22 Dhjetor 2024

Tryeza mbarëkombëtare përtej Martit

Shkruar nga Behgjet Pacolli

Çështja e raportit të Dik Martit kundër Kosovës, Shqipërisë, Perëndimit marrë së bashku, është një çështje e rëndësishme, për të cilën vërtet ja vlen me u marrë vazhdimisht.

Nëpërmjet operacionit që kulmoi me këtë raport, synohet  veç të tjerash- pasi raporti ka disa qëllime politike-të vendoset në bankën e akuzës kombi shqiptar, jo vetëm në planin mediatik, por në një institucion europian si Këshilli i Europës.

Ky qëllim duhet të demaskohet përfundimisht, dhe ky demaskim duhet te bëhet nga të gjithë ne së bashku, si komb, me të gjithë kapacitetet tona më të mira. Nga fitorja në këtë ndërmarrje ne do të dalim më të fortë në sfidat tona të reja në arenën globale.

 Me këtë qasje, si kontribues i mëhershëm i luftës ndaj Dik Martit, që kur ai u shfaq nëpër iniciativa antishqiptare, unë do të deshiroja të shpreh disa argumente të tjera.

Kam edhe një arsye më shumë që po insistoj: para pak ditësh unë i shkrova kryeministrit të vendit amë, Prof. Dr. Sali Berishës, për të koordinuar pozicionet tona nëpërmjet një tryeze të krerëve të partive parlamentare të hapësirës mbarëkombëtare, kundër raportit dhe projektrezolutës që e legjitimon këtë raport.

Jam duke pritur përgjigje prej tij, ndërsa opinioni publik në gjithë këtë hapësirë e ka vlerësuar shumë iniciativën time.

Janë me qindra letrat që kam pranuar për këtë iniciativë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, diaspora, me mijëra mesazhet që më mbërrijnë në facebook, apo në email.

Së pari,duhet te theksoj se përballja jonë në Këshillin e Europës ku vetëm Shqipëria ka mundësi të përfaqësohet, po qëllon në një kohë të papërshtatshme për dy shtetet tona. Kosova pothuajse nuk ka vijimësi institucionale për shkak të zgjedhjeve të stërzgjatura dhe problemeve të këtyre zgjedhjeve.

Shqipëria akoma nuk e ka zgjidhur kontestin midis qeverisë dhe opozitës për zgjedhjet e mëhershme dhe me dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Meta, pas akuzave të rënda në adresë të tij, situata  nuk duket më e mira.

Kjo situate përngjan në një lloj mallkimi që bash në këtë kohë, institucionet në Shqipëri dhe në Kosovë nuk mund të përqëndrohen në ato që janë prioritetet e tyre, por duhet të mirren me kriza të brendshme.

Së dyti, duhet te them se e vlerësoj shumë udhëtimin e Presidentit në detyrë Jakup Krasniqi, në Shqipëri, menjëherë pas bërjes publike të iniciativës time. Nuk eshte me rëndësi kush e kryen një udhëtim. kryesorja është të arrihet qëllimi ynë strategjik në këtë moment.

Lëvizja e zotit Krasniqi, takimet e tij me drejtuesit e institucioneve të Shqipërisë, me partitë atje, me deputete shqiptare të Republikës së Maqedonisë, etj, është një lëvizje në kahun e duhur, me atë që propozoja në letrën time kryeministrit Berisha.

Por unë vazhdoj të insistoj që sipas një qasjeje tërësore ne duhet të shohim krahas këtij koordinimi ndërshqiptar, edhe produktin e këtij koordinimi.

Pra çfarë dokumenti politik, çfarë qëndrimi politik do të zgjedhim ne brenda institucioneve europiane ndaj kësaj iniciative kundër kombit tonë?

A do ta përdorim këtë rast, t’ i ngushtojmë ndasitë në mes nesh, t’i ofrojmë botës një pamje serioze, të bashkuar të politikanëve tanë, si në atë legjendën e famshme të Skënderbeut që i këshillonte mbështetësit e vet për të ndenjur bashkë, nëpërmjet metaforës së tufës së shkopinjve?

Këtu ja mbërritëm tek pika e tretë që doja të nënvizoja. Ne kemi reaguar në mënyrë emocionale, kaotike, kryesisht me mesazhe që vlejnë për konsum të brendshëm ndaj akuzave të Dik Martit.

Mesazheve që vijnë prej udhëtimit të zotit Krasniqi në Shqipëri,apo dhe mesazheve të shqiptarëve për shqiptarët, unë do doja t’i shtoja disa të tjerë. Këto mesazhe shpesh kalojnë pa vëmendje, pse ne në përballjen me armikun tonë, nuk e studiojmë atë, nuk përpiqemi ta njohim atë.

Në revistën Svedok, (Dëshmtari) të 11 janarit 2011, në edicionin 755-756, botohej një intervistë e dr. Goran Kronjës, shefit të departamentit të kirurgjisë vaskulare të spitalit ushtarak të Beogradit.

Ky profesionist serb i cili prej një kohe të gjatë ka drejtuar transplantin e organeve në atë spital, i kundërvihet në mënyrën më të qartë akuzave të shtetit të vet, që sot po i artikulon në arenën europiane, Dik Marti.

Ai thotë se “për një transplantim, do të duheshin 30 kg akull të sterilizuar. Është e pamundur të sigurosh një sasi të tillë në kushtet që flet raporti. Të gjesh një sasi të tillë është vështirësi e madhe dhe për një spital të avancuar siç është spitali ushtarak i Beogradit.

Unë nuk besoj se diku në malet e Shqipërisë dhe Kosovës dikush mund të bëjë në mënyrë të suksesshme operacione të tilla, dhe kjo është gjëja e para që kam menduar kur lexova akuzat në librin e Karla Del Pontes.

Mundësia teorike për transplantin kërkon një rrjet të gjerë njerëzish të përshtatshëm, pajisjesh, eksperience, dhe një organizate kriminale të lidhur me shtetin”.

Intervista vazhdon dhe me argumenta të tjerë, që rrëzojnë akuzën e Dik Martit, sipas të cilave transplanti do mund të bëhej në Itali dhe Bullgari, dhe “është gjëja më idiote”, sipas tij, “ të mendosh se  ai mund të kryhej në të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë””.

Më në fund ai thotë: “Si një mjek i specializuar, unë do të thoja se për të turpëruar dikë në Prishtinë, do duhej të gjendej ndonjë rrugë tjetër”.

Pra, në gjithë reagimet tona, në argumentet tona, nuk po shoh dëshmi të kësaj natyre, të një qartësie kaq të madhe. Do doja shumë që këto të merreshin prej përfaqësuesve tanë dhe t’i dërgoheshin Këshillit të Evropës, kancelarive europiane.

Dhe më së fundi, nga takimi që kam propozuar, do doja vërtet mos të merreshim shumë gjatë me Dik Martin.

Do doja të që pasi të formulonim disa argumenta kundër shpikjeve të tij me origjinë nga Beogradi, pasi të kërkonim rrëzimin tërësor të projektrezolutës,t’i dërgonim një mesazh të fortë Bashkimit Europian.

Ne jemi një komb i vetëm kudo që jetojmë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, etj! Nuk mund të pranojmë që dikush në vend se të na kërkojë falje, të tallet me ne, duke na akuzuar kaq rëndë në emër të krijimeve të Beogradit!

Nuk mund të pranojmë që nëpërmjet këtyre manovrave politike, të mbetemi të fundit në rajon në liberalizimin e vizave, në integrimin tonë europian, dhe në atë global!

Prej kësaj tryeze, vërtet nuk shoh asnjë të keqe për ne, por të tjerët rreth nesh, duhet të kuptojnë se s’mund të bllokojnë përparimin tonë si komb, duke u tallur nëpërmjet fabrikimeve që s’i pranojnë as mjekët, as intelektualët e tyre siç ishte rasti i Dr. Goran Kronjës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)