Thirrje për protesta të qeta e dinjitoze
Shkruar nga Jakup Krasniqi
Po ju drejtohem atyre që do të shprehin revoltën e tyre në protestën e paraparë për nesër në ora 12.00.
Prona e institucioneve të Kosovës është pronë e qytetarëve të saj dhe çdo dëmtim i kësaj prone është dëmtim i interesave të të gjithë qytetarëve te Republikës.
Ju garantojmë se përmes shkatërrimeve materiale që u bëhen objekteve të institucioneve të Kosovës nuk dëmtohen ata që janë ulur në këto institucione.
Qeveritarëve të kësaj sorte që i kemi ne, nuk u dhimbset thyerja e xhamave dhe dëmet në fasadën e ndërtesës së qeverisë. Përkundrazi, të njohur për TENDEROMANINË ata do tu gëzohen dëmeve të tilla sepse parashohin përfitime në kurriz të popullit.
Prandaj, duke i njohur mirë udhëheqësit e shtetit të Kosovës, nuk e përjashtojmë mundësinë që në mesin e atyre që kishin sjellje vandale gjatë protestave të jenë të dërguarit e qeverisë me qëllim të zhvendosin vëmendjen nga problemet reale që i shtyn qytetarët e Kosovës të protestojnë në pseudo probleme të kurdisura nga pushtetarët.
Populli i Kosovës do të protestojë me dinjitet edhe pse i është nëpërkëmbur dinjiteti! U bëj apel qeveritarëve të Kosovës të mos dërgojnë vandalët për ti dhënë karakter tjetër protestës!
Të nderuar qytetarë,
Ejani që te Protestojmë me kulturë e dinjitet!