Thaçi në Samitin Botëror të Liderëve të Ndryshimeve
Shkruar nga Hashim Thaçi
Dy dekadat e fundit kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore periudhën që ka pasuar pas Luftës së Dytë Botërore, apo rendin e ri global të pasluftës. Ngadalë jemi duke u vetëdijesuar për këtë fakt, mirëpo ndryshimet janë këtu, ato mund të shihen.
Në fund të tetëdhjetave dhe në fillim të nëntëdhjetave siç mund ta kujtojmë qytetarët nëpër vendet Evropiane marshonin për liri. Ndryshimet në Evropën Qendrore dhe Lindore, rënia e Bashkimit Sovjetik, fundi i Luftës së Ftohtë, dhe gjithashtu fundi i rendit të një bote bipolare janë ndryshime, që janë të dukshme edhe sot.
Shpallja e Pavarësisë nga Parlamenti i Kosovës paraqet një datë historike dhe një fazë të re për popullin e Kosovës. Tani në tri vite të shtetësisë së Kosovës dhe të institucioneve të saj shtetërore, Republika e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, është njohur nga 75 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, prej tyre nga shtetet më të fuqishme në botë, duke përfshirë SHBA-në dhe shumicën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të NATO-s, Këshillit të Evropës etj. Kjo reflekton mbështetjen e madhe që shteti i ri i Kosovës gëzon në arenën ndërkombëtare, si dhe të drejtën legjitime dhe vullnetin e popullit të Kosovës për të krijuar një ambient ku mbizotëron demokracia dhe sundimi i ligjit.
Të gjitha shtetet fqinje e kanë njohur Kosovën, përveç Serbisë. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë shpalli aktgjykimin që deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Ajo çka dëshiroj të them është se ne të gjithë e dimë të kaluarën e raporteve Kosovë Serbi, të gjithë e dimë të kaluarën e hidhur, të errët dhe armiqësore, të cilën shumë e kanë përjetuar, por, tani është hapur një kapitull i ri, ai i integrimeve euroatlantike të të dyjave vendeve.
Duke u ndërlidhur prapë me ndryshimet rreth nesh, ne kemi përjetuar edhe zhvillimin tjetër që ka luajtur një rol të rëndësishëm nga fundi i tetëdhjetave me ndryshimet që ndodhën në botë zhvillimi i një shoqërie me praninë e teknologjisë së re informative.
Nga fundi i të tetëdhjetave dhe fillimi i nëntëdhjetave, jemi konfrontuar me një valë të madhe të informatave. Ishte qarkullimi i shpejtë i informacionit dhe lajmeve që e vuri çështjen e Kosovës në mediat botërore, ku të gjitha vendet botërore u informuan për luftën dhe shtypjen, që ishte duke ndodhur në Kosovë.
Gjithashtu, jemi dëshmitarë vite me radhë tani, të triumfit të quajtur Internet, i cili po ndryshon shoqëritë tona, në mënyra që nuk po mund ti parashikojmë. Rrjetet shoqërore Twitter, Facebook e kanë bërë të pamundur që dikush të fshehët në këtë botë, apo të neglizhojë qytetarët e vet, duke menduar se askush nuk do të merr vesh.
Mu në këto ditë dhe kjo nuk mund të imagjinohej kohë më parë nga Lindja e Mesme na vijnë imazhe që me të vërtetë na kthejnë kujtimet se çka kemi përjetuar në Evropë në shekullin e kaluar: njerëzit duke mbledhur guximin, njerëzit duke lënë anash frikën, njerëzit duke folur qartë për atë se çka mendojnë, dhe duke denoncuar padrejtësinë.
Të gjithë ne, të mbledhur këtu duke u nisur nga përvojat tona personale mund të deklarojmë se ne qëndrojmë afër këtyre njerëzve që ngrisin zërin e tyre në rrugë. Për këtë edhe duhet të shtojmë se ndryshimet që po ndodhin janë ndryshime të paqes dhe arsyes.
Mirëpo, kjo nënkupton së ndryshimet duhet të formësohen. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të ndihmojnë këto vende, ashtu siç i kanë ndihmuar Kosovës që të ndërtojë një shtet demokratik me një të ardhme në strukturat EuroAtlantike.
Shtetformimi i Kosovës është një storie suksesi në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, që nga shumë profesorë në universitete prestigjioze të botës përmendet si një rast studimi se si Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-ja u bënë bashkë dhe krijuan një partneritet që të ndalojnë luftën.
Tani Republika e Kosovës është një faktor i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit në rajon, dhe bashkëpunimit rajonal për një fqinjësi të mirë drejt Bashkimit Evropian.
Pra, Amerika së bashku me Evropën, së bashku me shtetet tjera në partneritet duhet të gjejnë modelin më të mirë të demokracisë që do ti përshtatej njerëzve që jetojnë në këto vende dhe kulturës së tyre.
Pra, ky partneritet i shteteve duhet që në njërën anë të ndihmojë dhe në anën tjetër të dijë se cili model i demokracisë do të ishte më i përshtatshmi për stabilitetin në këto rajone.
Ishte edhe dekada e parë e shekullit 21, që na solli ngjarje dramatike, së pari ishte 11 shtatori 2001, sulmet terroriste mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kriza e thellë ekonomike globale, ku një krizë të ngjashme bota nuk kishte përjetuar për dekada me radhë.
Përkundër krizës ekonomike globale financiare, në periudhën viteve 2008-2010, ekonomia e Kosovës, ka shënuar rritje. Rritja e ekonomike ka rezultuar me normë mesatare të rritjes së Bruto Produktit Vendor (BPV) më shumë se 5 %.
Qeveria e Republikës së Kosovës, i ka kushtuar rëndësi të veçantë investimeve kapitale, si një parakusht themelor për zhvillim ekonomik të vendit dhe përmirësim të kualitetit të jetës së qytetarëve. Kështu, në vitet 2008-2010, buxheti për investime kapitale është rritur për më shumë se dy herë në krahasim me vitet paraprake.
Kosova është nënshkruese e disa marrëveshjeve multilaterale dhe bilaterale që kanë ndikim ekonomik.
Marrëveshje si CEFTA, SEETO, Traktati i Athinës (TKE) janë të një rëndësie të veçantë për Kosovën, pasi që këto mundësojnë të bëhemi partner plotësisht i integruar në rajon, si dhe ti përforcojmë lidhjet me fqinjët tanë, por edhe krijojnë parakushtet për hapjen dhe liberalizimin e tregut të Ballkanit Perëndimor.
Me një rendësi të veçantë është pjesëmarrja e Kosovës në Marrëveshjen e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA). Edhe pse ka pengesat e veta, Kosova në vjeljen e të gjitha beneficioneve të CEFTA-së, prapë se prapë Kosova ka përfituar nga pjesëmarrja e një tregu me mbi 50 milionë banorë.
Kosova është një shtet i ri me spektër të gjerë të nevojave për zhvillim. Qëllimi jonë është që duke bashkëpunuar me partnerët tanë ti realizojmë më shpejtë prioritetet tona zhvillimore. Kosova ofron mundësi të shumta investimi:
* Pasuri me resurse natyrore: linjit, plumb, zink, nikel, dhe tokë pjellore
* Popullatë të re dhe të motivuar (70% nën moshën 35 vjeçare) kemi popullatën më të re në Evropë. Përderisa është një përgjegjësi e madhe, rinia në të njëjtën kohë është një aset i çmueshëm që kemi. Ndërsa puna në Kosovë (rroga mesatare) është e krahasueshme me rajonin.
* Kemi Kornizë ligjore dhe kompatibile me atë të BE-së
* Stabilitet makroekonomik dhe financiar- Valutë zyrtare: Euron kjo ka sjellë kredibilitet dhe stabilitet në sistemin tonë financiar.
Shumë njerëz këtu, me siguri e kujtojnë kohën kur gjetja e një pune të mirë nënkuptonte të paraqiteshe në fabrikën apo kompaninë më të afërt.
Jo çdoherë është kërkuar të kesh një diplomë, dhe konkurrenca jote ishin fqinjët e tu. Puna ishte e vështirë, mirëpo ishte një punë nga e cila do te pensionoheshe, dhe do të krenoheshe nëse edhe fëmijët e tu do të punonin për kompaninë e njëjtë.
Ajo botë ka ndryshuar. Për shumë njerëz ky ndryshim ka qenë i dhimbshëm. Mund ta shohim këtë në dritaret e thyera të fabrikave të cilat dikur kanë qenë shtylla të ekonomisë së vendeve tona.
Brenda një gjenerate kemi parë zhvillime teknologjike që kanë transformuar mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Dikur fabrikat kishin nevojë për dhjetëra mijëra punëtorë, tani punën e njëjtë mund ta bëjnë vetëm me qindra punëtorë. Tani çdokush mund të hapë kompani, të prodhojë, dhe ti shes produktet anembanë botës, kudo që ka një lidhje interneti. Pra e gjithë bota është shndërruar në një treg global.
Prapë dua të ritheksoj, se të gjithë ne këtu kemi përgjegjësi, në njërën anë kemi një organizatë si NATO që të vazhdojë të mbajë frymën e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, dhe të angazhojë vendet anëtare që të diskutojnë sfidat e reja që kemi përpara, sepse të gjitha këto sfida nuk kanë ekzistuar dekada më parë.
Sfidat si terrorizmi ndërkombëtar nuk ishte një sfidë serioze në nivel global, siç është tani. Sfidë tjetër është edhe zhvillimi i programeve nukleare, si dhe sigurimi i armëve nukleare që ato të mos bien në duar të gabuara.
Të gjitha këto sfida globale, na bëjnë që të mendojmë se si ti adresojmë këto sfida së bashku, jo vetëm vendet Evropiane së bashku më SHBA-të, mirëpo të gjitha shtetet anembanë globit që janë të interesuara të jenë pjesë e partneritetit për paqe dhe marrëdhënie të mira transatlantike.
Sepse, tani nuk jemi duke jetuar në një botë bipolare, tani jemi duke jetuar në një botë multi-polare, me fuqi botërore në ngritje të cilat duhet të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë globale.
Tani dua të kaloj në pjesën tjetër të fjalimit, duke adresuar balancet e reja që këto ndryshime kanë sjellë në botën në të cilën jetojmë sot.
Por, këtu më duhet të ndërlidhem prapë me çështjen e krizës globale financiare dhe ekonomike, si dhe strukturave të reja të fuqive në botë.
Kriza globale financiare dhe ekonomike jo vetëm që krijoi inflacion, papunësi, e edhe bankrotime të disa nga korporatave më të fuqishme botërore të cilat asnjëherë nuk do ti paramendonim, por ndodhën por gjithashtu krijoi një ristrukturim në skenën globale të fuqive botërore.
Disa vende dolën më të fuqishme nga kriza, se sa që ishin para krizës, pra u shndërruan në fuqi ekonomike. Ato tani janë të gatshme të luajnë një rol të rëndësishëm. Në anën tjetër, ekonomitë në rritje, të cilat janë duke arritur një fuqi të madh ekonomike, duhet që përveç përgjegjësisë që kanë tani në ekonominë globale, gjithashtu të marrin përsipër më tepër përgjegjësi në fushën e sigurisë dhe politikave të jashtme.
Për këtë shkak është e rëndësishme që vendet sikur Kina të luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në botë.
Pra, zonja dhe zotërinj, këto janë sfida që të gjitha vendet pa marrë parasysh se a është një superfuqi si SHBA-të, apo një vend i vogël si Kosova, të gjitha duhet të luajnë rolin e tyre në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje për rrugën që duhet të vazhdojmë përpara.
Për shume sfida tani shtetet janë duke nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit. Përderisa për fuqitë botërore terrorizmi ndërkombëtar, apo mbrojtja nga sulmet kibernetike janë ndër sfidat që duhet adresuar me prioritet, vendet si Kosova ende kane prioritete në nivel rajonal që me hapa konkret të përmirësojnë jetën e qytetarëve të tyre.
Gjatë këtij mandati qeverisës dhe atij të kaluarit, institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në procesin e liberalizimit të vizave. Në këtë drejtim në maj të vitit 2009 Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar udhërrëfyesin dhe planin e veprimit për Liberalizimin e vizave.
Gjatë muajve të fundit theks i veçantë i është kushtuar arritjes së parakushteve për fillimin e liberalizimit të vizave, të cilat janë vlerësuar nga Komisioni Evropian si të përmbushura, dhe të cilat e kanë hapur rrugën për marrjen e Strategjisë për Liberalizimin e Vizave.
Së fundi dua edhe njëherë të ritheksoj se Republika e Kosovës si një shtet i ri Evropian, me banorët e saj të njohur si Evropianët më të rinj, është e gatshme të luaj rolin e saj si një vend që di të marr përsipër përgjegjësitë që dalin nga kjo botë që është gjithmonë në lëvizje.
Gjithashtu dua të theksoj se Kosova është një vend që luan rol të rëndësishëm në paqen dhe stabilitetin në rajon.
Në kuadër të kësaj ne kemi arritur që të hapim një kapitull të ri në shtetësinë tonë, dhe kemi filluar të diskutojmë me shtetin fqinjë Serbinë, që të përmirësojmë jetën e të gjithë banorëve të Republikës së Kosovës.
Nëse ne bashkëpunojmë me shumë të tjerë në botë, besoj se ky bashkëpunim mund të jetë shtyllë e rëndësishme që ta bëjmë botën një vend më të mirë për të gjithë, edhe pse duhet të pranojmë se problemet dhe sfidat do të vazhdojnë.
Pra, Kosova si një vend i ri, është e gatshme që të luajë rolin e vet, duke zhvilluar ekonominë, duke përgatitur rininë e vet për tregun botëror të punës, duke përmirësuar klimën e investimeve, dhe çka është më e rëndësishmja duke forcuar sundimin e ligjit.
Prandaj ftoj edhe vendet tjera ti përcjellin arritjet e Kosovës dhe të binden në shoqërinë e pjekur dhe demokratike kosovare si dhe ta njohin realitetin e ri të krijuar në Kosovë.