Të krenohemi me lojtarët shqiptarë

Shkruar nga Gani Qarri
Unë kam lindur afër atij shteti,ndjejë një lidhje me të, ndaj dhe dua të punoj aty ku mund të lë gjurmët e mia do të deklaronte trajneri legjendar i kombëtares zvicerane Ottmar Hitzfeld. Kjo shprehje në momentet nëpër të cilat po kalojmë ne si komb, kam frikë se edhe për shumë kohë, nuk do mbetet moto vetëm e trajnerit me famë botërore të futbollit.
Por, megjithatë ti kthehemi rastit të trajnerit gjerman, të cilin pas vendimit për largim nga Bajerni dhe kalimin e tij në shtetin e vogël fqinj, njëri nga bosët e këtij klubi të mirënjohur gjerman Ueli Hoeness, do ta pyeste i çuditur dhe me dozë jo vetëm nënçmuese por disi edhe të tepruar mosbesimi,; çfarë bënë? Vërtetë shkon në Zvicër?!
Mos të lutem,në atë vend të vogël,kurrë nuk do të arrish sukses të madh as të bëhesh kampion botëror...
Sidoqoftë,besoj se ia kam arritur synimit tim, do të deklaronte nga fundi i vitit të kaluar në një intervistë për TV-Eurosport, trajneri i tanishëm i Ekipit Helvetik.
Dhe vërtetë,qysh nga ardhja e tij në Zvicër e cila vetëm pak kohë më parë kishte një ekip gati të panjohur dhe që nuk gëzonte ndonjë reputacion të veçantë në arenën ndërkombëtare të futbollit,në këtë vend ndryshoi çdo gjë për të mirë, sa i takon këtij sporti.
Për ngritjen e klubit- helvetik, në lartësinë që sot ekziston,strategu e profesionisti i mirënjohur gjerman dhe ndërkombëtar i futbollit Ottmar Hitzfeld, u mbështet tek futbollistët premtues dhe cilësor shqiptar që edhe në numër nuk ishin të pakët,si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Adnan Mehmeti ,Blerim Xhemajli e të tjerë, duke mos u gabuar as kësaj radhe në përzgjedhjen e tij.
Djelmoshat e lartpërmendur,jo vetëm se ishin shpresa kryesore për mbarëvajtjen e ekipit, por ç`është e vërteta, ata u kthyen edhe në faktor vendimtar, si për kualifikimin e Zvicrës në kampionatin botëror 2014, ashtu edhe për lojërat befasuese dhe arritjet sublime të Ekipit Zviceran që po mbahen këto ditë në Brazil.
Për sukseset e tij,Ottmar Hitzfeld, shpesh herë në vend të Ottmar,do të thirrej me epitetin nderues \"Gott\"-mar, që përkthyer në shqip- (Gott-Zot), i bie të cilësohet si \"Zot\" i futbollit,nën udhëheqjen e të cilit Zvicra para disa ditësh mundi hiq më pak se njërin nga ekipet më të mira të 16-shit, të parë favorit për këtë kampionat, si Hondurasin me një rezultat tejet atraktiv 3=0,të cilit do t`ia kishin lakmi shumë vende me përvojë më të madhe dhe renome më të gjatë e të kamotshme ndërkombëtare në futboll.
Madje, gjëja më e këndshme për ne, nga e gjithë kjo histori, është fakti se realizues sublim i të tri shënimeve ishte futbollisti më i dalluar shqiptar dhe njëri nga golashënuesit tanimë më të njohur ndërkombëtar,si Xherdan Shaqiri.
Pra, ai ishte hero i këtij takimi kualifikues të kampionatit botërorë dhe pa më të voglën mëdyshje ylli më ndriçues i cili gjatë krejt ndeshjes shkëlqeu fort e gjithanshëm për të gjithë.
Xherdan, që në minutën e 6-t, shënoi golin e parë dhe më të mirin, jo vetëm në këtë ndeshje,gol që një specialist i futbollit zviceran e cilësoi si të veçantë, të cilët deri atë ditë kishte menduar se mund ti realizonte vetëm Leonel Messi, ndaj nga sonte edhe ne kemi Messin tonë, deklaroi ai.
Shaqiri,pas minutës së 30-t, dha golin e dytë,duke ngritur rezultatin në 2=0,me të cilin përfundoi edhe pjesa e parë.
Madje golashënuesi i artë shqiptar i doli shumëfish hakut edhe lojtarit me origjinë kroate, të lindur në Lachen,Kantoni i Schwyz-it, të Zvicrës, Josip Dërmiç, përndryshe lojtar i FC-Nyrnberg të Gjermanisë, dhe pjesëtar i kombëtares Zvicerane të futbollit,duke i krijuar disa shanse, për shërbimet që i bëri Xherdanit, por me gjithë mundësit e mira që pati,përpjekjet e tija u treguan të pa mjaftueshme për shënim.
Ndaj, sikur nuk mbeti rrugëdalje tjetër, veçse fenomeni shqiptar Xherdan Shaqiri, të mblidhte edhe një herë të gjitha forcat dhe në minutën e 71-t, të realizonte edhe hat-trikun e parë shqiptar të shënuar ndonjëherë në një Kampionat Botëror, për çka duhet të ndihemi krenar të gjithë shqiptarët kudo, (i dyti pas Myllerit të Gjermanisë), duke ngritur rezultatin në 3= 0, me të cilin edhe do të përfundonte ky takim i suksesshëm me Hondurasin.
Por, ti kthehemi pak edhe biografisë së këtij trajneri kaq të suksesshëm.Kush është në të vërtetë Ottmar Hitzfeld, kryesuesi shumëvjeçar i Ekipit Helvetik, i cili nga vera e vitit 2008 e këtej udhëheqë me sukses kombëtaren zvicerane dhe njihet si trajneri i dytë më i suksesshëm i të gjitha kohëve në ligën federale gjermane pas Josep Gardiolës,nga pikët e arritura në çdo lojë...
Ottmar Hitzfeld u lind më 12 Janar të vitit 1949 në vendin e quajtur Lörach të Badenit në Gjermani,i cili fillimisht do të njihej si matematicient i shkolluar dhe mësues efektiv sporti,por që për kohë të shkurtër, do të kthehej në njërin nga trajnerët më të suksesshëm gjerman dhe ndërkombëtar të futbollit.
Për kualitete e treguara, jo rrallë emri i tij nga Ottmar do të shndërrohej në Gott-mar, që përkthyer në shqip, (Gott- Zot),nënkupton Zotin e futbollit.
Ai ishte udhëheqës i klubeve futbollistike; Grasshopper të Cyrihut, Borusisë së Dortmundit dhe Bajernit të Mynihut,kohë gjatë së cilës realizoi 18 tituj të mëdhenj dhe dëshmua si trajneri më i suksesshëm gjerman e ndërkombëtar i futbollit,për çka edhe do të zgjidhej dy herë si trajneri më i mirë i vitit.
Otto Hitzfeld është edhe njëri nga pesë trajnerët që me dy klube të ndryshme do të fitonte kupat Evropiane të UEFA-s, në ligën e Kampionëve.
Falë këtij profesionisti shembullor dhe kualitetit që treguan lojtarët shqiptarë, Otto Hitzfeld si asnjë ekspert tjetër më parë,djelmoshat e emigrantëve tanë, i ndihmoi të shndërrohen në Yje, kurse ata me lojën sublime i dolën hakut trajnerit të tyre dashamirës, duke mbajt të ndezura dritat jeshile për kualifikimin me sukses të shtetit zviceran në kampionatin botëror, ndaj sot për kombëtaren helvetike luajnë hiç më pakë se 5 djelmosha të dalluar nga Kosova dhe Ilirida, të cilët përbëjnë mëse gjysmën e gjithë ekipit të angazhuar në këtë kampionat botëror.
Në anën tjetër, nuk është aspak për tu çuditur se nuk qe vendimtar numri prej rreth 200 mijë bashkëkombësish tanë që jetojnë prej vitesh këtu, por ishte heroizmi - sportivë i tyre, ai që rriti respektin dhe ngriti në piedestal reputacionin jo vetëm të lojtarëve tanë në ekipin e këtij shteti,me ç`rast gazeta prestigjioze zvicerane \"Die Weltwoche\" erdhi e stolisur me pamje të flamurit tonë kombëtar dhe \"regjistrojë\" \"Kosovën\" si kantonin e 27 të Zvicrës, nga 26 sa i \"kishte\" ky shtet.
Bijtë tanë bënë që pas Francës me 7, Zvicra të zinte vendin e dytë në grup me 6-t, pikët e fituara, kur 5 nga 6, golat,i shënuan lojtarët shqiptar, një Xhaka dhe një Mehmeti kurse tre Xherdan Shaqiri.
Kështu që, pas kualifikimit të arritur me 5 golat e shqiptarëve, 3 nga të cilat i realizoi Shaqiri vetëm në ndeshjen kundër Hondurasit, të gjithë futbollëdashshësit e Zvicrës, për këtë Kampionat Botëror që po mbahet në Brazil , shpresat e tyre i kanë varur te ky luan i artë 22 vjeçar, dhe krenaria e kombit tonë në futbollin zviceran e ndërkombëtar, si dhe kolegët e tij me prejardhje nga Kosova dhe Ilirida,Granit Xhaka, Valon Behrami, Admir Mehmeti, Blerim Xhemajli etj., të udhëhequr nga miku i madh i shqiptarëve, trajneri gjerman Ottmar Hitzfeld.
Ndaj edhe pse Zvicra në të tetën e finales, më 1 korrik të këtij vit, për kundërshtar ka një ekip të klasit të lartë dhe një nga kombëtaret më të forta dhe më me përvojë në futbollin ndërkombëtar,siç është Argjentina, Helvetikët të trimëruar nga suksesi me Hondurasin, shprehen se nuk kanë pse të frikësohen, derisa edhe ata siç thonë vet,e kanë Leonel Messin e tyre, duke menduar në Xherdan Shaqirin, të cilin e konsiderojnë si hero për momente të tilla të mëdha!
Pra ,si çdo herë edhe me këtë rast kaq sublim,ne dhe të gjithë bashkëkombësit kudo,urojmë nga zemra që lojtarët shqiptar të luajnë sa më mirë, të japin gjithçka nga vetvetja për fitoren e radhës, të arsyetojnë besimin e shprehur nga trajneri Hitzfeld, Zvicra dhe popullsia shqiptare këtu dhe kudo në botë, të kurorëzojnë me sukses mundin e tyre dhe të bëhen shembulli më i mirë i mundshëm, i të gjitha gjeneratave, atyre që presin dhe u dëshirojnë avancime të mëtejshme këtyre heronjve, duke na nxjerrë të gjithëve faqebardhë dhe bërë të ndihemi për jetë krenar me lojtarët më të mirë shqiptar të të gjitha kohëve, me djelmoshat tanë të artë.