22 Dhjetor 2024

Turqia si model, pranvera arabe dhe çështja armene

Shkruar nga  Faton Abdullahu

Me atë që po bën kohëve të fundit Franca rreth rasti të armenëve, apo thënë më konkretisht rreth asaj që, disa, të cilët nuk janë të paktë e quajnë gjenocid turk, konkretisht gjenocid të Perandorisë Osmane, kundër armenëve, ka ngjallur indinjatë të thellë tek turqit e më së shumti te lideri aktual i tyre Rexhep Taip Erdogan. Kjo nuk është diçka e panjohur.

Problemi i pranimit të krimit që është bërë kundër armenëve, është diçka që herë pas herë, është  përmendur nga perëndimorët, por kjo nuk ka shkuar më tutje për të bërë çështje dhe për tu ngritur në problem konkret.

Në anën tjetër Turqia zyrtarisht vazhdon ta mohoj një akuzë të tillë, duke e reduktuar numrin e të vrarëve, me çka edhe mbrohet nga akuza se ky krim kishte përmasa të gjenocidit dhe gjithashtu mundohet ta amortizoj kërkesën se ky gjenocid duhet së pari të pranohet dhe njihet ashtu si është bërë dhe më pas ti bishtnoj  kërkesës për të kërkuar falje.

E gjithë kjo më së paku ju ka dashur Turqisë në këto rrethana. Turqia është nisur tash sa kohë me një politikë unike, kreator i së cilës është Daoutoglu, ministër aktual i punëve të jashtme të këtij shteti, politikë e cila qëllim kishte parimin ‘ zero probleme’ me fqinjët.

Kjo është kalkuluar me të drejtë dhe mirë. Nëse Turqia do që të ketë sukses në politikën e saj të jashtme, nëse do që të del dhe shtrihet me interesat e veta në rajon dhe përtej rajonit, ajo në rend të parë duhet të ketë raporte jo konfliktuoze me fqinjët e më pas duhet ato ti përmirësoj deri në shkallën që mund të quhen marrëdhënie të mira.

Këtë ka kohë që Turqia mundohet ta bëjë. Ka një përjashtim në këtë, ajo ka prishur marrëdhëniet me Izraelin, me të cilin shtet më parë kishte marrëdhënie të mira, të cilat ishin ngritur deri në atë fazë, falë logjikës, miku i mikut tim është edhe miku im. Dihet se Izraeli është mik i mirë i SHBA-ve.

Por kjo punë ka ndryshuar, sidomos pas vrasjes se shtatë ushtarëve turq në anijen që bartte të mira humanitare dhe refuzimit kokëfortë të Izraelit që të kërkoj falje për këtë. Por duket se kjo hapi dyer të tjera për Turqinë.

Ajo filloj të ketë gjithnjë e më shumë raporte të mira me botën arabe. Roli i saj sidomos u rritë me rastin e ‘pranverës arabe’ me ç’rast Turqia filloj të jetë më aktive dhe të invoilvohej në mënyra të ndryshme në përkrahjen e forcave opozitare që po përmbysnin diktatorët anekënd botës arabe.

Një qëndrim i tillë i koordinuar i Turqisë me SHBA-t dhe me forcat tjera perëndimore po vërehet edhe tani konkretisht dhe me rezultate, sidomos ndaj Sirisë, apo thënë më mirë, ndaj përpjekjes për ta ndëshkuar diktatorin Bashar dhe për ta përkrahur opozitën e cila po bënë përpjekje të pandalshme për ta sjellë një sistem dhe frymë të re në këtë shtet, kohë të gjatë diktatorial, udhëhequr nga Bashar al Asad i cili pushtetin e ka trashëguar nga babai i tij, gjithashtu kohë të gjatë në pushtet në këtë shtet të rëndësishëm gjeostrategjik.

Duke pasur parasysh atë që po mëton Turqia të jetë, një vend demokratik, të ketë raporte të mira me fqinjët, të ketë raporte ekstra të mira me SHBA-t, ta shtrijë ndikimin e saj edhe përtej rajonit të vet dhe në fund të bëhet edhe anëtare e BE-së, ngritja e çështjes armene në mënyrën sikundër e bëri Franca, është një goditje e ndjeshme, për të gjitha këto përpjekje.

Turqia nuk është pa probleme, ajo është e vetëdijshme për këtë. Edhe përkundër parimit të Dautogllut ‘zero probleme’ me fqinjët Turqia ka problem të madh me grekët rreth Qipros, por tash sa kohë ky problem ka rënë në një lloj ‘kllapie’.

Për më shumë ajo ka probleme edhe më të mëdha me separatistët kurdë përbrenda Turqisë të cilët nuk janë pak e me të cilët Turqia duket se ka vendosur ti qëroj hesapet me armë. Hapja e çështjes armene tani dhe në këtë mënyrë, do ta shtoj edhe një barrierë të madhe para Turqisë, nëse ajo ende dëshiron ta mbaj të njëjtë tempon e rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.

Por hapja e kësaj çështje ndikon edhe në një çështje tjetër e cila nuk e afekton vetëm Turqinë. Kjo është prishja e imazhit, degradim jo i vogël i një shteti i cili në të njëjtën kohë është shtet me shumicë myslimane, shtet i madh dhe i fortë në shumë aspekte, një partner krucial i perëndimorëve në atë pjesë të botës, por çka është kryesorja është edhe shtet që gjithnjë e më shumë po e ndërton demokracinë dhe po mundohet që të gjeneroj paqe dhe stabilitet.

Me një fjalë kjo e dëmton atë që vetë bota perëndimore po mundohet ta prezantoj Turqinë si një model për shtetet të cilat janë prekur nga ‘pranvera arabe’. Që Turqia të jetë një model, si një shtet mysliman dhe demokratik, është shumë e nevojshme për botën arabe dhe për perëndimorët. 

Eshtë shumë e nevojshme për këtë botë për ta ndezur një dritë në tunelin e errët, për ta ndezur një dritë orientuese në oqeanin e trazuar politik të botës arabe dhe më gjerë të shteteve të cilat i takojnë qytetërimit islam.

Që kjo të pulsojë aktive, nuk është aspak e lehtë për Turqinë. Unë nuk pajtohem me një analist të revistës së mirënjohur ‘The economist” i cili konstatoj ditë më parë se, nëse Turqia do që t’i ketë punët mirë me perëndimorët, duhet ti ketë marrëdhëniet gjithashtu të mira me Izraelin. Jo detyrimisht do thosha.

Për më shumë një raport jo fort i shkëlqyer i Turqisë me Izraelin, nuk do ti prishë shumë punë raporteve gjithnjë e më të mirë të Turqisë me shumë shtetet të botës arabe, përkundrazi do ta bëjë paksa më të pranueshme para tyre prirjen e saj për tu parë si shtet model, sidomos nga ata që pas ‘pranverës arabe’ me urgjencë janë duke kërkuar modele të demokracisë, për shoqëritë e veta kohë të gjatë nën diktatura autokratike.

 Thënë përmbledhtazi Franca, duke e ngritur çështjen armene kështu sikundër e ngriti pardje e që i bije akuzë e rëndë për të tashmen dhe për të kaluarën e  Turqisë, nuk po e ndihmon Turqinë jo vetëm që të rrugëtoj drejtë BE-së për çka francezët kanë shfaqur shpluar rezervat e tyre, por po e davaritë edhe përpjekjen amerikane dhe të shumë vendeve perëndimore, që ta paraqesin Turqinë si vend model në këtë kohë kur bota arabe e kërkon dhe ka nevojë për një gjë të tillë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)