Tjetërsimi është zemra e mercenarizmit
Shkruar nga Milazim Krasniqi
Mercenarët me prejardhje shqiptare që participojnë në organizata si ISIS janë të frymëzuara nga mësimet ekstremiste, të cilat universalizmin e dikurshëm islam e kanë zëvendësuar me një lloj arabizmi arkaik.
Nga ana tjetër, nuk do të ishte i mundshëm rekrutimi i të rinjve shqiptarë në këso organizatash, pa kaluar ata vetë nëpër një proces të thellë të tjetërsimit, pra të shkëputjes nga identiteti kulturor e kombëtar shqiptar
Tragjedia e Sirisë, e Gazës dhe e Irakut, si edhe gjithë e ashtuquajtura Pranvera Arabe, janë përcjellë me indiferencë nga opinioni publik shqiptar në Kosovë, po edhe në gjithë botën shqiptare.
Ka pasur vetëm lajme të huazuara nga agjencitë e huaja të lajmeve, të përkthyera shkel e shko e të shkurtuara si mos më keq, të kryera nga persona që nuk kanë pasur as njohuritë elementare për atë rajon. (Është bërë barsoletë thënia e një prezantueseje lajmesh, e cila i qe ankuar drejtorit të përgjithshëm se në desk dikush po tallej me të, sepse emrin e një shteti që ishte në luftë, herë po ia shkruante Irak e herë Iran!) Kësisoj ndër vite luftërat dhe revolucionet në botën arabe janë përjetuar si ngjarje nga ndonjë planet tjetër.
Vetëm kur filloi implikimi i mercenarëve shqiptarë në ato luftëra, në Siri dhe në Irak, filloi të rritej raportimi për ngjarjet e atjeshme dhe të rritej edhe interesimi i opinionit për zhvillimet në atë rajon. Por, sërish vetëm në mënyrë selektive e fragmentare, në pajtim me përfytyrimin provincialist dhe egoist të botës.
Rimongolizimi i Arabisë - për rikonfigurimin e saj
Mirëpo, participimi i disa mercenarëve shqiptarë në ato konflikte, tashmë po shoqërohet me një raportim senzacionalist, i cili sikur e ka si synim që opinionin publik ta shndërrojë në një masë histerike, e cila bëhet e gatshme që ta përdorë edhe vetë terrorin kundër bartësve të ideologjisë dhe të veprimit terrorist.
Mënyra se si u raportua për aktin morbid të Lavdrim Muhaxherit dhe si po raportohet nga një pjesë e medieve për arrestimin e dyzet e dy shtetasve të Kosovës, të dyshuar për veprimtari terroriste, e ka në vete edhe synimin që të përftohet një masë histerike kundër vetë fesë islame në vend. Por, ky histerizëm vërtet nuk ndihmon as që të kuptohen rrënjët e konflikteve në botën arabe dhe as që të çrrënjosen idetë e këtilla të rrezikshme ndër grupe të caktuara ekstremistësh shqiptarë.
Përkundrazi, lufta efikase kundër ekstremizmit morbid të tipit të Lavdrim Muhaxherit dhe shokëve të tij, do të jetë e fituar nëse krijohet fronti i përbashkët i shtetit ligjor me komunitetin mysliman në vend, kundër çfarëdo forme dhe veprimi ekstremist e terrorist.
Po qe se vazhdon tendenca që nën pretekstin e luftës kundër veprimtarisë terroriste të eksponentëve të caktuar, të luftohet në paketë edhe feja islame ndër shqiptarë dhe të kufizohen liritë dhe të drejtat fetare të besimtarëve paqësorë myslimanë, kjo do të ishte saktësisht ajo çka dëshirojnë ekstremistët. Prandaj, shteti ligjor dhe gjithë opinioni duhet ta bëjnë qartë këtë ndarje, duke dhënë mesazhin se pikërisht lufta kundër shfaqjeve ekstremiste e terroriste, është në favor të besimtarëve paqësorë dhe të lirive të tyre në shtetin e së drejtës.
Në këtë kontekst, që në fillim duhet të thuhet qartë se ekstremistët shqiptarë që shkojnë në luftërat e ndyra në Siri dhe në Irak, në radhët e organizatave terroriste ISIS, Al Nusra ose ndonjë tjetër, nuk janë përfaqësues të kurrkujt atje.
Madje, ata nuk kanë shkuar atje as nga ndonjë ndjenjë e sinqertë fetare mirëfilli islame. Po të kishin ndjenja të atilla, ata më shumë do të ishin të predispozuar ta ndihmonin popullin e pambrojtur të Gazës, fjala vjen, se sa të inkuadroheshin në luftërat civile ndërmjet vetë myslimanëve në Siri dhe në Irak. Por, atyre nuk u ka interesuar fare Gaza me tragjedinë e saj. Atyre u ka interesuar të jenë në kalifatin islamik, ku kanë mundësi që ata vetë të kryejnë terror dhe që të jenë përfitues nga veprat e tyre të terrorit.
Ata janë të indoktrinuar në atë mënyrë që prioritet e kanë vrasjen e myslimanëve të devijuar. (Në pakon e tyre të terrorit futen edhe të krishterët dhe të tjerët, por prioritet mbeten myslimanët e devijuar. ) Në këtë revan ata janë bërë pjesëtarë të eskadronëve që përdorin taktikat e dikurshme mongole të tokës së djegur, të xhamive të rrënuara, të bibliotekave të djegura, të qyteteve të bëra shkrumb e hi, të banorëve të prerë në fyt dhe të kufomave të bëra stivë për të tmerruar botën mbarë.
Rikthimi i taktikave të terrorit në stilin e hordhive mongole, pas më shumë se tetë shekujsh, është një tragjedi morale e botës arabe, e cila e paskësh ruajtur brenda vetes virusin virulent të barbarisë së hershme mongole. Gjasat janë që kjo barbari e rizgjuar dhe e riaktivizuar, po shfrytëzohet si pjesë e një skenari të madh gjeopolitik, ku këto organizata terroriste, veçmas ISIS-i, janë vu në rolin e lojtarëve të ruletit rus. Njëri prej skenarëve mund të jetë krijimi i rrethanave të pakthyeshme për formimin e shtetit të Kurdistanit.
Terrori dhe barbaria e ISIS-it e bën plotësisht të përligjshëm krijimin e atij shteti në truallin e Irakut të shpërbërë. ISIS ka shkatërruar tashmë edhe kufijtë shtetërorë të Irakut dhe të Sirisë, ashtu që janë krijuar rrethanat që kurdët duke mbrojtur veten, edhe ta proklamojnë legjitimitetin e shtetit të vet. E drejta, shteti i Kurdistanit do të duhej të ishte krijuar shumë më herët dhe me një proces paqësor, e jo si pasojë e barbarive të ISIS-it.
Por, tash gjërat janë në këtë pikë. Natyrisht, lindja e organizatave të këtilla morbide, nuk do të ishte e mundur, pa pasë ekzistuar një dekadencë e tejzgjatur e botës arabe.
Eksponentët e organizatave të tilla janë partizanë të shkollave që ka prodhuar kjo dekandencë. Edhe mercenarët me prejardhje shqiptare që participojnë në këto organizata, janë të frymëzuar nga mësimet ekstremiste të kësaj dekadence, e cila universalizmin e dikurshëm islam e ka zëvendësuar me një lloj arabizmi arkaik. Nga ana tjetër, nuk do të ishte i mundshëm rekrutimi i të rinjve shqiptarë në këso organizatash, pa kaluar ata vetë nëpër një proces të thellë të tjetërsimit, pra të shkëputjes nga identiteti kulturor e kombëtar shqiptar.
Disa pandehma jobindëse për motivet e ekstremistëve shqiptarë
Tash këtu shtrohet pyetja: kush e ka provokuar atë tjetërsim kulturor, kombëtar po edhe fetar? E para e punës, duket se ata persona nuk kanë pasur formime të tilla fare, sepse po ti kishin, shtresat e tyre do ti kundërviheshin tjetërsimit kaq radikal. Në raste të tilla, pra kur nuk ka bazament të edukimit minimal kulturor, kombëtar e fetar nga tradita shqiptare, mund të ndodhë që një identiteti fetar i sponsorizuar shpejt e shpejt, të bëhet skajshmërisht virulent.
Por, duhet pasur para sysh se në shoqërinë tonë këto janë raste e jo dukuri. Prandaj nuk besoj ti ketë prodhuar arsimi i dobët, sikundër pohojnë disa vrojtues qëllimmirë, sepse në atë rast do të ishin kontingjente shumë më të mëdha, meqë viktima të arsimit të dobët publik janë shumica e pjesëtarëve të shoqërisë sonë.
Nuk besoj as që varfëria është shtytësi kryesor i këtij mercenarizmi të ri, natyrisht pa përjashtuar edhe raste të mundshme. Secili prej nesh njeh me qindra të rinj që janë shumë të varfër, por që nuk u ka shkuar e nuk u shkon kurrë mendja të shkojnë në Siri e Irak e të bëhen vrasës.
Nuk janë bindëse as pandehmat se këtë shkuarje në luftërat e ndyra në Siri e në Irak e nxitka qeverisja e keqe e vendit. Ajo mund të nxitë dhe fatkeqësisht ka nxitur ikje masive drejt Perëndimit, për një jetë më të mirë, por jo shkuarjen në luftëra të ndyra si këto në botën arabe.
As raportimet e medieve, sado keqdashëse që mund të jenë, nuk provokojnë këso veprimesh.
Aq më pak kanë pasur e ndikim në këso nxitjesh debatet intelektuale e mediale për të kaluarën tonë dhe idetë për rishkrimin e historisë. Personat e tillë nuk ndihen pjesë e kësaj historie, e studiove ose nuk e studiove, e rishkrove ose nuk e rishkrove.
Ata ideologjikisht dhe faktikisht janë bërë pjesëtarë të një tjetër historie. Shqyerja e pasaportës së Kosovës nga ana e Lavdrim Muhaxherit është metaforë e këtij tjetërsimi. Ai këtu do të kthehej vetëm si hakmarrës. Në fakt, pjesëmarrësit me prejardhje shqiptare në luftërat civile, në Siri e ne Irak ndihen pjesëtarë të historisë së krijimit të kalifatit islam, e jo të historisë së kombit shqiptar.
Ne duhet ta pranojmë se jo të gjithë ata që lindin shqiptarë, edhe mbesin të tillë. Ka që asimilohen dhe ka që konvertohen. Por, qasja jonë edhe në këtë rast duhet të jetë racionale: veprimet e tyre janë individuale dhe duhet të trajtohen si të tilla. Prandaj, opinionet se për shkak të këtyre rreziqeve duhet mos studiohet dhe të mos rivlerësohet e kaluara historike, janë të pabaza.
Studimet dhe debatet intelektuale nuk mund të kushtëzohen nga sjelljet e terroristëve realë e as atyre potencialë. Pikërisht, bllokimi i studimeve dhe debateve shkencore e intelektuale, është terreni më i përshtatshëm për të gëluar injoranca e prej andej tjetërsimi kulturor, arroganca dhe dhuna.
Më së paku kanë të bëjnë këto veprime mercenarësh të maskuar me petk fetar gjoja me nacionalizmin shqiptar. Përkundrazi, po të ishte nacionalizmi shqiptar më potent, më gjithëpërfshirës dhe më veprues, hapësira për këso deformimesh mercenariste, do të minimizohej.
Çfarë duhet të bëhet
Atëherë çfarë duhet të bëhet, që të ndërpriten këto trende tjetërsuese, që prodhojnë mercenarë e terroristë nga pjesëtarët e kombit tonë?
E para, shteti ligjor duhet të veprojë me vendosmëri dhe të tregojë qëndrueshmëri në mbrojtjen e interesave qytetare e shtetërore. Procesimi i dyzet e dy të dyshuarve të deritashëm për veprimtari terroriste, është një test i rëndësishëm. Shteti nuk duhet të bjerë në grackën e fushatave mediale, që të dënojë të dyshuarit para se të dalin në një proces të drejtë gjyqësor.
Por, shteti as nuk duhet të zmbrapset nga çuarja në vend e drejtësisë, pavarësisht çfarë sfidash mund të ketë. Në këtë mes, duhet të ruhet ekuilibri duke respektuar në plotni liritë dhe të drejtat fetare të besimtarëve paqësorë, me të cilët duhet të forcohet aleanca për ruajtjen e paqes në shoqëri dhe për mbrojtjen e interesave shtetërore e kombëtare. E dyta, integrimi i përshpejtuar i Kosovës dhe i rajonit në strukturat euroatlantike, është me rëndësi strategjike edhe në këtë kontekst.
Në rast të integrimit të plotë evro-atlantik, edhe dilemat e fundit kulturore, që mund të provokojnë tendenca tjetërsuese në individë ose grupe margjinale, do të fashiteshin. Dhe është e sigurt se në Evropën e bashkuar, liritë dhe të drejtat fetare të myslimanëve do të ishin më të garantuara, se sa në shtetet e tashme ballkanike në tranzicion dhe të pllakosura nga kleptomania dhe çmoralizimi postkomunist.
E treta, pas këtyre përvojave të hidhura, është e domosdoshme që të bëhet një riorganizim i plotë i komunitetit mysliman dhe i institucioneve të tij përfaqësuese në Kosovë. Duhet të lind një partneritet i ri ndërmjet shtetit dhe institucionit përfaqësues të komunitetit, i cili do të ishte larg nga islamokraciae tashme.
Institucioni përfaqësues i besimtarëve do të ishte mirë të emërtohej si kategori kushtetuese dhe të hartohej një ligj sa më mirë për organizimin e jetës fetare në vend. Në atë rast Bashkësia Islame e Kosovës do të duhej të ishte transparente me zgjedhjen e drejtuesve dhe me rekrutimin e të gjithë kuadrit, si në të gjitha institucionet e tjera publike. Po ashtu duhet të bëhet plotësisht transparente edhe me financat, qoftë nga anëtarësia, qoftë nga donacionet.
E katërta, duhet të dinamizohet integrimi kulturor mbarëshqiptar, si alternativë e provincializmit, që po prodhon letargji dhe tjetërsim kulturor. Edhë në ditët që kaluam, secili vrojtues ka mundur të vërejë rëndësinë e gjithëpërfshirjes në debat të gjithë elitës shqiptare. Prandaj, edhe dalja nga kufijtë e provincializmit dhe të primitivizmit është një armë shtesë kundër ekstremizmit që duket i veshur me petk fetar, por që esencialisht është produkt i krizës së identitetit.