Trafikimi i organeve, asnjë viktimë nuk është identifikuar
Shkruar nga Geoffrey Nice
Në fund të vitit të kaluar u raportua se nga fundi i viteve 1990, Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës, bashkë me udhëheqës të tjerë politikë shqiptarë, kishin tregtuar organet e të burgosurve serbë që mbaheshin në Shqipëri.
Disa gazeta sugjeruan se organet janë nxjerrë derisa të burgosurit ishin gjallë. Pretendimet ishin bazuar në një raport të raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti.
Ato janë krejt të ndryshme nga akuzat e ngritura kundër disa njerëzve që aktualisht gjykohen në Kosovë për transplant ilegal të organeve.
Grupet kriminale, përgjegjëse në këtë rast, thuhet se kanë lidhje me udhëheqësinë politike, por është për të ardhur keq që Marti lejon që dy pretendime të ndryshme të mbështesin njëri-tjetrin.
Pretendimet për trafikim të organeve fillimisht u ngritën nga ish-kryeprokurorja Karla del Ponte në vitin 2008. Asokohe, unë isha një nga kolegët e saj.
Ajo u thirr në disa burime të ndryshme, ku asnjëri nuk ishte i identifikueshëm. Ekzekutimet dhe heqja e organeve, pohonte ajo, janë bërë pak pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, në qershor, 1999.
Sa janë të besueshme këto pretendime? Mbi çfarë provash bazohen? Me sa di unë, asnjë viktimë nuk është identifikuar deri sot. Mos janë ato ndoshta pjesë e një fushate mediatike për të penguar njohjen e Kosovës si shtet i pavarur?
Shkrimet në shtypin serb sugjerojnë se shumë nga këto akuza vijnë nga dëshmitari i njohur si K144, megjithëse del Ponte asnjëherë nuk i referohet këtij burimi në librin e saj (nuk i referohet drejtpërdrejt as Marti).
Sipas mediave, veshkat ishin nxjerrë për tu shitur. Serbët kanë lënë përshtypjen, pa e theksuar qartë, se K144 ishte dëshmitar i mbrojtur i Gjykatës së Hagës.
Dëshmitarët e thirrur në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit, në pjesën që kishte të bëjë me Kosovën, ishin të njohur me shkronjën K, por numri i tyre përfundoi aty rreth K116.
Në qoftë se K144 është pseudonimi i vërtetë, atëherë si e kuptoi shtypi serb dhe nga kush? Kush është K144? Në faqen e internetit të Tribunalit ka shumë dëshmitarë me K, por asgjë për K144.
Sipas një gazete, ngjarjet kanë ndodhur në Burrel të Shqipërisë. Burreli në fakt u hetua nga Tribunali gjatë gjykimit të Millosheviqit në vitet 2003-2004, pasi u ngritën pretendime se atje ishin keqtrajtuar të burgosurit serbë.
Asnjë provë nuk u zbulua, megjithëse Tribunalit i ishte thënë se ishin gjetur gjurmë gjaku dhe shiringa në të ashtuquajturën Shtëpia e Verdhë.
Nëse K144 me të vërtetë ka dhënë deklarata për të cilat sugjeron Marti para marsit të vitit 2006, unë do ta kisha ditur. Avokatët tjerë gjithashtu do të duhej ta dinin dhe informata do ti dorëzohej Millosheviqit sipas rregullave të Tribunalit.
Një gazetë tjetër, së fundmi, ka botuar deklarata të një dëshmitari tjetër, me incialet Lj.K, i cili pohon se e di se çfarë ka ndodhur.
Por, edhe vetë Marti pranon se disa raporte synojnë ti dramatizojnë faktet.
A mund të thuhet se Thaçi e shmangu drejtësinë? Udhëheqësit tjerë të UÇK-së u gjykuan dhe disa po rigykohen.
Një shpjegim thotë se Medlin Ollbrajt e ka urdhëruar Tribunalin të mos e akuzojë. Del Ponte thotë se nuk kishte mjaft prova kundër tij. Atëherë, përse emri i tij papritur u shfaq me pretendimet për tregti organesh, me atë që të tjerët nuk janë përballur? Përse del Ponte thotë se ai nuk ka mundur të gjykohet në Tribunalin e Hagës?
Ekzekutimi dhe masakrimi i robërve të luftës sigurisht që do të kualifikohej si krim i luftës. Afati i fundit për ngritjen e aktakuzave ishte janari 2004, por akuzat si këto mund të ngriteshin edhe më vonë.
Me akuzat e tilla do të duhej të merret Tribunali, e jo të publikohen në memoare. Dy vjet pas librit të del Pontes, raporti i Martit nuk shkon përtej thashethemeve të saj, të cilat gazetat serbe dhe faqet serbe në internet vetëm i ripërsërisin.
Marti i mban fshehur burimet, për shkak të frikës siç është thënë se ato mund të dëmtohen nga kosovarët e përfshirë apo edhe shqiptarët në përgjithësi.
Thaçi ka thënë se këto thashetheme nuk do ta kthejnë prapa dhe se akuzat janë bërë nga një rrjet që kundërshton pavarësinë e Kosovës. Në një intervistë për mediat në Prishtinë, ai ka thënë se është i mësuar me akuza të tilla dhe se beson që Marti nuk është i vetëm në këtë proces, porse pas tij qëndron një klub anti-pavarësisë.
Mund të ketë të drejtë? Marti, së fundmi është përpjekur ti sqarojë gjetjet e tij, duke thënë se raporti i tij nuk pretendon se Thaçi ka qenë personalisht i përfshirë në trafikimin e organeve, por në realitet akuzat dhe dëshmitë qëndrojnë.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, shumë shpejt pasi Thaçi u bë kryeministër dhe filloi të lobojë për mbështetjen e 2/3 së vendeve anëtare të OKB-së të nevojshme për të siguruar njohjen zyrtare.
Korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur kundër kërkesës së Serbisë për të vënë në dyshim ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kosova është në rrugën e saj për tu bërë anëtare e OKB-së: 74 shtete tashmë e kanë njohur atë.
A po i përdor Serbia akuzat kundër Thaçit në përpjekje për të bllokuar një gjë të tillë? Presidenti serb, Boris Tadiq, javë më parë, tha se Serbia po priste me vite për një raport të tillë si për shembull një që nuk i fajëson serbët për të gjitha gjërat e tmerrshme që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi.
Megjithatë, akuzat e reja kundër Thaçit duhet të trajtohen. Këtu ka një paralele me pozitën e Millo Gjukanoviqit, i cili ka qenë herë kryeministër, herë president i Malit të Zi, vazhdimisht që nga viti 1991. Si i ri, a ishte i përfshirë thellë me Millosheviqin. Në mes të viteve 2002-2009, ai ishte subjekt i hetimeve për kontrabandë duhani nga autoritetet italiane.
Mali i Zi, sikurse Kosova, lehtë mund të përmbyset si shtet kriminal; po ashtu sikurse Kosova, synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Gjukanoviq tashmë është tërhequr dhe ka thënë se do të pushojë së mbajturi poste politike.
Një gjë e tillë, thonë disa, ka për qëllim të lehtësojë hyrjen e Malit të Zi në organizatat që janë të përgatitura të negociojnë me preferencat e Gjukanoviqit ose Thaçit, kur shtetet e tyre të dalin nga konflikti, porse duan të merren me dikë më pak të komprometuar.
Thaçi duhet të ndjekë të njëjtën rrugë si Gjukanoviqi, nëse zërat e tanishëm vazhdojnë të qarkullojnë.
(Autori eshte ish-prokuror në Tribunalin e Hagës)
Artikulli u botua në London Riview of Books