Të ndërrohen emrat e xhamive nё Kosovë
Shkruar nga Bujar Abdullahu
Varësisht prej okupuesve e sistemeve të ndryshme, emrat e qyteteve, rrugëve, shkollave etj. për kohë të gjatë tek ne kanë qenë subjekt ndryshimi, dhe kjo, fatkeqësish, ka vazhduar për kohë të gjatë. Pa dyshim, këto emërime jo vetëm se janë bërë pa pëlqimin e popullatës autoktone, por gjithmonë, herë hapur e herë fshehurazi, kanë qenë të kundërshtuara nga qytetarёt e saj.
Fatbardhësisht qysh nga pavarësimi i Kosovës, mbase për herë të parë, për emrat e rrugëve, qyteteve, shkollave e institucioneve tjera, është vendosur në mënyrë institucionale dhe demokratike, nga përfaqësuesit e vet qytetarëve të Kosovës. Në këtë kontest duhet përmendur se shumica e emërtimeve të reja tani përgjithësisht janë të personaliteteve të cilët në një a mënyrë tjetër kanë kontribuar për çështjen kombëtare dhe për paqen, thjesht për një jetë më të mirë në këto hapësira.
Pasi deri mё tani jemi përballur me ndryshime të emrave të qyteteve, rrugëve etj. dhe atë me pëlqim të qytetarëve të Kosovës, besoj se është koha që tia fillojmë edhe me ndryshimin e emrave të xhamive anekënd Kosovës.
Shumë qytetar të Prishtinës Xhaminë në rrugën Nazim Gafuri e njohin si Xhamia e Madhe, por jo të gjithë e dinë se ajo xhami quhet edhe Xhamia Sulltan Mehmet Fatih. Kush ishte Sulltan Mehmet Fatih? Sulltan Mehmet Fatih ishte një ndër sulltanët më të njohur të Perandorisë Otomane, vlera e punës dhe e veprës së të cilit nga Turqia moderne është çmuar lartë, dhe, ndër tjera, shteti i Turqisë në shenj respekti e përkujtimi, ka emëruar urën e cila lidh Evropën me Azinë me emrin ura Sulltan Mehmet Fatih.
Për më tepër Sulltan Fatih ka qenë i njohur edhe si baba i pushtimeve dhe këtë epitet e fitoj, para së gjithash, për shkak se për kohë relativisht të shkurtër shtrirja e okupimeve të tij ishte marramendëse, mbase për këtë arsye në hyrje të Xhamisë së Madhe në Prishtinë është shënuar mbishkrimi Sulltan Mehmet Fatih baba i pushtimeve, dhe si të tillë e njeh edhe historia shqiptare.
Pra, pushtimet e tij dhe përhapja e vlerave osmano-turke, ndoshta, janë të pakontestueshme për perandorinë Otomane dje dhe Turqinë moderne sot, por nga ai dhe nga periudha e sundimit të tij, shqiptarizma nuk ka pasur ndonjë dobi përkundrazi. Pse kjo xhami që është ndërtuar ( së fundi edhe e rinovuar) në tokën e shqiptarëve të mos e ketë emrin e ndonjë personaliteti të njohur shqiptarë që ka luftuar për atdhe e fe larg më shumë se Sulltani pushtues.
Shumë xhami të Kosovës sikundër Xhamia Sulltan Mehmet Fatih kanë edhe emra të tjerë nëpërmjet të së cilave kanë qenë më të njohura, gjë e cila të bënë të mendosh se kjo ndodh edhe për shkak se shqiptarët në mungesë të institucioneve dhe reagimit nëpërmjet tyre për ndryshim të emrave të tillë, si dhe pamundësisë së jetësimit të një emri meritorë, para së gjithash tё personaliteteve me historik kombëtar, refuzimin e kanë arritur nëpërmjet emërimeve tё xhamive me emra tjerë.
Pra përveç Xhamisë Sulltan Mehmet Fatih e njohur si Xhamia e Madhe, në Kosovë ka mjaftë xhami të njohura me emra tё dytё, në veçanti kjo ndodh me xhamitë e ndërtuara në periudhën e sundimit Otoman. Ja disa raste vetëm nga qyteti i Prishtinës; Xhamia Sulltan Murat njihet me emrin Xhamia e Çarshisë, Xhamia Ramadanije njihet si Xhamia e Llapit, Xhamia Mehmet Beg si Xhamia e Kovaçëve, Xhamia Kaderije si Xhamia e Muhaxherëve etj. Sikur të ju pëlqentë vendasve emërimi i xhamive anekënd Kosovës me Sulltan, Pasha e Vezir kjo nuk do të ndodhte.
Ndryshimi i emrave të xhamive do të ishte mirë të fillohej, besoj, me emrat e xhamive të kryeqytetit, pra të Prishtinës, për të vazhduar tutje me komunat tjera, dhe atë duke e nisur bismilah me Xhaminë Sulltanë Mehmet Fatih si dëshmi se shqiptarizma nuk mund të largohet nga xhamit tona sado që këtë sot po e dëshiron dikush. Si dëshmi për këtë kësaj duhet ti prij si shembull vetë Bashkësia Islame e Kosovës por edhe xhemati që ndjekin ritet fetare nëpër xhami.
Gjithmonë duke pas parasysh kontributin dhe sakrificën e personaliteteve të propozuara shqiptare si në aspekt kombëtarë njashtu edhe në atë fetarë, do të ishte e udhës që emrat e patriotëve të ndryshëm të barten tek xhamitë e komunave në të cilat ata kanë lindur apo kanë vepruar, edhe pse ka shumë personalitete e heronj shqiptarë tё cilёt me punёn dhe veprimtarinё e tyre kanё tejkaluar përmasat lokale e shpesh edhe kombëtare.
Si mos ti përkujtojmë respektojmë e përjetësojmë edhe më tutje edhe nëpërmjet xhamive tona Mulla Haxhi Zekën, Mulla Idriz Gjilanin, Hoxhë Kadri Prishtinën e shumë e shumë të tjerë. Këtë nuk do ta bëjë administrata turke e Turqisë në xhamit e Ankaras, kjo nuk do ti shkoj në mend asnjëherë ministrit turk Dautogllo, kjo nuk do të ndodhë me xhamit në Stamboll edhe pse shumë prej tyre janë ndërtuar nga dora e shqiptarit.
Këtë duhet ta bëjmë ne me xhamit në tokat tona edhe si një dëshmi të kontinuitetit të asaj që po sfidohet kohëve të fundit se, shqiptarizma dhe islami mund të gërshetohen dobishëm për njeriun e këtyre hapësirave.
(Autori është kryetar i Partisë Nacionale Demokratike Shqiptare)