Tony Blair në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës
Më kujtohet fundi i vitit 1998, vizita në Downing Street e Ibrahim Rugovës. Ai ishte një burrë i qetë dhe modest. Ai më dha një dhuratë të vogël të kristalit të purpurtë dhe të bardhë. E mbajta gjatë tërë qëndrimit tim në Downing Street mbi tavolinën time. Tash ajo ndodhet në shtëpinë time mbi kaminë.
Ai më tregoi të vërtetën për Kosovën. Orvatjet e popullit të saj, nevojën që bota të dëgjojë, detyrën e botës për të vepruar. Ai nuk bërtiste, nuk e shfaqte gjendjen me slogane ose gjeste ekstravagante. Ai fliste butë por me një sinqeritet mbresëlënës. Përderisa largohej, më tha: Ju lutem, po ju kërkoj vetëm një gjë: mos lejoni që populli im të vuajë më. Ndjeni për ta siç ndjeni për popullin tuaj. Dhe ndihmoni.
I thashë se Britania do të ndihmonte. Ia dhashë besën time. Detyrimin tim. Dhe e mbajta. Sot kujtoj Ibrahim Rugovën dhe shpreh respektin tim për lidershipin, vendosmërinë dhe urtësinë e tij.
Po ashtu më kujtohen edhe takimet e mia të para me kosovarët e rëndomtë në kampet e refugjatëve në Maqedoni, duke jetuar në tenda, duke mos ditur se çfarë do të ishte e ardhmja e tyre, nëse do të kishin të ardhme, të vetmuar, të rrezikuar. Më kujtohen bisedat, rrëfimet e brutalitetit dhe trishtimit. Por po ashtu më kujtohet krenaria dhe guximi i tyre. Tashmë kanë kaluar 11 vjet nga ajo kohë. Dhe ja ku jemi, ende me shumë sfida para nesh, por në një të sotme si shtet, me njohje nga 69 shtete, me anëtarësi në FMN dhe në Bankën Botërore, por mbi të gjitha në paqe.
Ne ndihmuam. NATO ndihmoi. Britania dhe forcat tona trime të armatosura ndihmuan. Por mbi të gjitha, ishte arritje juaja, e juaja popull i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Ambasadori më tregoi monumentin Newborn sot këtu në Prishtinë. Është i thjeshtë, i rëndomtë por shumë frymëzues. Nënshkrimet e tij, me mijëra sosh, nga njerëzit të cilët kanë bërë vetë shpalljen e pavarësisë. Po ashtu është edhe një simbolikë. Ajo që ne kemi bërë kur intervenuam në vitin 1999 ishte tu japim juve rastin për një kaptinë të re në historinë e Kosovës. Por ishit ju ata të cilët duhej ta shkruanit atë. Dhe jeni duke e shkruar.
E di se miku im i mirë Presidenti Bill Clinton erdhi të flasë me ju këtu para disa muajsh. Në fjalimin e tij ai përmendi Ruandën. Siç e dini, ai ndante me mua një qëndrim shumë themelor që kjo të mos përsëritej kurrë. Ishte zotim i tij të parandalonte spastrimin etnik në Kosovë, përkundër vendimeve shumë të vështira që pasuan për të dy ne dhe për të tjerët, të cilat siguruan angazhimin e NATO-s. Në fillim ishte një mision shpëtimtar, në mbrojtje të vlerave evropiane, vlera që si atëherë ashtu edhe tash i kemi të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por, për të dy ne, në fund u bë e qartë se e vetmja mënyrë për të mbrojtur ato vlera të paqes dhe lirisë ishte ti lejonim Kosovës pavarësinë të cilën edhe ashtu e kishte arritur me të madhe gjatë viteve të fundit të Titos. Ne qëndrojmë pas këtij pozicioni. Pavarësia e Kosovës ishte gjëja e duhur, Pavarësia e Kosovës është një fakt. Pavarësia e Kosovës do të kalojë testin e kohës.
Tash ju duhet të përcaktoni natyrën e shtetit jo kufijtë ose sovranitetin e tij, por institucionet, ekonominë dhe vlerat e tij.
Ky shtet i Kosovës është një shtet që i përket jo vetëm një grupi ose një feje. Ai i përket tërë popullit të Kosovës.
Shumica shqiptare këtu kanë vuajtur shumë si rezultat i idesë se kufijtë e Ballkanit do të mund të rimodeloheshin në bazë të vijave etnike. Siç ju ka thënë Bernard Kouchner, kur u është drejtuar së fundi, ju e dini se çfarë ndjenje është kjo. Ky duhet të jetë një shtet në përputhje me vlerat që kanë çuar tek formimi i tij, një shtet për të gjithë ata të cilët kanë jetuar këtu me breza të tërë shqiptarëve, boshnjakëve, turqve, goranëve, romëve, ashkalinjve, egjiptianëve ....dhe serbëve.
Siç e dini, duke e bërë pjesë të Kushtetutës suaj, Plani i Presidentit Ahtisaari bën çmos që të akomodojë pakicat në Kosovë, e sidomos serbët. Kjo është gjëja e duhur. Dhe ju bëni gjënë e duhur të zbatoni atë.
Ju përgëzoj për atë që keni bërë deri më tash. Sidomos, isha i kënaqur, Hashim, të shihja punën sistematike me zyrën e Pieter Feith për të jetësuar themelimin e komunave me shumicë serbe me autoritet të decentralizuar, në përputhje me praktikat më të mira të decentralizimit në Bashkimin Evropian. Dhe përgjigja e qytetarëve tuaj serbë ndaj votimeve në zgjedhjet komunale ishte jashtëzakonisht shpresëdhënëse. Ishte një respekt për ta dhe për përkushtimin e tyre ndaj këtij vendi.
Por ju lutem, Fatmir, ju lutem Hashim, mos u ndalni. Kaloni edhe një kilometër më shumë. Dhe të gjithë shqiptarëve të Kosovës u them atë që ju tashmë e dini: nëse siguroni se qeveria dhe institucionet e Kosovës shtrijnë dorën e mbështetjes tek secili anëtar i secilit komunitet në vend, atëherë ata mund të luajnë pjesën e tyre për të bërë atdheun e përbashkët të madh. Ata veçse janë në qeverinë tuaj, ata janë pjesë e policisë, ata duhet të jenë gjykatës në gjykatat e juaja dhe në fund kur ju të keni një armatë të plotë, të gatshme për të kontribuar në NATO, ata duhet të jenë edhe brenda saj. Të gjithë ata që jetojnë në Kosovë janë kosovarë. Dhe ata do të shkruajnë të ardhmen e tyre si një komb, si një popull, i barabartë para ligjit.
Bashkimi Evropian është e ardhmja juaj. BE në vete është një bashkësi shumetnike. Ajo kremton larminë e saj.
Më pëlqen tej mase slogani juaj i publikuar së fundi Kosova: evropianët e rinj. Ju jeni shteti më i ri në Evropë po ashtu edhe me popullatën më të re në Evropë.
Bashkimi Evropian nuk është një klub ku hyhet lehtë. Standardet e tij janë të vështira për tu përmbushur. Dhe ju jeni një shtet shumë i ri, jo i pasur, dhe një që ka vuajtur me vite të tëra deri në vitin 1999 nga mungesa e investimeve dhe neglizhenca. Kështu që hyrja në BE do të marrë kohë. Si në çdo klub tjetër, ju duhet të respektoni rregullat. Në këtë klub, rregull është sundimi i ligjit.
Ekzistojnë arsye historike pse sundimi i ligjit në Kosovë nuk është ende ai që do të mund të ishte. Ju keni qenë të angazhuar në një betejë të gjatë për liri. Por, tashmë e keni shtetin tuaj. Çfarëdo lidhjesh të dobishme që mund të keni pasur me njerëzit e jashtëligjshëm në të kaluarën, tashmë duhet të këputen. Ju kosovarët tashmë duhet ti bëni ligjet. Ju duhet ti ruani dhe ti mbani ato.
Andaj, më vjen mirë, z. President, z. Kryeministër, që ju keni theksuar mbështetjen për EULEX-in. Ata janë këtu të ndihmojnë Kosovën për të përforcuar sundimin e ligjit. Ky është misioni dukshëm më i madhi i asistencës në terren në historinë e Bashkimit Evropian kudo në botë. Si i tillë përbën një pjesë jetike për përgatitjen e vendit për Evropë. Sado i vështirë që të jetë, ky shteg duhet të ndiqet.
Evropa po ashtu do të mbështesë dhe theksojë një zotim të cilin ju, z. President dhe z. Prime Ministër tashmë e keni shprehur luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni gërryen mbështetjen që populli ka për shtetin. Ai vetëm ushqen paaftësinë. Ai minon punën e madhe. E nuk mund të arsyetohet kurrë. Mungesa e tij është një parakusht thelbësor për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Juve po ashtu ju duhen investime. Për të investuar, biznesmenët kërkojnë siguri për kontratat e tyre sërish sundimi i ligjit. Për të investuar, biznesmenët duhet të kenë besim në gjykata. Dhe ju keni nevojë për investime të huaja.
Investitorët britanikë, bashkë me të tjerët, veçse janë duke treguar interes të vërtetë në shërbime, turizëm, miniera dhe bujqësi. Vera kosovare veçse po shitet në supermarkete në Britani.
Diaspora juaj, zhvillimi i bizneseve dhe dërgimi i të hollave në shtëpi, po ashtu do tu mundësojnë një fillim të mirë, përderisa dyert e Bashkimit Evropian, dhe përfitimet nga tregu i gjerë dhe i lirë i Evropës, fillojnë të hapen për ju. Rezoluta e djeshme e Parlamentit Evropian, sidomos referencat e saj të fuqishme ndaj liberalizimit të vizave, tregojnë se ju gëzoni mbështetje.
Jam pyetur shpesh që nga ardhja ime në Prishtinë se cila është mënyra për të shpejtuar më së miri përparimin drejt Evropës. Përgjigja është e thjeshtë. Ndërtoni institucionet e juaja, ndërtoni sundimin e ligjit, hapni dhe ndërtoni ekonominë tuaj dhe anëtarësimi evropian, me kohë, do të jetë i juaji. Evropa i ka lënë dyert të hapura. Por jeni ju ata që duhet të hyni. Evropa është caku juaj ajo është në duart e juaja. Andaj, realizojeni këtë fat. Na bashkohuni. Hyni.
Miqtë e juaj do tju ndihmojnë. Unë shpreh përgëzimin tim për të gjithë ata ndërkombëtarë të cilët gjatë njëmbëdhjetë vjetëve të fundit kanë ndarë talentet, kohën, e nganjëherë edhe kanë rrezikuar sigurinë, madje edhe jetët e tyre, për tju ndihmuar juve në misionin tuaj. Burrat dhe gratë e KFOR-it, UNMIK-ut dhe agjencive të tjera të KB, të OSBE-së, të Këshillit të Evropës, të EULEX-it dhe të ICO si kujdestarë të Planit të Ahtisaarit. Unë shpreh respektin tim për vetë Martti Ahtisaarin, një njeri i madh i cili ka merituar Çmimin Nobel për Paqe.
E di se marrëdhëniet me Serbinë mbesin të tensionuara. Serbia po ashtu është vend mik i Mbretërisë së Bashkuar dhe se ka ambicie për anëtarësim në Evropë. Të paktën, tensionet e sotme janë diplomatike. Shpresoj se me kohë kjo do të ndryshojë dhe se kujtimi i atyre ngjarjeve të tmerrshme do të bëhet një kujtim i largët i një të kaluare të lënë prapa.
Ka pasur shumë arsye pse pas dekadave të tëra, madje edhe pas shekujve të konflikteve, ne ishim në gjendje të sillnim paqe në Irlandën Veriore. Një nga arsyet ishte, me hyrjen si të Britanisë ashtu edhe të Republikës së Irlandës në Evropë, ne ndalëm përkufizimin e njëri tjetrit duke iu referuar armiqësive të së kaluarës dhe filluam të shikojmë kah mundësitë e së ardhmes. Sot, kombet tona janë të afërta me njëra tjetrën.
Kështu, ne nuk jemi të dënuar që përjetësisht të përsërisim historinë tonë. Newborn do të thotë më shumë se një shtet i ri. Po ashtu do të thotë shpresë e re. Mundësi e re. Mentalitet i ri.
Për mua, insistimi ynë për të intervenuar para shumë vitesh, ishte pa dyshim dhe para së gjithash për Kosovën dhe kosovarët. Por, ishte edhe më shumë se kaq. Ai doli nga një qëndrim që kisha për botën dhe se si ajo ndryshonte. Këtë qëndrim e kam mbajtur atëherë dhe e mbaj edhe sot.
Ne intervenuam se lejimi i spastrimit etnik këtu në prag të Bashkimit Evropian do të kishte qenë një shmangie e madhe nga detyrimet, një turp. Andaj, po ishte edhe një rast moral. Por, po ashtu ishte edhe një rast për ndriçimin e interesave tona. Sot, bota është e ndërvarur. Shumë probleme financiare, të sigurisë, ose kulturore mbesin të izoluara brenda kufijve tradicionalë. Ne nuk intervenuam në Bosnje në fillim të vitit 1990, kur qindra mijëra njerëz vdiqën në konflikt. A na shpëtoi kjo nga pasojat e një egërsie të atillë? Kjo vetëm sa e shtyu momentin e veprimit. Sikur ta linim Kosovën të përballej me fatin e saj, rezultati do të kishte qenë katastrofik jo vetëm për ju, por katastrofë edhe për ne.
Karakteristikat e luftës suaj ishin pjesë e një sfondi më të gjerë. Dhe përderisa ju kërkoni vendin tuaj në institucione multinacionale të qeverisjes globale, përshirë BE-në dhe NATO-n, e ardhmja juaj, përparimi juaj, po ashtu do të ushtrojnë ndikim në botë, ashtu siç ka bërë lufta juaj në të kaluarën.
Ende mbetet shumë për të shkruar në tullat e Newborn-it.
Gjatë tri vjetëve të mia të fundit, që nga largimi im nga Downing Street, unë kam punuar në pjesë të ndryshme të botës, kryesisht në Lindje të Mesme, por edhe në Afrikë dhe tashmë rregullisht vizitoj Lindjen e Largët, si dhe vendet më të njohura si Amerika dhe Evropa. Ja se çfarë kam mësuar.
Së pari, është ekstremizmi fetar dhe kulturor, e jo ideologjia politike, qoftë e djathtë apo e majtë, që përbën sfidën më të madhe me të cilën përballemi. Kam filluar një fondacion që është i përkushtuar të kultivojë të kuptuar më të mirë dhe respekt mes besimeve të ndryshme. Për mua, besimi është një pako e vlerave, një kod përmes të cilit ne udhëheqim jetët tona. Ai nuk duhet të jetë një simbol identiteti i mbajtur për të kundërshtuar ata të cilët nuk e ndajnë të njëjtin besim me ne. Ne mund të kemi shtigje të ndryshme drejt Zotit. Por përulësia ndaj respektit për vullnetin e Zotit duhet të na mësojë të mos deklarojmë pjesëtarët e një feje si superiorë ndaj atyre të një feje tjetër, ose një qenie njerëzore si inferiore ndaj një tjetre. Ne të gjithë jemi fëmijët e Zotit dhe para tij jemi të gjithë të barabartë. Besoj se pa dallim nga raca, feja, gjinia ose klasa, qeniet njerëzore duhet të kenë të drejta të njëjta kudo që ndodhen. Andaj, le të mësojmë të jetojmë me njëri tjetrin në bashkekzistencë paqësore, e të mos ndahemi mes vete nga paragjykimet ose urrejtja.
Së dyti, nuk do të mund të kishte një sihariq më të mirë të një bote të tillë sikur të ishim në gjendje të sillnim paqe në Izrael dhe Palestinë. Izraeli duhet të gëzojë sigurinë dhe njohjen e vet. Palestina duhet të ketë dinjitetin dhe drejtësinë e shtetit të tyre të pavarur, të qëndrueshëm dhe sovran. Unë po punoj në këtë drejtim si Përfaqësues i Katërshes. Dhe do të punoj në këtë drejtim deri në përfundim.
Së treti, lufta kundër varfërisë globale na prek të gjithëve. Një milion njerëz vdesin çdo vit në Afrikë vetëm nga malaria, shumica gra dhe fëmijë. Ne mund ta gjykojmë secilën shoqëri nga gjendja e të dobëtëve e jo nga gjendja e të fortëve. Kjo vlen edhe për një komb. Është e vërtetë edhe për komunitetin global. Nëse dështojmë të ndihmojmë luftën e popullit afrikan për një të ardhme më të mirë, ne do ti zhgënjejmë ata dhe vetëm sa do të mënjanojmë telashe më të mëdha për vetë të ardhmen tonë.
Së katërti, ndërvarësia të cilën e përmenda nuk është në zbehje e sipër por është duke u rritur. E shohim atë në krizën financiare. E shohim atë në ndryshime klimatike dhe mjedis. E shohim atë në luftën kundër terrorizmit. E shohim atë në luftën kundër krimit të organizuar. Ne së shpejti do të shohim edhe shpërfaqjen e çështjeve të tjera: siguria e ushqimit, ujit, popullatës.
Kështu që bota në të cilën rriten fëmijët tanë është një botë ku kombet nuk rrinë të vetmuara por të bashkuara, ku njerëzit nuk ndahen nga njëri tjetri por jetojnë së bashku dhe ku secili prej nesh ballafaqohet në një botë përherë e më të vogël, që ndryshon dhe zhvillohet në mënyrë rapide e shtyrë nga shkenca, teknologjia dhe globalizimi.
Vendet të cilat do tia dalin, njerëzit të cilët do të kenë sukses, janë ata të cilët kanë mendje të hapur, që janë tolerantë, të gatshëm të përshtaten, të gatshëm të jenë partnerë, të etur për dije. Kombet që e kuptojnë këtë mund të përparojnë shpejt, madje edhe nëse nisen më vonë. Kombet të cilat nuk e kuptojnë, do të rrëshqasin tatëpjetë edhe nëse fillojnë shumë më herët.
Kjo është bota që e përshëndet shtetin tuaj të ri të Kosovës. Ju mund ta shikoni dhe të shihni sfidat politike, zhvillimore, të kapaciteteve institucionale, të cilat mund të duken shkurajuese vetëm ti mendosh.
Por imagjinojeni këtë: me qëndrimin e duhur nuk ka asgjë që ju nuk mund të arrini. Pse e them këtë? Sepse shikoni se çfarë keni arritur. Nga një vend, populli i të cilit ishte dëbuar nga shtëpitë e tyre, ishin vrarë, shtypur e harruar, ju keni krijuar një simbol të shpresës, përkushtimit dhe lirisë.
Atë që bëtë atëherë për të krijuar shtetin e Kosovës, tashmë duhet ta bëni për ta ndërtuar atë. Nuk është një ëndërr e parealizuar, një iluzion, nuk është diçka përtej mundësive tuaja. Ju kishit një ëndërr më herët. Ju e realizuat atë. Tashmë keni një ëndërr tjetër. Që një ditë në të ardhmen, dhe shpresoj se do të jetoj për ta parë, Kosova të zë vendin e saj si anëtare e Bashkimit Evropian, si një shtet i pavarur e krenar, i cili jo vetëm që drejton çështjet e veta të brendshme, por që luan pjesën e vet në çështjet më madhore politike dhe ekonomike të Bashkimit Evropian dhe të botës.
Për ta bërë këtë, ju duhet ti mishëroni vlerat që janë themel i Republikës së Kosovës. Ato vlera pa dyshim se kanë të bëjnë me lirinë. Por, po ashtu ishin edhe vlera të brendshme të vetë Evropës. Që pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe holokaustit të mos shihej më kurrë racizmi me tërë egërsinë e vet, shtypja e njerëzve, që kurrë më të mos lejohej masakrimi i pamëshirshëm i njerëzve të pafajshëm, që asnjëherë të mos kalonim pranë atyre të cilëve mund tu ndihmojë, duke i lënë të vuajnë pa u ndihmuar. Padrejtësia ndaj një personi ishte padrejtësi ndaj të gjithëve. Mu për këtë ne bënim gjënë e duhur për të çliruar Kosovën dhe popullin e saj nga tirania. Këto janë vlerat tona të përbashkëta. Ato janë po aq të rëndësishme sot sa ishin kur luftuam për to së bashku këtu në Kosovë para njëmbëdhjetë vjetësh. Ato vlera na lidhin së bashku, juve dhe kombeve të tjera në Ballkan, në paqe, në Evropë në të ardhmen.
U dëshiroj fat dhe ju faleminderit. Ishte nder tu ndihmoja juve atëherë. Është kënaqësi të jem me ju sot. Do të ishte privilegj të jem pjesë e së ardhmes suaj të ndritur.