26 Dhjetor 2024

Testi i një kryetari

Shkruar nga Albin Hasanxhekaj

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në 100 ditët e para të qeverisjes së tij, nuk do të notohet pozitivisht për veprimet që bënë por, për vendimet e menqura që i sistemon në mendeje si ide dhe koncepte, dhe që të njëjtat i hedh në letër si prioritete dhe pastaj i realizon në praktikë.
I.
Ende nuk janë mbushur 100 ditë që kur u zgjodhën kryetarët e 38 Komunave të Republikës së Kosovës, dhe më pas, u konstituuan edhe kuvendet komunale. Zgjedhjet e 3 Nëntorit 2013, ishin më të mirat të mbajturat ndonjëherë. Ky nivel i arritur zgjedhor, konceptohet në domenin e demokracisë së avancuar dhe të kulturës zgjedhore. Dhe, a kishte befasi në këto zgjedhje?

Befasia kryesore zgjedhore, ishte humbja e LDK-së në kryeqytet dhe fitorja e Vetëvendosjes. Në raport me humbjen e LDK-së dhe me fitoren e Vetëvendosjes, ka pasur të dëshpruar dhe të gëzuar. Kështu ndodh kudo, në përfundimi të procesit zgjedhor. Por, i dëshpëruari kryesor në kryeqytet, Isa Mustafa, e ka uruar kundërshtarin e tij politik për fitore, z. Shpend Ahmeti.

Kryetari i ri i Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, paralelisht me pakon e tij të premtimeve gjatë fushatës zgjedhore, e ka nisur punën në cilësinë e kryetarit me një dozë jo shumë të hetueshme të entuziazmit, por edhe me një dozë të hetueshme të frikës qeverisëse.

E kuptueshme kjo gjendje e Ahmeti, kur kihet parasysh se kryeqyteti ka një shtrirje të madhe territoriale-urbane dhe një moshë që e shquan më shumë për qeverisje të dehumanizuar, agresive dhe gati-gati bastardhuese.

Kryeqyteti, e ka një dekadë të rënd e plotë vuajtje (1981-99) të stisur edhe me  sakatosje e gjymtime urbane, administrative etj. Por edhe pas vitit 1999, kryeqyteti nuk është qeverisur bash siç është kërkuar, dhe siç është dashur. Veç kësaj, kryeqytetit i ka munguar edhe liria e zhvillimit, ashtu si edhe cilësia planifikuese urbane, kostoja e duhur materiale etj.
 
Kundruall paradokseve të dukshme, nganjëherë edhe të kuptueshme kryeqytetit tonë nuk i kanë munguar investitorët, sidomos investitorët privat. Rrethi i këtyre investitorëve, kanë qenë mërgimtarët (vëllezërit dhe motrat tona) të cilët, kursimet e tyre disavjeqare i kanë sjellur në Kosovën e pasluftës për t’i investuar në vendin e tyre të shtrenjtë. Ata, i kanë përdorur këto investime si kanë ditur dhe si kanë mundur.

Nganjëherë, edhe pse kanë hasur në vështirësi, ata investimet e tyre nuk i kanë kthyer prapa. Me ngulm, kanë dashur të investojnë në Kosovën e shkatërruar nga lufta, dhe sidmos në Prishtinë. S’kanë hequr dorë dhe nuk janë dekurajuar edhe kur janë ballafaquar me sfida adminstrative, pronësoro-juridike e besa edhe me probleme të natyrës keqpërdoruese-korruptive etj.

II.
Prishtina e pasluftës, shpejtë e ka ndryshuar pamjen e saj. Për katër – pesë vitet e pasluftës, relievi urban dhe konfiguracioni zhvillmor, është përshkuar nga makineria ndërtuese dhe nga arkitektura evropiane e planifikimit dhe e ndërtimit. Prishtina, ka marrë një pamje të re. Vrazhdësia historike dhe politike e saj si shkak i ndikimit dhe pushtimit shekullor serbojugosllav, është mbuluar me betonin e lirisë. Imazhi dhe pamja e Prishtinës së dikurshme socialiste me akitekturë lindore – sllave, është fshirë me prezencën dhe përdorimin e arkitekturës perëndimore – moderne. Objekte të bukura-artistike shumëkatëshe, e kanë shndërruar Prishtinën për pak vite, në një qytet evropian.

Qytetarët, shoqëria jonë pavarësisht kokëqarjeve të përditshme, rimëkëmbjes së vështirë nga paslufta dhe pasojat e saj, i janë gëzuar rritës së kryeqytetit dhe gjithë vendit. Ani se jo gjithëçka ka ecur mirë dhe sipas dëshirave tona, dhe janë evidentuar edhe problem të natyrave të ndryshme duhet të kujtojmë me kujdes dhe krenari se, zhvillimi i shpejtë dhe i bukur Prishtinës i ka mahnitur të gjthë! Në veqanti, i ka mahnitur mijëra shtetas të vendeve të ndryshme që ishin, e një pjesë e vogël e tyre janë edhe sot, pjesë e misioneve të ndryshme ndërkombëtare, që prej atyre të sigurisë, e deri te stafet politike të OSEB-së, të UNMIKU-ut, të OJQ-ve të ndryshme etj.      
III.
E bëra këtë përshkrim pak si të parcializuar, por me qeverisjen e re të z. Ahmeti dhe me “100 ditëshin e pritur të tij”, mund të polemizohet. Disa ide dhe veprime që po inicohen nga administrata e tij, janë për t’u analizuar.

Janë cok, për t’u stopuar. Qeverisja komunale “Ahmeti”, pa analizë të mirëfilltë dhe konstatime, po e hapë çështjen e rrënimit të objekteve kapitale: atyre të banimit! Ky është një nonsens, nëse mbështetemi në pikëpamje të qarta politike dhe ligjore. Pse? Ndërtimet kapitale, siç janë objektet shumëkatëshe edhe kur bien ndesh me infrastrukturën ligjore dhe të projektit, nuk ka arsye të rrënohen sepse është investimi i bërë në ato objekte ai që, nuk guxon të anashkalohet. Vetëm në raste tepër specifike urbane, mund të bëhet një gjë e këtillë.

Komuna, administrata komunale dhe faktorët e tjerë institucional, në rastet kur çështjet janë të përfunduara kryekreje përdorin dhe marrin për bazë përvoja të ndryshme, gjejnë forma të caktuara ligjore etj., dhe i zgjidhin problemet.

Legalizimi, është forma më adekuate vendore dhe ndërkombëtare ajo që në rastet si në Prishtinë, përdoret për t’u tejkaluar situata. Mendoj që z. Shpend Ahmeti si kryetar dhe administarat e tij, nuk duhet të nisen nga veprimet e pa analizuara dhe nga inercioni politik, e ta zbatojnë qeverisjen duke pas si paravan metodologjinë rrënuese qeverisëse. Konteksti i rrënimeve, mbështet në arsye racionale dhe, konsekuenca. Në kryeqytet, duhet së pari që të hapet mundësia e legalizimit kur dihet se ndoshta rreth 10 mijë objekte të ndryshme, janë pa leje.

Në kryeqytet, duhet të stopohen automatikisht ndërtimet pa leje, dhe pa infrastrukturën e duhur. Pushteti komunal dhe qeverisja e z. Ahmeti, ka me mijëra punë të tjera përpara se t’i urdhëroj kompanitë rrënuese që, ta pështjellojnë edhe më shumë kryeqytetin. Nuk duam rrënime, por ndërtime. Asosh ndërtime, që e hapin një epoke të re qeverisëse që mbahet mend...



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)