Të mbrohen vlerat e luftës të UÇK-së
Shkruar nga Nuhi Bytyçi
Të gjithë kemi besuar në drejtësinë ndërkombëtare dhe askush nuk ka menduar se ajo do të merret vetëm me qitjen në bankën e të akuzuarve vetëm të pjesëtarëve të një etnie, të cilët kanë luftuar për liri dhe kanë qenë viktima.
Tashmë jemi dëshmitarë se akuza kryesore e Rezolutës për formimin e Gjykatës speciale të iniciuar nga senatori Dick Marty dhe miratuar nga Këshilli i Evropës për ndriçimin e “trafikimit të organeve nga UÇK-ja”, nuk përmendet askund në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Hagës ndaj krerëve të UÇK-së.
Ngritja e aktakuzës ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara të Kosovës, sipas mendimit tim janë bazuar në disa akuza të fabrikuara nga ish-regjimi dhe regjimi aktual i Serbisë dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Sipas tyre pretendohet se nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me akuzën se të akuzuarit paskan bërë “ndërmarrje të përbashkët kriminale, kryer krimet e luftës, të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes së civilëve serbë, romë, ashkalinj, katolikë, anëtarë të LDK-së dhe të partive tjera”.
Padyshim, kjo është një ndër akuzat më të rënda ndaj tërë një ushtrie, e cila zhvilloi luftë të drejtë dhe të shenjtë për liri dhe pavarësi të popullit të Kosovës.
Akuza e tillë është fyerja dhe njollosja më e pashembullt që u bëhen të gjithë çlirimtarëve dhe popullit të Kosovës, që e mbështeti luftën e UÇK-së, por edhe të faktorëve relevantë ndërkombëtarë, miqve tanë ndërkombëtarë, që ndihmuan në çlirimin e Kosovës nga regjimi militarist e gjenocidal i Serbisë në krye me Sllobodan Millosheviqin dhe largimin përfundimtar të administratës serbe nga Kosova.
Përpjekjet për balancimin, barazimin e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krimeve që ka bërë regjimi okupues serb, amnestimi dhe përkdhelja e Serbisë, janë në kundërshtim me të gjitha normat pozitive të drejtësisë ndërkombëtare dhe kontribuojnë në destabilizimin e shtetit të Kosovës dhe të rajonit.
Ndërtimi i aktakuzës nga dosjet e Prokurorisë së Serbisë dhe të disa shërbëtorëve të saj në Kosovë, është nxitur nga disa qarqe antishqiptare dhe antiamerikane, që u vunë në agjendën e shërbimeve serbe dhe ruse në Ballkan.
Kjo padyshim është pjesë e skenarëve të regjimit aktual serb, që është vazhdimësi e ish-regjimit kriminal të Millosheviqit kundër shtetit të ri të Kosovës.
Synimi për margjinalizimin dhe para së gjithash për kriminalizimin e luftës së shenjtë të popullit të Kosovës udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, largimin nga skena politike dhe publike e Kosovës krerëve të UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës, janë pjesë e skenarëve të kahmotshëm të disa qarqeve anti UÇK dhe anti Kosovë.
Po të ishte gjallë edhe Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, me siguri se edhe emri i tij do të ishte në mesin e të akuzuarve.
Dihet se burimi i akuzave është pikërisht në Beograd, i cili nuk i ka dënuar kryesit kryesorë të krimeve mbi shqiptarët në Kosovë, ende nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra ndaj civilëve shqiptarë dhe vazhdon ti mohojë ato dhe po i fsheh gjurmët e krimeve të luftës.
Gabimet në shtetbërje, e sidomos përçarja e faktorit politik shqiptar dhe defaktorizimi i tij në Ballkan, pikërisht në momentin kur është dashur që ai të unifikohet dhe të veprojë me një strategji të përbashkët dhe largpamëse për të rrumbullakuar procesin e ndërtimin të shtetit demokratik të Kosovës dhe të njohjes ndërkombëtare të tij, ka ndikuar që pikërisht tani edhe Prokuroria speciale të ngrisë aktakuzat ndaj krerëve të UÇK-së, gjë që ka gëzuar kundërshtarët e shtetit të pavarur të Kosovës.
Prandaj, bartësit aktualë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe liderët e të gjitha forcave politike shqiptare të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, duhet të unifikohen dhe ta hartojnë strategjinë e bashkëveprimit si komb me qëllim të kundërshtimit të tendencave për destabilizimin e Kosovës, që të mbrojnë sakrificën sublime të popullit të Kosovës, të mbrojnë vlerat e lirisë dhe të shtetit të ri të Kosovës.
Kosova e ka paguar shtrenjtë çmimin e lirisë. Tani është koha që projekti i lirisë dhe shtetit ti hiqet mjegulla, që pengon ecjen përpara. Vlerat e luftës së shenjtë të UÇK-së nuk duhet lejuar që të njollosen nga askush.
Ashtu si kanë sakrifikuar, madje edhe duke qenë të gatshëm që edhe të flijohen për lirinë e saj, jam i bindur se krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do ta fitojnë edhe betejën përfundimtare para drejtësisë ndërkombëtare.
Bota e di se shqiptarët nuk ishin kriminelë, por viktima. Prandaj, viktimat nuk duhet të ndëshkohen sërish, as të nëpërkëmben, sepse e ardhmja duhet të ndërtohet mbi themele të shëndosha, humane dhe të qëndrueshme.