TIFOZERIA AGRESIVE - PËR MUNGESËN E VETËRESPEKTIT
Milazim KRASNIQI
Në librin Nacionalizmi shqiptar e kam shpjeguar krizën e mendimit dhe veprimit shqiptar të sotëm, i cili si mendim në krizë, është konfuz, emotiv, agresiv, primitiv dhe shkakton edhe kontuzion (ndrydhje) të atij pak indi që na mban si shoqëri e edhe si komb.
Fatkeqësisht, për çdo ditë e shoh të verifikohet teza ime themelore që kemi krizë të rëndë të mendimit dhe zëvendësimin e nacionalizmit fisnik shqiptar të rilindësve me pseudonacionalizëm, me demagogji, me hipokrizi, me poshtërsi. Nuk jam i lumtur për saktësinë e tezave të mia.
Edhe më pak jam i lumtur që kjo u vërtetua edhe në mënyrën se si u reagua ndaj ndeshjes së futbollit Shqipëri-Zvicër, me një dalldisje kolektive, tipike për dalldisjet bizantine në hipodrome, ndërsa pas humbjes së Shqipërisë, me një histerizëm agresiv, me mallkime e me kërkesa që të gjenden e të dënohen fajtorët.
E kam thënë edhe në ndonjë rast tjetër, se është e pabesueshme ngjashmëria e reagimit kolektiv shqiptar me shkarkimet e dikurshme kolektive bizantine. Në fakt, kjo ngjashmëri është edhe e frikshme, sepse bizantinët, me atë prirje tifozerish të dalldisura, e çuan veten drejt vetë shkatërrimit. Pra, alternimi i dalldisjes me dëshpërimin, është i rrezikshëm, sepse dëshpërimi kërkon fli, kërkon fajtorin, kërkon armikun, kërkon shpagimin.
Kështu ndodhi edhe kësaj here, pas humbjes së merituar të Shqipërisë nga Zvicra. Një histerizëm kolektiv ka shpërthyer kundër futbollistëve shqiptarë që luajtën për Zvicrën. Mallkime, fyerje, etiketime, kërcënime nga më të ndyrat, u janë drejtuar atyre djemve, që realisht do të duhej të ishin krenaria jonë, së paku po aq sa janë edhe djemtë e tjerë të Kosovës, që luajnë në kombëtaren e Shqipërisë. Por, kjo mënyrë e reagimit, në rend të parë, tregon mungesën e vetërespektit të shqiptarëve të Kosovës.
Pse? E para, sepse Kosova është shtet dhe si i tillë do të duhej të respektohej me përparësi, para çdo shteti tjetër. (Injorimi i Kosovës për Shqipërinë aktuale, qoftë dhe vetëm në futboll, nuk e zhbën dështimin historik të shqiptarëve për ta krijuar me kohë shtetin etnik shqiptar. Kjo Shqipëri aktuale, nuk është Shqipëria etnike.)
E dyta, sepse Kosova ka një reprezentacion futbolli, i cili tashmë po hyn në skenën e futbollit evropian e botëror dhe i cili kërkon përkrahje e mbështetje, për tu fuqizuar e për të pasur sukses. Në këtë kontekst, Kosova ka më së shumti nevojë për futbollistët tanë që luajnë për Zvicrën, sepse ata mund ti bashkohen ekipit të Kosovës. Po qe se do të kishim vetë respekt, pra identifikim me shtetin tonë e edhe me djemtë tanë që luajnë sot për Zvicrën po nesër do të mund të luajnë për Kosovën, nuk do të ndodhte ajo dalldisje për ekipin e Shqipërisë dhe ato fyerje për djemtë e Kosovës, që luajtën për Zvicrën. Pra, kjo ishte fyerje e vetvetes.
Përndryshe, njerëzit e Kosovës, në rend të parë tifozëria do të duhej të mendonte e të gjente zgjidhje logjike për këto tre pika:
1) djemtë tanë që luajnë për Zvicrën, e që në të ardhmen mund të luajnë për Kosovën, a janë kultivuar si të tillë në në Kosovë e në Shqipëri, apo mos janë rezultat i edukimit dhe investimit të Zvicrës në ta?
Pra, nëse ata vijnë të luajnë për Kosovën në të ardhmen, nëse e ndjejnë atë si dëshirë, i bie që ne ia marrim Zvicrës, e cila ne nuk na ka marrë ne, po i ka ngritur ajo vetë. Shmangia e këtij fakti na bën mosmirënjohës.
2) Djemtë e Kosovës që luajnë për Shqipërinë, e që po ashtu mund të luajnë në të ardhmen për Kosovën, Shqipëria i ka marrë të gatshëm, pa investuar në ta, siç ka bërë Zvicra me të tjerët. Ekipi i Shqipërisë i ka marrë pse ua ka nevojën e jo për të na nderuar neve si Kosovë. Në rast se ne do të kishim vetërespekt si shtetas të Kosovës, në këtë rast do të duhej që Shqipëria të ishte borxhli ndaj Kosovës (dhe vendeve ku ata futbollist janë kultivuar) e jo që ne të humbim kokën pas një Shqipërie imagjinare.
3) E treta e vërteta: qytetarët e Kosovës logjikisht dje do të duhej të ishin me të dyja ekipet, me Shqipërinë e me Zvicrën, për hir të djemve Kosovës, të cilët në të dyja ekipet luajtën me zemër e me profesionalizëm. Ne duhet ti mirëprism ata të gjithë në ekipin shtetëror të Kosovës dhe të gëzohemi që mund të shohim futboll të mirë prej tyre.
Prej kësaj, kushdo që në një lojë futbolli imagjinon bërjen e Shqipërisë etnike, është një injorant me brirë. Në librin tim Nacionalizmi shqiptar, kam argumentuar se projekti i bashkimit kombëtar dhe i Shqipërisë etnike në versionin e rilindave, ka pësuar disfatë ,ndërsa në kohën tonë ai projekt nuk ekziston fare. Elitat politike, intelektuale, fetare, sindikale, etj., kanë hequr dorë prej tij. Pikë. Nuk mund ti zëvendësojnë tifozët e futbollit.
Në fakt, unë nuk kam asgjë kundër tifozëve të futbollit, kur janë në fahun e tyre, kur nuk synojnë ta bëjnë ligjin e atdhetarisë. Ata janë në të drejtën e tyre të jenë me një ekip o me një tjetër, të gëzohen e të hidhërohen, të dalldisen e të deprimohen. Punë e tyre është. Por, ata nuk kanë të drejtën që të krijojnë sistemin e vlerave me atdhetarë e tradhtarë. Thjesht, nuk është punë e tyre.
Bile, puna e parë e tyre do të duhej të ishte që investimin në tifo, gëzimin dhe dëshpërimin e vet ta menaxhojnë brenda hapësirave të sportivitetit dhe të mos krijojnë alibi as për dështimet eventuale në jetën reale me gjoja pasionin për futboll. Një ditë e lexova një slogan të një tifozi që ma ndali frymën: Jetojmë për ty, fito për ne! Ky slogan më mirë se gjithçka tjetër, tregon kotësinë e jetës së njeriut të sotëm, të quajtur tifoz futbolli. Jo vetëm ndër ne, po më gjithë botën. (12 qershor 2016)