Termocentralet e vjetruara shkaktojnë import të shtuar
Në mungesë të kapaciteteve të mjaftueshme për prodhimin e energjisë elektrike aktualisht jemi duke u përballur me një krizë serioze në furnizim.
Çdo ramje qoftë e planifikuar ose në rastin më të rendë e pa planifikuar në termocentralet Kosova A dhe B po krijon probleme të papërballueshme për furnizuesin KEDS/KESCO dhe automatikisht në instancë të fundit për konsumatorët, atyre te amvisërisë e sidomos bizneseve edhe ashtu të brishta dhe të lodhura të shtetit tonë.
Pajisjet e stërvjetruara të blloqeve (në Kosova A nga viti 1970 dhe në Kosova B nga viti 1983), janë në momentet e fundit te jetës së tyre, sa që edhe riparimet permanente nuk rezultojnë me një besueshmëri minimale në punën e tyre.
Kur kësaj i shtohen edhe kushtet ekstreme klimatike me temperaturat nën -20 gradë dimrit dhe mbi +30 gradë verës, atëherë nuk duhet të befasohemi me gjendjen momentale në sektorin e energjisë dhe nevojën e madhe për import.
Ska dyshim që punëtorët e KEK-ut janë angazhuar maksimalisht për të mbajtur prodhimin në nivel, duke u munduar që përkundër paisjeve të stërvjetëruara ti përmbahen planit të parashikuar.
Ky plan devijon ne masë të madhe nga fuqija e instaluar e njësive prodhuese që është sajuar duke marrë parasysh gjendjen e gadishmërisë së ultë të pajisjeve të vjetëruara dhe të konsumuara gjerë në pikën kur paraqesin rrezik per stafin punues në veqanti dhe për terësinë e Bllokut në përgjithësi.
Nevoja për import të shtuar, e që është rasti i ditëve të fundit, vjen si pasojë e rënies së njësisë A3 dhe pamundësisë së ristartimit për shkak të ngricave, largimit nga puna i njësisë A5 për shkak të rrjedhjes në gjeneratorin e avullit (ekonomizerit) dhe ndaljes së njësisë B1 për shkak të dëmtimeve në elektrofilter.
Blloku B1 ka dëmtime edhe në vijen e ventilatorit shtytës, kështuqë edhe pas sanimit të elektrofilterit, një kohë do të punojë me gjysëm kapaciteti, vetem me nje vijë të ekstraktimit të gazrave.
Jo disponueshmëria e njësive A3, A5 dhe B1 krijojnë një situatë me mungesë të konsiderueshme të energjisë - rreth 500 megavat prodhim të planifikuar për orë. Aktualisht kjo sasi së bashku me sasitë e kontraktuara më herët, duhet të importohet.
Çmimi i një megavati për orë në ditët e sotme sigurohet me çmime të ndryshme nga 130 euro deri në 350 euro, përderisa KEK-u e prodhon megavatin me 28 euro. Përveç çmimit të lartë furnizuesi ka vështirësi në sigurimin e importit për shkak të kërkesës së madhe për energji në rajon.
Nuk do mend se veshtirësitë dhe kriza energjetike do të na përcjellin edhe muajve në vijim, sa i perket vitit 2017. Parashikimet për vitet e dekadës pasuese janë edhe më të frikshme, duke marrë parasysh tre faktor kyç: rritja e konsumit për çdo vjet, degradimi i mëtutejshëm i termocentraleve ekzistuese dhe mungesa gjithnjë e më e madhe e energjisë në rajon.
Sipas MZHE-së është bërë e ditur se së shpejti pritet të fillojë projekti më i madh në sektorin e energjisë, ai i Termocentralit Kosova e Re. Shtrohet pyetja se sa do të përfitojmë me 500 megavatët e planifikuar nga elektrana e re, sa do të zbusim krizën me këtë sasi? Analizat tregojnë që edhe një kohë të gjatë nuk do të kemi stabilitet në sektorin e energjisë.
Për sivjet 52% e konsumit ishte paraparë të mbulohet me prodhimin vendor (nuk është realizuar). Vitin tjetër kjo përqindje do të jetë më e vogël, dhe kështu me rradhë edhe së paku 7-8 vjet të tjera.
Kapacitetet e reja i nevojiten Kosovës. Nuk ka qenë aspak megalomani (term i cili përdorej nga kundërshtarët e shumtë të projektit 2100 megavatësh) kur në fillim të viteve 2000 punohej në aktualizimin e projektit 2100 megavatësh, të filluar vite më parë.
Ky projekt është bazuar në resurset tona të thëngjillit, kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturës ekzistuese. Mendohej me arsye për zhvillimin e industrisë se rëndë, përpunimin e xeheve tona te çmuara këtu në vend, sjelljen e investitorëve të mëdhenjë nga i gjithë rruzulli tokësor. Së fundi do të ishim edhe eksportues të sigurt të energjisë elektrike në rajon.
Mbetemi me shpresë se strategjija e re për sektorin e energjisë 2016-2025 që parasheh investime të reja kapitale do ti perfshijë kërkesat e argumentuara për ndërtimin e kapaciteteve të reja të gjenerimit dhe jo vetëm të revitalizimeve të njesive në Kosova A dhe Kosova B.
Eliminimi sa do pak i importeve të shtrenjta të energjisë elektrike gjatë viteve që pasojnë do të mundësojë zhvillimin më te hovshëm ekonomik të shtetit tonë.
/Autori ka qenë menaxher në KEK/