Topalli vs Basha, fiton PD!
Z. Bamir Topi para se të bëhej president i vendit ishte një ndër figurat më kryesore të së djathtës, ku në një të ardhme mund të synonte njëshin e Partisë Demokratike. Ngjarjet u krijuan të tilla, ku sot z. Topi ndodhet shumë larg garimit brenda kësaj partie. Asokohe pozitat e Topallit pas Sali Berishës forcoheshin dita-ditës.
Sigurisht, gruaja e hekurt (siç preferojnë ta quajnë) në këto vite u tregua e fortë dhe e guximshme qoftë për karrigen e kryetares së Kuvendit, qoftë edhe në luftën brenda llojit. Ajo ka arritur që të ketë shumë mbështetës nga Këshilli Kombëtar i PD-së, por jo mjaftueshëm sipas parashikimeve të saja. Gjithsesi, ajo mbetet një kundërshtare e fortë dhe e denjtë për t'i shkuar gjërave deri në fund.
Në krahun tjetër, brenda PD-së, shfaqet i riu plot ambicie, Lulzim Basha. I vonshëm në radhët e PD, pasi ai erdhi në vitin 2005 arriti në pak vite të jetë i suksesshëm në drejtimin e dikastereve ku u propozua të shkonte. Ai ka mbështetjen e plotë të të rinjve në radhët e PD-së dhe sot ka arritur të jetë figura më e votuar në PD nga Këshilli Kombëtar. Shtoi faktin, që përveç sukseseve të tij, ai ka edhe mbështetjen maksimale nga familja Berisha.
Pa u futur në një analizë të thellë për të treguar biografinë e secilit (Topallit dhe Bashës) me një shikim të qetë të situatës arrijmë të kuptojmë se zgjedhjet e mbajtura për kryesinë e re të PD-së ishin tregues i qartë i mbështetjes së secilit nga figurat brenda saj. Kampet dallohen qartë. Ka dy ekipe, njëri i kryesuar nga z. Basha dhe tjetri i kryesuar nga znj. Topalli. Nëse njëri nga këto lider ekipesh do të dijë të afrojë pranë vehtes së tyre figura të tilla si: Olldashi, Spaho, Bumçi, Nishani, Patozi, Noka, Bode etj., sigurisht do jetë më afër triumfit. Patjetër që pa pëlqimin e z. Berisha asgjë nuk mund të arrihet, pasi është pikërisht ky njeri që ka provuar dobinë e secilit prej tyre në pozicionet ku ai i ka propozuar.
Së fundi, nuk ka rëndësi se kush do jetë i pari i PD-së pas largimit të doktorit. E rëndësishme është që të paktën do të jenë dy konkurrentë në garë. Kjo i jep gjallëri organeve brenda PD-së drejt demokratizimit të frymës në parti. Mjaft e rëndësishme është që çdo gjë të bëhet në sytë e publikut shqiptar dhe konkurrenca të jetë e ndershme, kjo ndihmon jetën e kësaj partie, por edhe të ardhmen e vendit, pasi Partia Demokratike është një ndër dy partitë më të rëndësishme të vendit në këto 20 vjet demokraci.
(Shkruar nga Redan BUSHATI Kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës, shkurt K.S.U.SH)