Tradhtia, mashtrimi e pafytyrësia brirë nuk kanë!
Shkruar nga Bajram Gecaj
E kishin keqpërdorur deri në ekstremin më primitiv marrëveshjen e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, duke e shndërruar atë në njërën nga kauzat e tyre fiktive politike, kryekëput me qellim të marrjes së dhunshme të pushtetit.
Na kishin thënë shprehimisht, dhe këtë madje edhe duke përdorur mënyra dhe metoda të papara deri atëherë të dhunës ndaj institucioneve legjitime të shtetit të Kosovës, se marrëveshja ishte jo e drejt dhe se Kosova “padiskutueshëm” humbiste mbi 8 mijë hektarë tokë! Kishin përsëritur këtë gënjeshtër për çdo ditë të Zotit.
Në fund arritën të marrin pushtetin, krejt me metoda të palejueshme e korruptive të shantazhit dhe të kërcënimeve: edhe këtë herë, partia emblematike e pabesisë në skenën politike në Kosovë, PDK, u gjet pranë muskulozit Ramush, të cilin e kishte poshtëruar e sharë më shumë se çdo kënd tjetër në politikën kosovare.
Pushteti i erdhi Ramushit jo për shkak të fuqisë së tij politike, apo muskujve që pak duhet të ndihmojnë në politikë, as për shkak se kishte një kauzë të drejtë dhe legjitime, por ekskluzivisht për shkak të rrenës dhe manipulimit të ndjenjave më sublime të qytetarit të Kosovës për çështjen e kufirit me Malin e Zi, e që u sajua nga hiqi.
Pas marrjes së pushtetit, u gjet nën një presionin të jashtëzakonshëm dhe legjitim nga ana e popullatës së mbyllur forcërisht brenda kufijve të shtetit.
Premtimet publike se do të jetë në gjendje për t’i zgjidhur “çështjet e mëdha”, përfshirë shënimin e vijës kufitare, morën një dimension krejtësisht tjetër: retorika e një mendjeje mashtruese po shpërfaqte tërë rrenën lidhur me potencialin e Ramushit dhe aleatëve të tij të rinj për t’u dhënë drejtim çështjeve të mëdha.
Një presion i tillë i ashpër erdhi edhe nga miqtë ndërkombëtar të Kosovës, të cilët pa përjashtim kishin insistuar se marrëveshja ishte e drejtë dhe se vija kufitare ishte përcaktuar në përputhje me instruksionet e Pakos së Ahtisaarit, pra ashtu siç kishte qenë vija kufitare më 31 dhjetor të vitit 1988.
Nuk mund të mohohet se në këtë mes, edhe Mali i Zi kishte dhënë kontributin e vet, ani se vetëm atëherë kur u mbështet për muri nga sjelljet tërësisht huliganeske të palës kosovare: zyrtarët e këtij vendi nisën të deklarohen qartë dhe pa dykuptime se kjo çështje për ta ishte e mbyllur dhe se nuk mund të kishte asnjë hapësirë për negocim të mëtejshëm.
Fillimisht, përmes një manovrimi tejet jo-dinjitoz dhe mjaft kontrovers, Ramushi aprovoi në kabinetin e tij qeveritar marrëveshjen e njëjtë të cilën e kishte refuzuar me aq dhunë dhe ashpërsi për tri vite me radhë.
Arsyetimi ishte jo-logjik, krejtësisht absurd politikisht por edhe në pikëpamje juridike, duke u thënë kosovarëve se këtë po e bënte për ta dërguar marrëveshjen në Kuvend me të vetmin qëllim për ta rrëzuar, me shpresë që pas rrëzimit do të nisnin negociatat tjera të reja për ta korrigjuar marrëveshjen që tanimë e kishte ratifikuar në Qeveri dhe, në fund, t’ia kthente Kosovës 8 mijë hektarët “e humbur”.
Këtë veprim e kishte mbështetur edhe me faktin se Kuvendit ia kishte dërguar bashkëlidhur një raport “shterpë” të komisionit të ri shtetërorë, tani të udhëhequr nga pseudo-shkencëtari Shpejtim Bulliqi, raport ky i cili nuk kishte arritur t’ia mbushte mendjen askujt veç hartuesve të tij.
Duke e kuptuar këtë "shterpësi", Ramushi në fund pranoi që raporti të shërbente vetëm si informatë, megjithëse edhe për këtë kishte dhënë fjalë të "forta" veç një ditë më herët!
Kur kjo nuk i piu ujë, siç e thotë populli, në fund doli një deklaratë në mes të Presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi, e cila nuk është asgjë tjetër pos një farsë qesharake dhe naive, një deklaratë për shpëtim të fytyrës së atyre që ishin futur në një betejë për pushtet në mënyrë donkishoteske, me mullinjtë e erës.
Kjo deklaratë, siç e kishte thënë ditën e nënshkrimit vetë nënshkruesi i saj për palën kosovare, nuk kishte një karakter legal por vetëm karakterin e një akti të vullnetit të mirë, prandaj, për rrjedhojë, nuk përbënte asnjë obligim ligjor.
Deklarata nuk do të ndryshoj tash as kurrë asgjë në vijën kufitare, pos asaj që ishte paraparë edhe me herët.
Kjo donë të thotë se gjatë demarkacionit mund të lëvizë kufiri, sipas standardeve të lejueshme ndërkombëtare, duke u bazuar kryesisht në gjeografinë e terrenit, i njohur si shkëmbimi ekuivalent, por kurrsesi jo të hapësirave të mëdha të gjerësisë së tetë mijë hektarëve imagjinar të Ramushit.
Këtë qartazi e vërteton edhe komunikata e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi: “Në deklaratën e nënshkruar është paraparë formimi i një grupi të përbashkët punues për përcaktimin e kufirit, gjë që në bazë të Nenit 7 të Marrëveshjes [së vitit 2015] paraqet fazën përfundimtare të procesit të demarkacionit dhe lë mundësi për korrigjime eventuale teknike, me rastin e demarkimit të kufijve në teren”!
Dy shtetet pra do të krijojnë komisione, edhe ashtu të parapara në marrëveshjen e vitit 2015, të cilat në terren do të vendosin kullat kufitare (demarkimi), duke arritur padiskutueshëm në përfundimin e njëjtë, pra pa kryer ndonjë korrigjim të përfillshim.
E këtë e ilustron deklarimi i Ministrit të Jashtëm të Malit të Zi, Srjgan Darmanoviq, i cilin, në mes tjerash, kishte thënë: "...Prandaj, nuk ka ndryshime të theksuara"! Kështu, përfundimisht do të përmbyllet kjo çështje me malazezët, zgjidhje kjo për t'u shpëtuar fytyrën atyre që e kishin humbur poshtërsisht dhe pa fije turpi në këtë çështje fiktive, vetëm e vetëm për ta marrë pushtetin në duart e tyre të pista.
Deklarata e presidentëve nuk do të votohet asnjëherë në Parlamentin e Malit të Zi, përderisa në realitet ajo synon vetëm t'i mundësojë Qeverisë Haradinaj zvarritjen edhe për një kohë rreth e përreth pushtetit.
Kalkulimi madje shkon edhe më tutje: komisioni i përbashkët sigurisht që do të marrë më shumë kohë se sa që do të mund të qëndron kjo qeveri në pushtet, kështu që, në të ardhmen e afërt, do t'u epet mundësia që përsëri dhe të njëjtën çështje ta keqpërdorin mu si më parë nga këndi i tyre i ardhshëm opozitar.
Një bashkë-partiak u interesua ta dijë se përse nuk i kishte rënë ndërmend edhe Qeverisë Mustafa një zgjidhje e tillë, duke aluduar gjithashtu se partitë e "komandantëve" po vazhdojnë të tregohen mjeshtër të mashtrimit apo, siç tha ai, "diplomatë të cilët dinë të notojnë"! Por LDK nuk ka synuar asnjëherë mashtrimin, sepse kjo nuk përkon as me gjenet dhe as me filozofinë e saj të veprimit.
Ne nuk do ta ndërmerrnim një veprim të tillë mu për faktin e thjeshtë se ishte një mashtrim tipik klasik.
Por edhe sikur ta bënim, një veprim i tillë nuk do të pranohej kurrë nga partitë e atëhershme opozitare, sepse kundërshtimi i tyre nuk kishte të bënte fare me çështjen e shënimit të vijës kufitare, por arsyeja reale kishte qenë çdoherë dhe vetëm përmbysja e qeverisë dhe marrja e pushtetit me dhunë.
Në këtë vazhdimësi po na shpërfaqet në Kosovë krijimi i një standardi, një modus vivendi të ri, një logjike të ikjes nga përgjegjësitë e marra publike!
Ashtu si në çështjen e dialogut me Serbinë, kryeministri "i fortë" Haradinaj, edhe këtë herë duket të ketë deleguar "burrërisht” çështjen e demarkacionit tek Presidenti i Kosovës.
Kjo në vetvete përben një taktikë tjetër mashtruese dhe ikje qyqare nga përgjegjësitë e marra publike, sepse shënimi i vijës kufitare është ekskluzivisht kompetencë e Qeverisë dhe e Kuvendit, asnjëherë e Presidentit, të cilin edhe një herë na sjell të portretizuar në rolin e "shpëtimtarit" të Kosovës, edhe pse për të "pesëdhjetën" herë radhazi ja hodhi dhe e manipulojë Ramushin vet.
Me gjasë, gjithë këtë kalkulim, shtet-shkatërruesit, e në veçanti PDK, e kishin bërë paraprakisht, duke njohur mirë natyrën dhe historikun e LDK-së si parti serioze dhe shtet-formuese, e cila në vazhdimësi kishte sakrifikuar interesat e saja partiake për hir të interesit madhor nacional, duke aprovuar edhe në të kaluarën projekte të rëndësisë shtetërore dhe kombëtare, ani se e ndodhur në karrigen e opozitës dhe me një kosto të madhe në dëm të vetvetes.
Kalkulimi i këtij koalicioni të territ që nga fillimi pra kishte qenë që, pas marrjes së pushtetit, të mund të llogarisnin në vullnetin e mirë dhe konstruktiv të LDK-së, pasi që as në filozofinë dhe as në praktikën e saj 29-vjeçare nuk qëndron dëmtimi i proceseve të rëndësishme shtetërore, siç e kanë zakon ta bëjnë partitë e këtij koalicioni. Pra, LDK asnjëherë nuk ka funksionuar me logjikën, "për inat të resë, me vdektë djali"!
LDK-së, ashtu si gjithherë, edhe më tutje do t’i duhet gjithsesi të vendosë interesin nacional mbi interesit partiak, sepse kjo i përshtatet konceptit dhe filozofisë së saj rugoviane.
Kështu ka vepruar edhe në këtë rast, duke dhënë votën pro, përkundër faktit se ishim larguar nga pushteti mu për këtë shkak, dhe atë në mënyrën më të ashpër, më primitive dhe më të pabesë të mundshme.
LDK, në këmbim të parimësisë së saj të vazhdueshme, së bashku me opozitarët tjerë si dhe ndonjë pjesëtarë i guximshëm e dinjitoz nga koalicioni qeverisës, duhet të kërkojnë menjëherë shkarkimin e kësaj qeverie të padinjitetshme dhe mashtruese.
Kjo duhet të bëhet sepse aprovimi i kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Kosovës rrënon arsyen kryesore të marrjes se pushtetit nga këta mashtrues, por edhe për faktin se dikush duhet patjetër të japë përgjegjësi për zvarritjen e paarsyeshme të liberalizimit të vizave dhe mbajtjes së këtij populli të izoluar përgjatë gjithë kësaj periudhe kohore.
Kalimi i marrëveshjes vërteton edhe një herë se ky koalicion nuk ka as standarde, as parime dhe as fytyrë.
Ajo që e bën këtë çështje edhe më serioze konsiston në faktin se, përkundër besimit të tyre, të shprehur paluhatshëm në publik, se Kosova po humbiste mbi tetë mijë hektarë tokë, një pjesë e këtij koalicioni qeverisës, vetëm për të mbetur në pushtet me çdo kusht, votuan marrëveshjen.
Kjo në vetvete përbën një corpus delicti politik, të mjaftueshëm për akuza tradhtie dhe ndjekje penale të tërë atyre të cilët e besojnë këtë fakt (humbjen e territorit), por që megjithatë e kanë votuar marrëveshjen.
Populli nuk është ai të cilin e pandehni ju përfaqësuesit e këtij koalicioni. Nuk është populli aq i marrë që ju t'i hidhni "hi syve" sa herë t'u konvenoj kjo për marrjen dhe ruajtjen e pushtetit.
Njerëz si ju janë të prirë të besojnë se popullin mund ta drejtoni si të doni dhe si të mendoni ju vetë, me akrobacione mashtruese e me pafytyrësi!
Nëse nuk dorëhiqen vetë këta mashtrues makiavelistë, partitë opozitare duhet menjëherë dhe pa vonesë të fillojnë përgatitjet për veprime serioze politike, mirë të sinkronizuara, si dhe për protesta të pandalshme deri në rënien përfundimtare të kësaj qeverie sekserësh!
Dhe krejt në fund, demarkacioni pra, nuk do të kalonte pa votën edhe të atyre të cilët e kishin kundërshtuar në njërën apo në mënyrën tjetër: dikush me gaz lotsjellës e kokteje molotovi, e dikush me përralla, hezitime e kundërshtime të paarsyeshme!
Të gjithë ata, pa marrë parasysh se në cilin kamp politik ishin atëherë dhe në cilin janë tani, brenda apo jashtë Kuvendit të Kosovës, nëse kanë sadopak ndërgjegje, do të duhej t'i kërkonin falje këtij populli të pafajshëm, të cilin e mbajtën mbyllur si asnjë popull tjetër të rajonit.
Ndërsa, populli vetë nuk do të harrojë kurrë mashtrimin e tyre, përmes të cilit ju mohua atyre e drejta elementare e lëvizjes së lirë.
"Çdo e keqe ka një të mirë pas", thotë populli; prandaj, të shpresojmë shumë që e gjithë kjo "telenovelë" tri-vjeçare të rezultoi njëkohësisht jo vetëm me hapjen e rrugës për liberalizimin e vizave, por edhe me largimin përfundimtar të kësaj qeverie të keqe, pa asnjë parim dhe pa pikë karakteri!