëm me bisht ndër shalë qenka më e vlefshme se lëkura e tyre dhe pse familjet tona qenkan më të vlefshme dhe më të dashura se familjet e tyre?

Zakonisht, frikacaku dhe i pabesi sulmon trimat dhe sakrifikuesit, është nevojë e kompensimit ate që nuk e ke apo shërim i kompleksit të inferioritetit.

 Përpjekja për ta devalvuar dikend në baza intelektuale është racizëm i vërtetë sepse jo të gjithë i kanë pasur baballarët dhe majkat funksionarë dhe këlyshë të Titos dhe Millosheviqit ngase janë përcaktuar për një rrugë të sakrificës dhe të ndritshme e që do të duhej të ishte detyrim i të gjithëve që e duan lirinë.

Racizëm është edhe qëndrimi ndaj serbëve të Kosovës, pavarësisht në cilën listë janë dhe paragjykimi se ata do të punojnë kundër Kosovës dhe se do ta sjellin Serbinë në Kosovë.

Nëse është ky mendim i përgjithshëm, atëherë nuk është dashur të lejohen të jenë pjesë e institucioneve.

Që pafytyrësia të jetë edhe më e madhe, subjektet kundërshtuese kundër serbëve të angazhuar politikisht në Kosovë e që e kanë përkrahur pozitën, po të njëjtit i kanë lutur këta politikanë serbë të bëhen pjesë e tyre e që nënkupton që e kanë pranuar autoritetin e Vuçiqit, Vulinit dhe Gjuriqit, si mjet për të ardhur në pushtet.

Ju kujtohet kur e larguan Jabllanoviqin nga qeveria e Kosovës; nëse e ktheni filmin mbrapa nuk e vëreni se kush ka qenë më i trishtuar dhe më i mërzitur, Jabllanoviqi apo ata që e “ larguan “.

E akuzuan Ramushin dhe të tjerët se e pritën Listën Serbe për të votuar kurse nuk e përmendën se edhe në mandatin e kaluar e pritën Listën Serbe për të votuar.

Çfarë morali politik dhe jo vetëm politik është ky?! Po ta donin seriozisht Kosovën LV dhe LDK, me dy dallëndysht shtegtare politike dhe Korbin e Kanunit, pikërisht në kohën kur Lista Serbe ishte në Beograd, LV dhe LDK do ta votonin Qeverinë Haradainaj 100% dhe do të kalonin në opozitë. Po të vepronin kështu, në zgjedhjet e radhës, LV dhe LDK do të fitonin së paku 80% të votave kurse pozita e sotit do të margjinalizohej deri në zhdukje.

Për më keq, deri sa serbët, duke qëndruar gatitu gjatë intonimit të himnit të Kosovës, respektuan institucionet, opozita e pabashkuar e lëshoi sallën duke i injoruar institucionet shtetërore ndërsa nuk i injorojnë pagat dhe të mirat tjera, po nga ky shtet.

Folësit nga opozita nuk e njohin institucionin e kryetarit të Kuvendit dhe as të Kryeministrit ndërsa i njohin të mirat nga ky shtet.

Është i pakuptueshëm fakti se sa me energji negative diskutojnë kundër bartësve të institucioneve të Kosovës dhe sa hapësirë i japin anarkisë, para demokracisë!

Nëse LV ka të drejtë të kërkojë zbardhjen e vrasjeve të pasluftës sepse vazhdimisht ka kërkuar këtë duke këmbëngulur në formimin e një komisioni të tillë atëherë pikërisht ishte LDK (në pushtet) që e kundërshtonte formimin e këtij komisioni kurse sot, Avdullah Hoti, që për më shumë se tre vite ishte pjesë e Qeverisë ku kryeministër ishte Isa Mustafa i LDK dhe ministër për Punë të Brendshme ishte Skender Hyseni i LDK –së gjithashtu do të jetë këmbëngulës dhe nga kryeministri Haradinaj do të kërkojë zbardhjen e këtyre vrasjeve!

Njeriu, qoftë edhe nëse është politikan duhet ta ruaj një minimum të korrektësisë, edhe gjatë kërkesave të cilat i keni refuzuar t’i realizoni dhe e keni pasur për detyrë.

A t’i besojmë Avdullah Hotit sot se është serioz dhe i sinqertë në kërkesat që i parashtron, si pjesë e opozitës apo t’i besojmë Avdullah Hotit kur ishte pjesë e pozitës dhe nuk bëri asgjë për zbardhjen e këtyre rasteve dhe madje i pengoi këto zbardhje ?!

Avdullah Hoti, por edhe opozita e pabashkuar do të dilnin më serioz dhe do të gjenin përkrahje nëse e luajnë rolin e një opozite konstruktive që me sjelljet dhe angazhimin e saj do të korigjonte gabimet e pozitës dhe në rast se pozita dështon në përmbushjen e premtimeve, atëherë ta kërkojnë mocionin e mosbesimit dhe rrëzimin e qeverisë për çka do ta kishin përkrahjen e gjërë.

Në kontekstin aktual politik, opozita e pabashkuar e ka të vështirë, mos ta them të pamundur ta rrëzojë qeverinë Haradinaj pa ndihmën e Lista Serbe dhe Vuçiqit.

Është shokues, paragjykues dhe jashtëzakonisht i dëmshëm, në shtetet normale edhe i dënueshëm pohimi i kryetarit të LDK –së në ikje se LDK nuk do ta votojë asnjë ligj që propozohet nga kjo Qeveri në kohën kur i gëzon të gjitha përfitimet materiale, politike, statusore pikërisht në bazë të ligjeve që janë miratuar në këtë Kuvend për të cilin kërkon të sabotohet mbase për t’ia shkurtuar jetën qeverisë Haradinaj.

Për këtë është vështirë të ipet një vlerësim që do të mbështetej në fakte. E kam përkrahur botërisht Isa Mustafën në kohën kur është votuar mocioni për mosbesimin e qeverisë Mustafa duke thënë se nuk ka asnjë arsye të rrëzohet kjo qeveri dhe po del se kam gabuar në vlerësim.

Po del se inati personal i rrëzimit të Isa Mustafës qenka mbi interesin e LDK-së, institucioneve të Kosovës dhe interesit të qytetarit të Kosovës.

Kjo do të jetë shkatërruese për LDK dhe çdo përpjekje të krijimit të një lideri karizmatik sipas masës dhe dëshirës së Isait në personalitetin e projektuar të Avdullah Hotit do të jetë dështim i plotë sidomos për Avdullah Hotin i cili, sikur peshku losos që noton kundër rrjedhave të ujit në përpjekje për të krijuar trashigimtarë përfundon tragjikisht, ose i përmbushin nevojat e arinjve si rezerva ushqimi për kohën e dimrit, ose përfundojnë në fund të ujërave. Edhe Avdullah Hoti, nëse pranon të veprojë sipas telepilotit të Isës, fundin do ta ketë të keq.

Nuk i shkojnë për natyre Avdullah Hotit kërcënimet dhe fjalori i dhunshëm sepse është i mbushur me një përmbajtje jo të dhunshme. Vetëm ambalazhimin dhe fjalorin e ka të dhunshëm. Edhe ashtu, krokodilët tradicionalë të parapaguar për karrierë dhe poste në LDK, në rastin vendimtar do ta largojnë nga karrika numër 1 të LDK –së, Dullën e indoktrinuar dhe të magjepsur nga madhështia e të qenit lider në kohën kur nuk keni gjasa reale të bëheni të tillë. Nëse jeni nën hije të dikujt, atëherë është e kotë të prisni se do t’ju ngrohë dielli!

Ishte një shqetësim dhe brengë e opozitës se Ramush Haradinaj nuk është uruar nga askush për postin e kryeministrit.

Në fakt, ishte një dëshirë që të ndodhë diçka e tillë e që nuk ndodhi aq më parë që Veseli dhe Haradinaj u uruan nga të gjithë përfshirë edhe ata që “vrajnë e kthjellin“ në Kosovës të cilëve, të gjithë ua marrin patin përfshirë këtu edhe opozitën e pabashkuar që shumë gëzohen kur e marrin një përkrahje nga ta kurse jashtëzakonisht shumë gëzohen kur takohen me ta sikur që e kaluara e raporteve të tilla kur nuk ishin në dashuri ka ndodhur në kohën e neolitit dhe jo në Kosovë por në Afganistan apo Korenë e Veriut.

Ramush Haradinaj ka qenë shumë praktik në hapin e parë e cili është se nuk mund të merreni me punë të tjera para se ta pastroni oborrin tuaj.

E pastroi ndërtesen e qeverisë, e rregulloi oborrin qeveritar për të vazhduar në realizimin e premtimeve që i ka dhënë. Se a do t’i përmbush këto premtime, mbetet të shifet, koha do të dëshmojë këtë.

Prandaj duhet të përkrahet, së paku për 100 ditët në vijim kur shumë gjëra do të duken. Është shumë vështirë të ndërtohet diçka, kurse është shumë lehtë të rrënohet ajo që e keni ndërtuar me shumë gjak, vuajtje dhe sakrifica.

Në këtë kontekst, i kam rezervat e mia, mund të dyshoj në suksesin apo dështimin e qeverisë Haradinaj mirëpo nuk kam të drejtë të paragjykoj apo të bëhem pjesë e rrënimeve që po paralajmërohen nga opozita e pabashkuar.

Ramush Haradinaj mund të dështojë 100% në përmbushjen e programit qeveritar por, Ramush Haradinaj nuk mund të bëhet tradhëtar dhe të gjunjëzohet para Serbisë dhe askujt tjetër. Për këtë nuk kam dilemë.

Opozita e pabashkuar nuk duhet të përdorë fjalë të mëdha si tradhtar etj. para se ta marrin një shkop dhe ta shprushin të kaluarën e vet. Nëse e bëjnë këtë, fjala tradhëtar do ta humbë kuptimin duke iu kthyer si bumerang.

Nuk e besoj se Ramushi do t’i lejojë ministrat të sillen si tereqët e Banatit dhe se Begj Colli do mund të sillet sikur ta kishte çliruar Kosovën.

Përkraheni këto 100 ditë e mos ia bëni sikur Isës të cilin nuk e lejuat ta ketë një ditë të qetë për punë madje as të shkojë në abdes-hane, pa u sulmuar.

Ramushin nuk mund ta rrëzoni nëse ai nuk e rrëzon veten. Gjasat janë 50 % me 50 % por pas 100 ditëve, jo më parë. Mësohuni t’i respektoni institucionet dhe ata që janë në krye të tyre nëse doni që edhe juve t’ju respektojnë, kur të vini në pushtet! Nuk ka rrugë tjetër! 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)