Transparenca financiare e subjekteve politike drejt përkeqësimit
Shkruar nga organizatat e shoqërisë civile
Amendamentimet e projektligjit nga ana e deputetëve, krijojnë përshtypjen se zyrtarët për financa të subjekteve kryesore politike i kanë ndryshuar dispozitat të cilat ju shkaktojnë kokëçarje atyre gjatë operimit me mjetet financiare të subjekteve të tyre, të cilat kryesisht vijnë nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Transparenca e partive politike është një prej themeleve të partive politike demokratike. Financimi, shpenzimi dhe auditimi i partive politike zë vend të pazëvendësueshëm brenda transparencës politike posaçërisht në shtetet ku partitë politike financohen nga taksat e qytetarëve, siç është rasti me Kosovën.
Për disa vite me radhë në Kosovë, partitë politike nuk i publikuan raportet e tyre financiare me arsyetimin se ato nuk janë të audituara. Kjo, ngase, sipas disa interpretimeve, publikimi i raporteve të shpenzimeve financiare bëhet vetëm pasi që të njëjtat të jenë të audituara.
Pas kërkesës së komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave të shoqërisë civile, amendamentimi i ligjit për financimin e subjekteve politike u fut si një prej veprimeve të Agjendës Evropiane për Reforma, të njohur si ERA. Grupi punues qeveritar bëri një punë të mirë në hartimin e draft amendamenteve të cilat edhe u dërguan për opinion nga Komisioni i Venedikut. Ky është ligji i parë pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës që është dërguar për opinion te ky Komision.
Komisioni lavdëroi punën e bërë por, ndër të tjera, kërkoi avancim të mëtutjeshëm të dispozitave që kanë të bëjnë me: përcaktimin më të mirë të definicionit të kontributit, sigurimin e paanësisë politike të auditorëve, rritjen e pavarësisë dhe kompetencave të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe sanksione më të avancuara për moszbatim të këtij ligji. Grupi punues qeveritar punoi tutje duke adresuar rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe dorëzoi një projektligj të avancuar në Zyre të Kryeministrit për procedim të mëtutjeshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, projektligji që erdhi në Kuvend nga Qeveria pësoi ndryshime në aspektin negativ. Me 24 prill 2019, Komisioni për Buxhet dhe Financa miratoi Raportin me Amendamente të Ligjit për Financim të Subjekteve Politike.
Këto amendamente jo vetëm që e degradojnë projektligjin e dorëzuar nga grupi punues qeveritar por paraqesin regres edhe në krahasim me ligjin aktual në fuqi.
Duke lexuar amendamentet shihet se janë deformuar dispozitat që sigurojnë transparencë, respektivisht dispozitat që mundësojnë një kontroll të mirëfilltë financiar të subjekteve politike.
Për më tepër, krijohet përshtypja se zyrtarët për financa të subjekteve kryesore politike i kanë ndryshuar dispozitat të cilat ju shkaktojnë kokëçarje atyre gjatë operimit me mjete të subjekteve të tyre, të cilat kryesisht vijnë nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Amendamentet e bëra nga komisionet përkatëse në Kuvend në mënyrë të drejtpërdrejt ose të tërthortë dëmtojnë frymën kushtetuese të ligjit, për shkak të dispozitave kontradiktore që rregullojnë marrëdhënien midis subjektit politik dhe deputetit për çështjen e shpërndarjes së Fondit për Demokratizim; cenojnë pavarësinë e Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike duke ia hequr kësaj zyre mandatin për mbikëqyrjen e financave të partive politike, përfshirë shqiptimin e gjobave; nuk përmbush veprimin e paraparë në ERA për të siguruar transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksione efikase në financimin e partive politike (Programi Kombëtar për zbatimin e MSA-së 2019 – 2023 e thotë qartë se KQZ nuk duhet të jetë autoritet i kontrollit të financave të partive politike); pamundësojnë transparencën e subjekteve politike pasi që eliminojnë publikimin e emrave të pronarëve të personave juridik (kompanive) që japin kontribut për subjektet politike dhe dyfishojnë tavanet e kontributeve për persona fizik dhe juridik gjatë fushatës zgjedhore; dhe zvogëlojnë llogaridhënien e subjekteve politike ndaj publikut pasi që lejon zgjatje të afateve për publikim të raporteve financiare të fushatës dhe zvogëlojnë gjobat për shkeljet e dispozitave ligjore nga subjektet politike deri në 75%.
Si rrjedhojë, nëse miratohet projektligji me amendamentet aktuale të propozuara, atëherë tërësisht do të shpërfillen rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe atë pikërisht në projektligjin, të cilin Kosova e ka dërguar si shtet i pavarur për interpretim ligjor në atë Komision.
Rrjedhimisht ky veprim përbën një degradim në krahasim me ligjin aktual në fuqi, ndaj ekziston rreziku që BE të konsideroi se ky veprim i paraparë në ERA nuk është përmbushur. Kjo, mu në kohën kur qytetarët e vendit presin ndonjë sinjal pozitiv për liberalizim të vizave. Prandaj, miratimi i projektligjit me amendamentet aktuale do të dëshmonte se klasa politike ende nuk po tregon vullnet të mirëfilltë për transparencë dhe reforma.
Mbi bazën e arsyeve të dhëna më sipër, ne organizatat e poshtëshënuara shohim dy opsione dalje nga kjo gjendje e krijuar: Kuvendi të refuzojë amendamentet e bëra nga Komisionet përkatëse dhe të miratojë versionin e grupit punues qeveritar ose, si opsion i fundit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, ta tërheqë këtë projektligj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Demokraci për Zhvillim (D4D)
Lëvizja FOL
Çohu
Demokraci Plus (D+)
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
Balkan Investigative Reporting Netëork (BIRN)
Westminster Foundation for Democracy (WFD)