06 Janar 2025

T’ua kthejmë Republikën qytetarëve

Shkruar nga Margarita Kadriu

Tetë vjet më parë, njerëzit e këtij vendi ishin më entuziastë se kurrë. Tetë vjet pas, rrallë gjen dikë të kënaqur e optimist. Kosova e shpalli pavarësinë, të cilën, si shumëçka tjetër në shtetin e ri, e privatizuan mafiozët e politikës.

Kështu, oligarkët e pushtetit e mbajtën peng lirinë dhe demokracinë e sovranit, ia rënduan jetën hap pas hapi, ditë pas dite, vit pas viti. Sot jemi më të varfrit e më të papunët në Evropë, ndër më të korruptuarit në botë, të izoluar dhe me imazh tepër të përkeqësuar.

Zakonisht, kur mediat e njohura ndërkombëtare portretizojnë Republikën tonë, e cilësojnë atë si “ shteti që udhëhiqet nga gangsterët, banditët dhe të dyshuarit për krime”.

Tetë vjet kemi shpresuar më kot se gjërat do të ndryshojnë, shteti do të rimëkëmbet e do të forcohet, institucionet do të jenë në shërbim të qytetarëve, por në fakt ndodhi e kundërta.

Pavarësimi u shërbeu liderëve autoritarë e mbi ligjin , të forcojnë edhe më tepër pashallëqet e tyre të pista, të zgjerojnë rrjetet klienteliste të kriminalizuara dhe të fryjnë xhepat e kontot e tyre me dhjetëra e qindra milionë euro të dyshimtë.

Disa politikanë që kanë vulën e vet të ligë në vendimet që janë marrë gjatë kësaj periudhe nuk ia dinë as fundin pasurisë së tyre që, sipas të gjitha gjasave, vetëm e ligjshme nuk është. Mjafton një hetim i pavarur nga ndonjë prokuror i guximshëm, për të nxjerrë të vërtetën e këtij pasurimi kriminal, dëshmitar i të cilit mund të jetë secili individ i kësaj shoqërie të sunduar.

Në këtë tetë vjetor, shoqëria kosovare gjendet në udhëkryqin e madh të kohës, mes vazhdimësisë së keqqeverisjes, sundimit të urryer, korrupsionit dhe zhvatjes në njërën anë dhe hapjes së perspektivës, rrëzimit të regjimit me protesta dhe rilindjes së Republikës së mirëfilltë  të qytetarëve, në anën tjetër.

Është hera e parë, që përvjetorin e pavarësisë e presim me një indinjatë masive, zhgënjim, mllef e revoltë, pakënaqësi të thellë. Pjesa dërrmuese e kosovarëve, sot nuk kanë alternativë tjetër, përveç daljes në protestë, shfrytëzimit të kësaj të drejte demokratike, të cilën pushteti dëshiron ta mbysë me dhunë policore, duke prangosur deputetët e duke rrahur kundërshtarët politikë.

Pas tetë vjetësh, në pushtet kemi ende një Qeveri që e ka shkelur me dhjetëra herë Kushtetutën dhe kërkon miratimin e sovranit për tradhtinë e saj. Fatkeqësisht, sot i kemi në krye të shtetit dy liderë makiavelistë, që bëjnë çdo Pazar të mundshëm, për të shpëtuar lëkurën e vet (ndofta ) të inkriminuar, për të ruajtur karrigen e pushtetit, luksin, tenderët, zhvatjet, korrupsionin…

Ma gjeni një sektor, ku gjendja është të paktën e kënaqshme. Shiheni çfarë i ka bërë pushteti kriminal arsimit. Falë mungesës së kritereve dhe moszbatimit të ligjit, sot diploma është një mall për shitblerje, në të shumtën e rasteve pa vlerë që nuk të garanton punë dhe  nuk të përgatit për tregun e punës.

ektori arsimor është shndërruar në oazë skandalesh, siç është rasti i aferës së librave, ku rrjetet kriminale dyshohet se përfituan kundërligjshëm përmes zhvatjes së disa dhjetëra miliona euro në kurriz të taksapaguesve kosovarë.

Dalim pak te shëndetësia. Mos u bëfsh për spitalet tona! Mafia e pushtetit edhe këtu bën ligjin, emëron drejtorë dhe përzgjedh fituesit e tenderëve, vjedh fondet e ilaçeve dhe abuzon me mjetet e dedikuara për shërim të pacientëve. Askush nuk jep përgjegjësi, ndërsa jeta e qytetarëve mund të jetë gjithnjë në rrezik, sepse mungon kujdesi, buxheti dhe ka keqmenaxhim  të skajshëm korruptiv.

Për sundimin e ligjit është e kotë të shpenzojmë shumë rreshta. Qindra mijëra lëndë presin në sirtarët e gjykatave dhe prokurorive. Drejtësia, si gjithçka tjetër në këtë vend, blihet e shitet. Kuptohet, ata, të fortët e pushtetit janë të amnistuar nga hetimet dhe ndëshkimi. Populli i thjeshtë dhe bizneset e ligjshme e pa mbështetje e pësojnë gjithmonë.

Degradimin më të madh e ka pasur ekonomia kosovare. Pasurimi i politikanëve i çoi drejt falimentimit sipërmarrësit e ndershëm, ndërsa i forcoi monopolet e paligjshme dhe bizneset mafio-oligarkike e fantome. Sot, prodhimi kosovar është më i dobët se kurrë, ndërsa deficiti tregtar është mbi dy miliardë euro.

Me politikat e mbrapshta, Qeveria favorizoi importin e destimuloi investimet brenda vendit. Disa lehtësira, që u ndërmorën me shumë vonesë, janë të vogla krahasuar me vendet në rajon, që ofrojnë kushte shumë herë më të favorshme për investimet e huaja. Si rrjedhojë, investimet e huaja janë përgjysmuar dhe trendi është negativ. Nëse do të bësh biznes në Kosovë, atëherë duhet patjetër të bësh hisedar me ndonjërin nga oligarkët aktualë ose miqtë e familjarët e tyre. Përndryshe, Zoti të ndihmoftë!

Në tetë vjet pavarësi kishim edhe momente të mira, si vendimi pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e pavarësisë, anëtarësimi në disa organizata ndërkombëtare, njohjet nga vende të ndryshme, por pësuam edhe debakle falë politikës së jashtme pa koncept dhe pa vizion.

Dështuam të hyjmë në UNESCO, ndërsa pesë anëtarët e BE-së nuk na njohin ende. Jemi shumë larg OKB-së, ndërsa në dialogun me Serbinë i kemi shërbyer vetëm Beogradit, kurse vetë thuajse asgjë nuk përfituam. Si dhuratë na erdhi Asociacioni antikushtetues dhe Demarkacioni cenues i sovranitetit territorial.

Dy autorët e këtyre marrëveshjeve dhe shumë zhvillimeve të mbrapshta gjatë këtyre viteve kërkojnë të mbeten me çdo kusht në pushtet, edhe pse janë shkelës të Kushtetutës dhe plotësisht  të dështuar në realizimin e zotimeve të tyre elektorale ndaj qytetarëve të mashtruar.

Kjo është edhe një arsye më shumë, që të mërkurën të gjithë qytetarët pa dallim, shoqëria civile, mediet, opozita e bashkuar të  shprehin  fuqishëm  kundërshtimin e ligjshëm e kushtetues, kundër këtij pushteti aktual abuziv dhe kundër edhe çdo qeverie nesër, që guxon të shkelë ligjet dhe Kushtetutën e vendit, sikur  edhe interesat e qytetarëve të Republikës së  Kosovës.

Sot, është koha t’ua kthejmë shtetin dhe Republikën qytetarëve, qeverisjen ta vëmë në shërbimin e plotë të popullit e oligarkët e korruptuar t’i çojmë për t’u përballur me drejtësinë atje ku e kanë vendin hajnat e zhvatësit e buxhetit dhe çdo tjetër i inkriminuar - në Gërdofc!

(Autorja është deputete e pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)