23 Dhjetor 2024

Tryeza e “Paqes”

Shkruar nga Flamur Pireva

Na ftuan. Na ftuan sepse na duan, apo na ftuan sepse duan që t’i duam?! Sido që të jetë, unë mora pjesë në këtë tryezë, ashtu si disa studentë të tjerë të UP-së.

Po afrohej ora dhjetë e paradites, kur ne studentët po ngjisnim shkallët e një pallati.
Studentët dukej se ishin tepër kureshtarë për atë që i rrethonte ky ambient.

Muret, dekoret, ndriçimi, të gjitha në një stil të veçantë që ofronte hoteli “Swiss Diamond”.

Por ne ishim më shumë kureshtarë të dinim se çfarë ishte ky “miting” që po organizohej brenda mureve të një hoteli?

Studentët po zinin vendet e tyre, e po ashtu edhe panelistët e ftuar, ani pse nuk u erdhën të gjithë, megjithatë për këtë organizatë kjo nuk çonte edhe aq peshë, pasi që ata sot po  nderoheshin nga dy deputetë të PDK-së, kështu që mungesa e ministrit Ramë Buja nuk kishte pse t’i shqetësonte edhe aq shumë.

Sido që të jetë, u desh pak kohë që të rehatohemi në ato karrige, gjersa para syve na krijoheshin iluzione optike nga dekoret e murit të sallës së hotelit.

Organizata studentore “Paqja Studentore” po organizonte një tryezë për arsimin e lartë në Kosovë... Por gjëja e parë që më shkoi ndër mend ishte pyetja se, a nuk kishte pasur mundësi që të organizohej një tubim i tillë në sallat e fakulteteve, bibliotekave, në ato salla të cilat janë publike, në shërbim të qytetarëve dhe studentëve, apo kjo tryezë e paska vendin dhe u dashka të organizohej vetëm në një hotel luksoz siç është “Swiss Diamond”?!

Duke qenë kureshtar për këtë organizim, u afrova tek recepsionisti poshtë. Kërkova që të më shpjegojë pak se si qëndron puna me çmimin e rezervimit të asaj salle që tashmë po pritej të mbahej kjo tryezë. Me ca përllogaritje dhe konsultime me menaxherët e këtij hoteli, ai më dha shifrën për çmimin e saktë: 800 euro. E po, “paçi” gjithmonë!, u thashë.

Studentët, kjo kategori e shoqërisë që mbahet në një gjendje tejet të ulët ekonomike, ishte ftuar në atë salltanet nga këta organizatorë, studentë kravatash, duke qëndruar kryelartë me këtë organizim të tillë! Sinqerisht, unë këtë do ta quaja përdhunim “paqësor” ndaj studentëve.

Në kohën kur padrejtësisht studentët detyrohen të paguajnë semestrin, në kohën kur shërbimet bankare vijnë e shtrenjtohen, në kohën kur biletat e udhëtimit janë shtrenjtuar, në kohën kur plot të rinjve e të rejave u pamundësohet studimi për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, në kohën kur vidhet studenti, në kohën kur paratë e tij keqpërdoren nga Universiteti, për çudi u gjetkan edhe të atillë që paguakan një sallë takimi deri në 800 euro! Dhe nga kush se?! Ju të “Paqes Studentore” që kërkoni të jeni paqësor?!

E po, për “studentin paqësor” kishin përgatitur ndonjë fjalë disa prej këtyre panelistëve. Sido që të jetë, koha po afrohej. Berat Buzhala, deputet i partisë në pushtet, po përgatitej ta merrte fjalën i pari.

Kjo gjithsesi nuk i takonte atij për  arsye se ai nuk ishte më i vjetri aty, sepse kjo do t’i takonte Shkelzen Maliqit, dhe po ashtu këtë privilegj nuk ishte  se  ia jepte as pozita e deputetit, sepse po ta shikojmë në atë mënyrë, i pranishëm ishte edhe Ramë Vataj, të cilit nuk iu dha të parit fjala.

Mirë, nuk e dimë se qysh dhe përse, por Buzhala e mori bajrakun. Që Buzhala është një njeri fjalaman, këtë tashmë e dinim shumë nga ne që kishim pasur rastin ta shihnim nëpërmjet televizionit, dhe kryesisht nëpërmjet televizionit. E prisnim që ai nuk do të thotë asgjë të re a të veçantë. E veçanta e vetme ishte se dy deputetë të PDK-së po arrinim t’i shihnim “live”!

Filloi Berati. Përgëzime, urime, falënderime  dhe të gjitha këto duke i adresuar tek organizatorët, fjali të cilat përcilleshin vazhdimisht me duartrokitje të atyre që i kishin ftuar mysafirët.

Berat Buzhala i ftoi dhe i inkurajoi studentët që të vazhdojnë me të tilla aktivitete, me kësi lloj tryezash dhe që sipas tij nuk i paska hije një studenti që të dalë të protestojë para dyerve të fakultetit, para dyerve të rektoratit, e madje të protestojë për çështjen e veriut të Mitrovicës, çështje që një studenti nuk ka se ç’i duhet.

Citoj: “Juve prindërit ju financojnë që ju të studioni në Universitet, dhe vetëm të studioni, juve politika nuk ju duhet”!!! Sërish duartrokitje! ...

Tendenca e Buzhalës është tendencë e pushtetit. Ata nuk e duan një student politik që shqetësohet, që preokupohet dhe angazhohet për gjendjen e tij dhe të shoqërisë. Ata duan përgjumje qytetare. Ata ia kanë dronë studentit, dhe në këtë formë e duan studentin të fjetur, në mënyrë që ky pushtet të ndihet rehat.

 Zotri Buzhala, jo të gjithë studentët janë të një mendjeje dhe pajtohen me ty, bile shumica prej tyre shqetësohemi seriozisht për gjendjen në Mitrovicë, për politikëbërjen tuaj në negociatat me Sërbinë, për shitjen dhe likuidimin e pasurive tona publike, ne shqetësohemi për gjendjen tonë, për të tashmën dhe të tardhmën tonë, në kohën kur ti shqetësohesh vetëm për vete dhe atë vetëm kur kalimthi mendon përplot ironi për shqetësimin tonë.

Gjuhën e Beratit po e vazhdonte edhe deputeti tjetër nga radhët e PDK-së që na bënte thirrje zëshëm që studentët të mos merren me çështje politike, e po ashtu prorektori i UP-së, Nuri Bexheti, i cili na porositi me këtë margaritar: “…më mirë të mblidhemi kështu e të kritikojmë sesa të protestojmë dhe të biemë ndesh me ligjin”. Deklarime tipike si të një kohe kur ky Universitet udhëhiqej prej titistëve të shtetit jugosllav! O temporal, o mores!

Më falni zotrote, të protestosh a do të thotë të biesh ndesh me ligjin?

E po ne do të protestojmë e demonstrojmë, do të bëjmë marshe e bllokime, pranë fakulteteve, pranë Rektoratit e pranë Qeverisë dhe ne nuk do ta shkelim ligjin. Ligjin po e shkelni sërish edhe përmes fjalës suaj, siç e keni shkelur edhe më parë!

Do të urdhëroni që të na arrestojnë duke e shkelur pikërisht Ligjin mbi Arsimin e Lartë; neni 13 pika 4 (neni i cili e ndalon rreptësishtë ndëryhrjen policore brenda objekteve të Universitetit).

Kjo gjë ka ndodhur disa herë vitin e kaluar, dhe ju do të vazhdoni ta shkelni ligjin sërish, çdo ligj, çdo nen dhe çdo pikë të tij. Por gjithsesi një ditë shkelësit e ligjit do të dënohen.

Gjuha e “Paqes Studentore”, e Berat Buzhalës, e Ramë Vatajt dhe Nuri Bexhetit ishte e njëjtë. Thirrje për paqe!

 Ne jemi për paqe, por thirrjet e dhunuesve për të qenë paqësorë ne iu përgjigjemi me organizim studentor, me organizim qytetar e punëtor, deri në përmbysje të këtij sistemi.

/Autori është aktivist i Lëvizjes Studentore për Barazi “Studim Kritikë Veprim”/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)