Terrori dhe dhuna shtetërore kundër lëvizjes shqiptare në Kosovë e Sanxhak
Shkruar nga Ismet Azizi
Kolonizimi i trojeve shqiptare ishte një proces që kishte filluar që në vitin 1912. Ai mori hov gjatë viteve ‘30, kur qëndresa e armatosur ishte më e dobët.
Duke bazuar planin e kolonizimit të viseve etnike shqiptare, kolonët vendoseshin në radhë të parë në pikat strategjike të këtyre trojeve, siç ishte brezi kufitar me shtetin shqiptar.
Kolonët sllavë vendoseshin gjithashtu gjatë nyejve të komunikacionit rrugor dhe hekurudhor, si dhe në luginat e fushata pjellore.
Gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, në tokat shqiptare janë vendosur rreth 15 000 familje kolonësh me rreth 75 000 frymë.
Sipas disa të dhënave, gjatë periudhës 1918-1941, në viset etnike shqiptare janë ngritur 1000 koloni sllave. Si rrjedhojë e zbatimit të politikës agrare-kolonizuese, u ashpërsuan marrëdhëniet ndëretnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbo malazezëve.
Deri në fillim të vitit 1941, nga reformat agrare kolonizuese u prek rreth gjysma e tokave bujqësore dhe u godit gjysma e popullsisë fshatare shqiptare.
Statistikat e marrjes së tokave të kaçakëve dhe e tokës së braktisur nga familjet shqiptare që kishin filialet agrare ishte kjo gjendje: në filialin e Mitrovicës, në të cilën bënin pjesë këto rrethe administrative: Mitrovicë, Dezheva (Pazar të Ri) Senica, Shtavica (Tutini) Vuçitërna, Llapi, dhe Drenica, u morën tokë të kaçakëve 170, 86 ha, e tokë e lënë shkretë 4090,40 ha, tokë e punueshme 3900 ha.
Përveç këtyre, si rrjedhojë e shpronësimit të fshatarësisë shqiptare dhe e kolonizim të tokave të tyre, ndryshime të dukshme pësoi edhe struktura etnike.
Më 1912 shqiptarët përbënin 90% të popullsisë, kurse në vitin 1941, përqindja e tyre ra më rreth 70 %. megjithatë, falë qëndresës së organizuar të popullit shqiptarë, nuk u arrit objektivi i Mbretërisë Jugosllave për ndryshimin rrënjësor të strukturës etnike në favor të minoritetit sllav.
Në Kosovë është vendosur regjimi i terrorit dhe i eksploatimit. Nëpunësit fundërrina të Mbretërisë Jugosllave u futën në Kosovë për t’u pasuruar. Gjuha shqipe është larguar nga jeta publike, ndërsa shkollat nuk u hapën.
Për shkak se në alfabetin serb cirilik dhe latin, nuk ka shkronja për të gjithë tingujt e shqipes, shpesh ka ndodhur që gjatë regjistrimeve, emrat dhe mbiemrat të ndryshohen.
Çubrilloviq, para se gjithash, ia sheh për të madhe qeverisë mbretërore se në Ballkanin e trazuar dhe të përgjakur... kanë aplikuar metoda perëndimore për zgjidhjen e problemeve të mëdha etnike!...” “Arnautët janë i vetmi popull i cili pati sukses që në mijëvjeçarin e fundit jo vetëm të mbijetoj afër bërthamës së shtetit tonë, Rashkës dhe Zetës, por edhe në dëm tonin të shtyp kufijtë tanë etnikë në drejtim të veriut dhe lindjes...”.
Prof. Branko Horvat, në librin e tij “Çështja e Kosovës”, lidhur me elaboratin e Çubrillovqit shkruan: “Po të ishte realizuar ky plan, ai pa dyshim, do të kishte fashisoidizuar Jugosllavinë, ndërsa popullit serb do t’ia kishte vënë një njollë, të cilën brezat e tëra nuk do të kishin munduar ta lanin. Profesori Horvat, kur e shkroi librin e tij, kishte kaluar një vit nga dalja në skenë të S. Milosheviqit, andaj edhe nuk mund ta paramendonte se çka do të ndodhë në vitet në vijim.
Për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, asimilimin e shqiptarëve të fesë katolike, si dhe në copëtimin e shtetit shqiptar, është angazhuar edhe Ivo Andriq (1892-1975), i cili në vitin 1961, mori çmimin “Nobel” për letërsi.
Andriqi, me kërkesën e Stojadinoviqit, në vitin 1939, hartoi elaboratin special në të cilin, midis tjerash, thuhet: “Me ndarjen e Shqipërisë nuk do të ekzistonte qendra atraktive për pakicën shqiptare në Kosovë, e cila, në një situatë të re, më lehtë do të ishte asimiluar, ne do të kishim marrë eventualisht edhe 200 000 - 300 000 shqiptarë, por ata janë më tepër katolikë raporti i të cilëve me shqiptarët myslimanë kurrë nuk ka qenë i mirë. Çështjen e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi gjithashtu do të ishte realizuar në rrethanat reja, sepse nuk do të ishte asnjë aksion i fortë që të pengohet kjo”.
Rezistenca e shqiptarëve kundër shpërnguljes nuk ka pushuar asnjëherë. Kjo rezistencë zhvillohej gjithandej, si në parlament, në masën e gjerë popullore, nëpërmes shkrimeve dhe raporteve të ndryshme në gazeta etj. Krerët shqiptarë, si Ferhat Draga, Aqif Blyta Sherif Voca , Hafiz Guta, Asim Luzha e shumë të tjerë ishin agjitatorë aktivë kundër shpërnguljes.
Sherif Voca në parlamentin jugosllav vuri në dukje se edhe interesat e përgjithshme të shtetit kërkojnë që çështja agrare mos ta rrezikojë ekzistencën e masave popullore shqiptare.
Ai gjithashtu kërkoi nga qeveria jugosllave ta përmirësojë gjendjen në jug të vendit që nënkuptonte Sanxhakun, Kosovën e Maqedoninë. “Shqiptarët nuk kërkojnë rrugë të asfaltuara, ...as që kërkojnë detyra nëpunësi,... nuk presin pension, as toka nga dikush, por duan t’i punojnë tokat e veta”.
Prof. Hakif Bajrami në librin e tij bazuar në dokumentet e kohës, sjell një kujtim interesant të një studenti përparimtar, i cili shkruan: “Prej viti 1931-1941, ka qenë zbatuar një terror i përhershëm për t’i shpërngulur shqiptarët në Turqi.
Presioni qe rritur sidomos pas ardhjes së Milan Stojanoviqit në pushtet. Rinia studentore që shkollohej në Beograd, e më parë pjesërisht në Medrese të Shkupit, e pjesërisht në Gjimnaze, si Rifat Burxheviq1 nga Novi Pazari, Zenel Hajdini, Meto Bajraktari, Esad Mekuli, Hivzi Sylejmani 2 nga Mojstiri i Tutinit, e shumë të tjerë, protestuan kundër shpërnguljes së shqiptarëve.
Bajrami, H.(1981). Rrethana shoqërore politike në Kosovë 1918-1944,. fq. 177, në lidhje me shpërnguljen shkruan: Kur pushteti vërejti se paria shqiptare ishte lidhur nëpërmjet “Ilmisë islame” në Shkup, dhe se kjo ishte bërë qendër propagandistike kundër shpërnguljes, angazhoi drejtpërdrejt shërbimin informativ për mënjanimin nga skena politike të Ferat Dragës dhe përkrahësve të tij.
Në raportin zyrtar theksohet se shumica e krerëve i kanë mbetur besnikë Ferhat Dragës, si Aqif Blyta nga Novi Pazari, Shaban Mustafa nga Mitrovica, Jusuf Imeri nga Drenica, Adem Marmullaku nga Istogu, Rrustem Arlani nga Mitrovica, vëllezërit Boletini, Asim Luzha, hoxhë nga Gjakova dhe deputet i Drenicës, Haxhi Xhemajl Agushi nga Prishtina, Sali Aga nga Llapi etj. Sa i takon anës tjetër, Sherif Voca dhe Sadik Zeneli, këshilltar i banit për rrethin e Drenicës, ata ishin në kundërshtim me Feratin, gjë që e kanë vërejtur zgjedhjet fetare të viti 1937, por atëherë për t’i përçarë shqiptarët vepronte posaçërisht Fevzi Haxhihamza, avokat nga Shkupi.
Duke shkruar për kohën pas okupimit nga Serbia dhe Mali i Zi, e cila ishte kohë e pasigurisë Ilias Dobarxhiq, në shtator të viti 1940, shkruan në “Gajret”: ”Koha e njëzet viteve të kaluara, ishin vite të dhimbjeve të mëdha, të mërzitshme, të varfërisë monotonisë dhe zymtësisë. në dheun e dhimbshëm të Sanxhakut ranë sikurse bari i kositur qindra koka të prera dhe të vrara”.
Për interesa të veta dhe për përvetësimin e Sanxhakut dhe të myslimanëve të Sanxhakut treguan edhe ideologët e lëvizjes ustashe.
Mladen Lorkoviq, në shkrimin e tij të viti 1935, për kroatët myslimanë dhe për shtrirjen e tyre shkruan: “I madh është grumbulli i etnisë autoktone kroate e populluar në ish Sanxhakun e Novi Pazarit dhe në tërë Serbinë. Bëhet fjalë për myslimanët pjesa më e madhe fshatarësia, i cili në truallin e vet autokton.
Kroatët myslimanë të trevës së Novi Pazarit, shtrihen si shumicë kompakte në mes katërkëndëshit ndërmjet Novi Pazarit, Rozhajës, BjelloPoles dhe Senicës, duke përfshirë edhe këto katër lokalitete. Sipas regjistrimit të popullsisë së viti 1931, "kroato-myslimanët" e Serbisë dhe Malit të Zi numëronin 226. 000 krerë. Shumica prej tyre ishin në Senicë (44.812) dhe Shtavicë (Tutin) ( 29.192)etj., mandej në numër më i madh në rrethin e Dezhevës ( N. Pazarit) 18. 200, Milleshevë 10. 943, Plevle, 9.093, Priboj, 5.915, Pejë, 11.501, Bjelo Polje, 11.916, Mitrovicë 7,738, Beranë, 11.936.
Duke jetuar nën psikozën e frikës, në kushte të pasigurisë së përgjithshme dhe skamja të plotë, pjesa më e madhe e popullsisë myslimane nuk ka pasur asnjë perspektivë të qartë. Sforcimi zyrtar i tezes për “pakicën e kulturuar dhe të pa kulturuar” në Jugosllavi gjë që në të parën radhiteshin gjermanët, hungarezët dhe italianët, ndërsa në të dytën shqiptarët dhe boshnjakët, nuk premtonte asgjë të mirë.
Qytetet e vjetra të Sanxhakut ngadalë janë lodhur, të shtypura nga depopullimi, varfëria ekonomike e monotonia. Në viti 1921, në Novi Pazar jetonin 11 885 boshnjakë, më 1927, 10 682, dhe më 1931 - 10 361 banorë..
Nga 126. 968 myslimanë sa kishte në vitin 1911, njëzet vite më vonë, sipas Gajretit, ishin 99. 208, ortodoksë në vitin 1911, ishin 90. 461, ndërsa 1931, ishin 124. 938.
Rifat Burxheviq u lind më 11 shkurt të viti 1913, në Bijelo Pole. Rrjedh nga një familje e varfër. N moshën dyvjeçare mbete pa prindër. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Nga viti 1925 deri në vitin 1933, u shkollua në medresenë e Madhe "Mbreti Aleksandër I" në Shkup. Në vitin1933, u regjistra në Fakultetin Juridik në Beograd ku edhe u inkuadrua në lëvizjen revolucionare studentore. Së bashku me Vladimir Knezheviq, Tomash Zhizhiqin, në fshatin Trnovë, në afërsi të Mrkonjiq Grad, në natën ndërmjet 2 dhe 3 tetor 1942, në tradhti u sulmuan nga çetnikët dhe egërsisht është vrarë.
2 Hivzi Sulejmani (1910-1975) ishte një ndër shkrimtarët e parë të rëndësishëm të Kosovës, që vuri ë bazat e kësaj letërsie në prozë. Lindi dhe e u rrit në Mojstir (Sanxhak), por jetoi e punoi në Kosovë, ku edhe e mbylli jetën, duke e lidhur pazgjidhshmërisht fatin e tij me fatin e saj. U shkollua në Beograd, para Luftës së Dytë Botërore (jo për letërsi, për degë të tjetër), por ia kushtoi jetën letërsisë. Punoi dhe kontribuoi shumë në fushën e prozës, të publicistikës, të përkthimeve etj. Veprat e tij janë: “Njerëzit” (roman), Fëmijët e lumit tim” (roman), “Era dhe kolona” (tregime), “Ëndrra e korbit” etj.