26 Dhjetor 2024

Themelimi i Universitetit të Tetovës

Shkruar nga Arsim Sinani

Vetëm disa vite pas themelimit të Universitetit të Prishtinës (1970), intelektualët e paktë shqiptarë në Maqedoni kërkonin atëbotë një fakultet në gjuhën shqipe në kuadër të Akademisë Pedagogjike në Shkup. Ishin këto kërkesa minore dhe të një kapaciteti shumë limitues të shqiptarëve të këtushëm, sepse jetonin në një kohë të trysnisë komuniste dhe denoncuese.

Në konsultime e sipër, inteligjencia shqiptare, kryesisht ajo që jetonte dhe vepronte në Kosovë, takohej dhe organizonte aktivitete të ndryshme që kulmuan me themelimin e një organizate të shqiptarëve të Maqedonisë në Kosovë dhe që u pagëzua Forumi i Intelektualëve Shqiptarë. Dhe kjo do ishte një nismë e mirë për të ardhur në një konkludim se diçka lipsej të bëhej me shqiptarët e Maqedonisë.

Në takime dhe konsultime që kryesisht bëheshin në Kosovë, një pjesë e intelektualëve që vepronin në atje, për arsye të ndryshme lëvizën drejt Maqedonisë dhe kjo ishte një shtytje e mirë për të bërë diçka më shumë për çështjen shqiptare. Në takimet që mbaheshin në Kosovë, u ngrit nisma për themelimin e një Bashkësisë kulturore, të quajtur Bashkësia Kulturore Shqiptare (BKSH), e cila luajti një rol të rëndësishëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare në vitet 1991-1992 .

Vetëm disa vite pas themelimit të Universitetit të Prishtinës (1970), intelektualët e paktë shqiptarë në Maqedoni kërkonin atëbotë një fakultet në gjuhën shqipe në kuadër të Akademisë Pedagogjike në Shkup. Ishin këto kërkesa minore dhe të një kapaciteti shumë limitues të shqiptarëve të këtushëm, sepse jetonin në një kohë të trysnisë komuniste dhe denoncuese.

Kjo ide për fakultetin, që brenda një harku kohor pësoi transformim, në fillim të viteve të '90-ta, kur mendohej se po piqeshin kushtet për hapjen e shtigjeve demokratike në Maqedoni, pas aplikimit të pluralizmit politik, doli në shesh me një dimension të ri dhe më të guximshëm .

Takimet dhe aktivitetet e ndryshme, orët letrare, falja e gjaqeve, sensibilizimi i masës, lëshimi nga burgjet i të përndjekurve dhe patriotëve e intelektualëve shqiptarë sollën një frymë të re.

Një frymë e cila do të rezultonte me mbajtjen e një takimi të intelektualëve shqiptarë, të cilët në sallën e Kuvendit Komunal të Tetovës morën një vendim shumë të rëndësishëm për themelimin e një universiteti në gjuhën shqipe. Për këtë shkak, më 4 qershor 1994, në Tetovë u mbajt Kuvendi i Intelektualëve Shqiptarë të rangut universitar nga Maqedonia, ku u mor ky  vendim:

Jepet iniciativë për themelimin e universitetit në gjuhën shqipe në Maqedoni, me seli në Tetovë. U zgjodh Kryesia për themelimin e universitetit në përbërje prej tre anëtarësh: dr. Fadil Sulejmani, dr. Agni Dika dhe dr. Murtezan Ismaili.

U zgjodh njëkohësisht Këshilli themelues (amë) në përbërje prej 18 anëtarëve, nga tre për gjashtë fakultetet që do të themeloheshin: Fakulteti Filologjik (dr. Mahmud Hysa, dr. Ismail Ahmedi dhe Mr.Nexhibe Palloshi); Fakulteti Filozofik (dr. Masar Kodra, dr. Havzi Mustafa dhe dr. Gjylymsere Kasapi); Fakulteti Juridik - Ekonomik (mr. Musli Halimi, mr. Abdulla Aliu dhe mr. Petrit Pollozhani); Fakulteti Pedagogjik (dr. Tahir Zajazi, mr. Rahim Ganiu dhe mr. Abdyrauf Pruthi); Fakulteti Teologjik (dr. Feti Mediu, mr. Bari Aliu dhe Sulejman ef. Rexhepi); dhe Fakulteti i Arteve (Adem Kastrati, Miftar Memeti dhe Zijadin Ismaili). Universiteti filloi të punojë në vitin shkollor 1994-1995. Selia e universitetit ishte caktuar të jetë qyteti i Tetovës.

Universiteti i Tetovës për shqiptarët në Maqedoni ishte njëri nga projektet më konkrete jo vetëm arsimore, por edhe kombëtare.

Ndonëse kishte edhe një projekt tjetër më madhor kombëtar, ai i Autonomisë politike-territoriale, për shkaqe tashmë të njohura ky nuk u kurorëzua deri në fund. Projekti për Universitetin shqip ishte i rëndësishëm edhe për faktin se ishte i vetmi që u sendërtua me vullnetin e pakontestueshëm të popullit shqiptar në Maqedoni, përkundër trysnisë së pushtetit mbi themeluesit e tij. Pushteti maqedonas atij i dha epitetin e projektit politik, me qëllim që në momentin e duhur edhe ta rrënojë .

Pas nismës për themelimin e Universitetit në Tetovë, Këshilli nismëtar kërkoi nga këshillat komunale të Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës (që ishin me shumicë shqiptare A.S.), si dhe nga përfaqësuesit politikë në Parlamentin dhe Qeverinë e Maqedonisë, që të marrin përsipër sjelljen e aktvendimit për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe, thuhet në Deklaratë.

Pasi që deklarata u aprovua me duartrokitje, Kuvendi i përfundoi punimet, ndërsa organet e zgjedhura mbajtën takimin e vet të parë, që të konkretizohen dhe intensifikohen punët.

Këto përpjekje të inteligjencies shqiptare u kurorëzuan më 17 dhjetor të vitit 1994, kur edhe zyrtarisht u kumtua se është marrë vendim për themelimin e Universitetit të Tetovës.

Ky gjest u prit me shumë entuziazëm dhe gëzim nga ana e popullatës shqiptare, por jo edhe nga popullata dhe strukturat shtetërore maqedonase, të cilat haptazi kundërshtuan dhe deshën ta parandalojnë hapjen e tij. Por, masat ishin marrë dhe takimi themelues ishte mbajtur në para-lagjen e Tetovës, Reçicë të Vogël, ku edhe u nënshkrua dokumenti i parë për themelimin e Universitetit të Tetovës. Themelimi i Universitetit të Tetovës do të kundërshtohej dhe do të shpallej si jo legjitim nga ana e pushtetit maqedonas.

Mirëpo, falë përkrahjes së popullatës, inteligjencies dhe studentëve që u regjistruan në këtë Universitet, ky institucion u bë vatër e arsimit shqip dhe ishte mbrojtësi kryesor i gjuhës, arsimit dhe kulturës së shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë.

E vërteta është se kemi dy momente kur flasim për themelimin e Universitetit të Tetovës, pasi që strukturat shtetërore nuk arritën t’i bindin dhe mashtrojnë me një Fakultet Pedagogjik që do të hapej në Shkup,. Prandaj kemi themelimin që ndodhi në Reçicë të Vogël, ndërsa disa nga drejtuesit e Partisë së Prosperitetit Demokratik nënshkruan aktin e themelimit në selinë e saj, natën vonë, një ditë para shpalljes së aktit të themelimit (17 dhjetor 1994), me çka u unifikua blloku politik, arsimor dhe kulturor i shqiptarëve të Maqedonisë .

Ky incizim nga firmosja e aktit të themelimit shkoi në Televizionin Shtetëror Shqiptar (RTVSH) dhe është një moment pak i njohur deri më tash që nuk është sqaruar nga ana e themeluesve të Universitetit. E vërteta është se, drejtuesit e PPD-së, të vënë para presionit të shqiptarëve, nënshkruan aktin e themelimit, pasi që të dyja partitë e tjera Partia e Prosperitetit Demokratik e Shqiptarëve (PPDSH) dhe Partia Demokratike Popullore (PDP), bashkë me disa organizata të tjera joqeveritare shqiptare veç më kishin nënshkruar aktin e themelimit të Universitetit të Tetovës.

Në këto rrethana duhet veçuar qëndrimin shumë vizionar të prof. dr. Fadil Sulejmanit dhe të prof. Milaim Fejziut, si dhe të miqve të tyre, të cilët u mbështetën nga rinia dhe popullata shqiptare, përfshirë dhe diasporën shqiptare, e cila financoi fuqishëm këtë projekt me të gjitha mjetet e nevojshme, që të mund të mbijetonte në këto kushte kur shteti maqedonas ishte kundër.

Universiteti i Tetovës lindi si dëshirë e madhe e shqiptarëve të Maqedonisë për arsimin dhe edukimin, ndaj dhe mbetet edhe sot si një vatër kapitale e shqiptarëve të Maqedonisë.

Ndikimi i faktorit politik shqiptar në Tiranë ishte shumë i rëndësishëm, sepse Tirana zyrtare e mbështeti nëpërmjet të gjitha mekanizmave. Ambasada e Republikës së Shqipërisë bëri gjithçka që ky projekt të funksionojë si duhet.

Kjo gjë mund të shihet edhe në librin e gazetarit, Bujar Muharremi, si dëshmitar i kohës. Dihet botërisht se ekipi televiziv i TVSH-së  u arrestua, pasi që ndikoi drejtpërdrejtë në zhvillimet në Maqedoni. Ndërsa intelektualët e Kosovës ishin ata që e krijuan bërthamën dhe erdhën në kohë okupimi, duke u arrestuar në Tetovë, por edhe në kufirin Kosovë-Maqedoni, por asnjëherë nuk hoqën dorë dhe krijuan kuadro për këtë Universitet të rëndësishëm për shqiptarët.

Tentimi për ta penguar funksionimin e Universitetit të Tetovës

Pushteti maqedonas dhe participienti qeveritar shqiptar (PPD) u përpoqën që ta ndalojnë funksionimin e Universitetit të Tetovës dhe nisën makinerinë policore drejt Tetovës, sepse ishte paralajmëruar se në Kuvendin Komunal të Tetovës do të shpallej akti i themelimit.

Në prag të hapjes u arrestuan intelektualë dhe patriotë shqiptarë, u mbyll TV ART dhe u burgosën drejtuesit e saj, sepse kishin filmuar dhe transmetuar në Televizionin Shqiptar aktin e themelimit. Ditën e hapjes së Universitetit të Tetovës, policia në mbrëmje dhe herët në mëngjes arrestoi dhe bastisi familje e njerëz që mendohej se janë të rëndësishëm, si dhe u vu në kërkim të nismëtarëve prof. dr. Fadil Sulejmani dhe prof. Milaim Fejziu, por drejtuesit ishin larguar në drejtim të panjohur (pas shpalljes, pavarësisht se kjo nuk ishte ende publike).

Në të vërtetë, akti i themelimit të Universitetit të Tetovës kishte ndodhur disa ditë më parë dhe ishte firmosur para kohe, për shkak të frikës së bllokimit të shpalljes së aktit të themelimit nga organet shtetërore maqedonase. Drejtuesit e Universitetit të Tetovës duhej të qëndronin në arrati, derisa të bëhej gjithçka publike se akti i themelimit ishte kryer.

Atë ditë të shpalljes së themelimit të Universitetit të Tetovës (17 dhjetor 1994), popullata shqiptare defiloi drejt komunës së Tetovës, por u pengua nga policia që të afrohej dhe të hyjë brenda. Nga drejtues të asaj kohe (Arbër Xhaferi, Rufi Osmani, Menduh Thaçi, Hysni Shaqiri etj.) u njoftua se veç më ishte firmosur akti i themelimit të Universitetit të Tetovës. Në mbrëmje, në një konferencë shtypi, drejtuesit e Universitetit të Tetovës deklaruan mbi aktin e themelimit të Universitetit të Tetovës.

Funksionimi i këtij universiteti filloi nëpër shtëpitë private dhe objekte të tjera private në rrethinën e Tetovës, për t’u rezistuar deri në zyrtarizimin e plotë të tij, pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit.

3.4.    Protestat për legalizimin e Universitetit të Tetovës 1994-2001

Meqë Universiteti i Tetovës u shpall si jolegal nga Qeveria e Maqedonisë, filloi veprimi i nismëtarëve në 3 forma:

I.   Sensibilizimi i opinionit ndërkombëtar

II.  Gjetja e mënyrës për ta bindur Qeverinë e Maqedonisë për ta njohur  Universitetin e Tetovës

III.  Beteja brendashqiptare për tërheqjen e më shumë studentëve shqiptarë dhe fondeve për të  ekzistuar Universiteti i Tetovës.

Sensibilizimi filloi me vizitat në Amerikë dhe në Evropë, ku drejtuesit e Universitetit të Tetovës dhe faktori politik shqiptar gjetën mbështetje të fortë te lobi shqiptar në Amerikë dhe ish- kongresisti amerikan, Jozef Diogradi, mbështeti këtë proces duke qenë edhe vetë prezent në disa nga manifestimet kryesore për themelimin e Universitetit të Tetovës, përderisa pushteti e shpalli person të padëshirueshëm, por nuk arriti ta përzë derisa ai vetë nuk u largua.

Diogardi për këto ngjarje thotë: “Unë dhe shoqja ime ishim në Tetovë për ta hapur Universitetin e Tetovës, me ç’rast u vra një student dhe u rrahën shumë të tjerë nga sllavët maqedonas, për të mos dhënë shqiptarëve të drejtën e arsimimit cilësor. Ne e sollëm Arben Xhaferin dhe Fadil Sulejmanin në Uashington, ku patëm një seancë për çështjen kombëtare shqiptare dhe kërkesat për të drejtat e njeriut ”.

Roli i tij shihet edhe në letrën që kongresisti, Benxhamin Gilman i drejton kolegut Christofer H.Smith, ku i kërkon që ta takojë për problemin e Universitetit të Tetovës. Duket qartë se interesimi amerikan ishte shumë i madh dhe jo më larg se tre ditë, më datë 13 shkurt 1995, kongresisti Christofer H. Smith i përgjigjet: ”Unë jam i interesuar të dëgjoj nga ju, pas kthimit nga udhëtimi në Maqedoni, për rihapjen e Universitetit të Tetovës.

Kuptoj se ju nesër do të arrini në Maqedoni. Të qenit një anëtar i Kongresit, mendimi juaj është shumë dobiprurës. Ashtu siç diskutuam, do të doja që të ndani me mua ngjarjet një javë pas kthimit tuaj. ”

Në këtë proces, një rol shumë të rëndësishëm të sensibilizimit luajti diaspora e vjetër dhe e re shqiptare në perëndim, e cila u bë faktori kryesor i ekzistencës së këtij institucioni arsimor. Derisa Shkupi zyrtar e kontestonte dhe e karakterizonte si “Universitet ilegal i Reçicës së Vogël”, diaspora shqiptare krijoi një fond të fuqishëm financiar, i cili i garantonte Universitetit punë të mëtutjeshme për mbijetesë në këto kushte.

Drejtuesit e Universitetit të Tetovës arritën që ta bindin diasporën për rëndësinë e ekzistencës kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë dhe diaspora u bë një mur i fuqishëm, duke luajtur një rol të rëndësishëm deri në ditën e legalizimit. Pavarësisht se kjo nuk është analizuar dhe nuk është dokumentuar mirë, shkaku i përndjekjes permanente nga pushteti maqedonas, edhe sot nuk dihet saktësisht ndihma që i është dhënë nga diaspora shqiptare.

Diaspora shqiptare ishte karta kryesore e drejtuesve të Universitetit të Tetovës, ajo tanimë kishte krijuar lidhje të veta me perëndimin dhe lehtësisht depërtoi në institucionet arsimore, të cilat e njohën pa kurrfarë problemi Universitetin e Tetovës, pasi që nuk e kuptonin logjikën pse një universitet nuk duhej të njihej.

Nga arkivat e Universitetit të Tetovës shihet se Universitete amerikane  dhe evropiane njohën atë, ndërsa filloi edhe këmbimi i studentëve të cilët lëvizën drejt Perëndimit. Diaspora shqiptare ishte mjaft e koordinuar, saqë pushteti në Shkup nuk arrinte të bëjë asgjë në këtë drejtim, pavarësisht nga aparati i fortë shtetëror. Më 15.2.1995, në tubimin e madh mbarëpopullor, kongresisti amerikan, Xhozef Diogardi, me shumë emocione foli shqip: ”Mos ke frikë, se ke vllaznit në Amerikë,” një simbolikë e bukur nga një ish-kongresist me prejardhje shqiptare që në momentet kyçe erdhi dhe e mbështeti hapjen e këtij institucioni të rëndësishëm arsimor të shqiptarëve në Maqedoni.

Pasi që Universiteti i Tetovës u themelua me modelin e Kushtetutës në fuqi dhe me formën se si ishin themeluar Universiteti i Shkupit dhe ai i Manastirit, kjo praktikë u zbatua edhe gjatë këtij themelimi, të cilin duhej ta bënin në mënyrë zyrtare tre kuvendet komunale me shumicë shqiptare: Kuvendi i Komunës së Tetovës, Kuvendi i Komunës së Gostivarit dhe Kuvendi Komunës së Dibrës. Mirëpo, kjo nuk ishte e mjaftueshme ligjërisht për drejtuesit të Shkupit, të cilët penguan këtë proces me të gjitha mjetet e mundshme, por edhe me ndihmën e pjesëmarrësit shqiptar në qeveri, që heshti dhe u distancua.

Pas kësaj, filluan protesta mbarëpopullore, që u mbështetën nga spektri politik, përveç PPD-së, e cila ishte në pushtet, por nuk ndërmori asgjë për legalizimin e universitetit. Këto protesta arritën që ta alarmojnë faktorin ndërkombëtar dhe t’i zgjojnë shqiptarët nga gjumi.

Disa nga kërkesat e shqiptarëve në këto protesta ishin:

- të legalizohet Universiteti i Tetovës;
- gjuha shqipe të bëhet gjuhë zyrtare në Maqedoni;
- gjuha shqipe të përdoret lirshëm në institucionet e RM-së;
-  të përdoret lirshëm flamuri shqiptar, dhe
- një varg kërkesash që kryesisht kishin të bënin me të drejtat elementare të shqiptarëve të Maqedonisë.

Këto protesta vazhduan në gjithë qytetet e Maqedonisë dhe patën jehonë të madhe. Po ashtu, këto protesta ndikuan në krijimin e opinionit se çështja shqiptare në Maqedoni është e hapur dhe se ka problem në mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Protestat e mobilizuan popullatën dhe e vetëdijesuan faktorin politik shqiptar në pozitë, që të mos merr vendime që janë në kundërshtim me interesat e shqiptarëve.

(Shkëputur nga studimi zyrtarizimi i gjuhës shqipe 1990 -2013)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)