22 Dhjetor 2024

Të hapen qendrat kulturore e sociale për diasporë

Shkruar nga Bujar Abdullahu

Diaspora shqiptare është, pa dyshim, hisedare e rëndësisë së veçantë në të arriturat e gjithëmbarshme të vendit. Veprimet e tyre konsistonin fillimisht nga  të bëmat për çlirimin e vendit nga okupatorët dhe okupimet e  gjata e të mundimshme, për të vazhduar më pas me një përkushtim përmbajtësor në konstituimin e shtetit, dhe, pa dyshim, duke mos harruar ndikimin fundamental në përparimin e  shtet-ndërtimit.  Kjo ndihmesë shumëdimensionale ёshtё shndërruar në virtyt kolektiv e cila me mburrje është mbajtё gjallё dhe kultivuar vazhdimisht.

Po, edhe pse tanimë shtet, është e vërtetë se Kosova akoma ka nevojë për ndihmën e mërgatës përgjithësisht e në aspektin financiar posaçërisht. Për shkak të mungesës së instrumenteve të tjera ekonomike, sasia e mjeteve të derdhura nga mërgata, është vendimtare në zhvillim e Kosovë. Por sasia e nevojshme e kapitalit për zhvillim të një vendi ‘në zhvillim’, zakonisht është mbi shumën e kapitalit në dispozicion brenda kufirit të tij,  për këtë arsye Investimet e Jashtme Direkte - IJD, si një burim i rëndësishëm financiar, janë vitale për prosperitet socio-ekonomik dhe urë lidhësi për kapërcim nga vendi në zhvillim në një vend të zhvilluar.

Edhe Kosova si vendi më i varfër në Evropë, e cila megjithatë klasifikohet si vend në zhvillim, nuk mund të jetë ndryshe, dhe për këtë arsye synon që Investimet e Jashtme Direkte t’i shndërroj në instrument nga i cili mund të bëhet rimëkëmbja ekonomike. Por për Kosovën, për shkak se IJD-të nuk janë të nivelit të tillë të cilat mund të kualifikohen si me ndikim, së paku jo tash për tash,  atëherë aktualisht rëndësi parësore zënë dërgesat nga diaspora, respektivisht remitancat. Kur këtij konstatimi i shtojmë shifrat të cilat për secilin vit tejkalojnë 500 milionë euro, atëherë na del se remitancat janë gjithsesi infuzioni më me ndikim në mbajtjen gjallë të ekonomisë së Kosovës.

Pra ndihma nga gyrbetqarët është enorme. Por shtrohet pyetja sa, madje nëse, e ndihmojnë institucionet e Kosovës diasporën përgjithësisht, e në veçanti tani kur infrastruktura qeveritare ka shtrirje diplomatike deri tek qendrat më të mëdha evropiane, ShBA-të e gjetiu  Po që se aludohet në atë se institucionet e Kosovës e ndihmojnë diasporën, duke konsideruar ndihmesë nxjerrjen e dokumentacioneve të ndryshme me procedura të përshpejtuara administrative, e në raste të tjera jo më shumë se duke e shkurtuar kohën e pritjeve në radhë të gjata dhe shmangies së kaosit, atëherë thjesht, kjo është një mungesë e seriozitetit, konstruktivitetit dhe pa dyshim njohurive për mënyrën e jetës socio-kulturore të shqiptarëve jashtë Kosovës.

Pra, me atë çka deri më tash nga qeveritë e deritanishme të pasluftës është bërë për diasporën, e edhe më tepër me atë çka nuk është bërë,  mund të vije pahetueshëm por me pasoja, në raste të rralla sheshazi, deri te devijimi i diasporës nga tradita kombëtare, deri tek shkëputja nga rrjedhat normale të zhvillimit kulturor, e të gjitha së bashku në krijimin e një identiteti të përçudnum me përmbajtje shpesh ekstreme dhe gjithsesi jokompatibile me aspiratat tona euro-atlantike.

Ndihmat e pakta dhe të pa organizuara mirë, janë, përpos tjerash, edhe rezultat i mungesës së deritanishme të ministrisë përkatëse të qeverisë së Kosovës. Madje themelimi rishtazi i Ministrisë së Diasporës është rezultat edhe i pazareve të subjekteve  politike, për t’i ngopur apetitet shpesh të pakuptueshme, e gjithmonë në dëm të mërgatës shqiptare. Por përkundër kësaj vonese dhe interesave partiake, themelimi i kësaj ministrie është një hap tutje drejt përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve jashtë vendit dhe ndërlidhjes së tyre me vendin nga i cili kanë emigruar.

Gërshetimi i traditës, kulturës, gjuhës dokeve e zakoneve, pa dyshim edhe i dy konfesioneve të cilat kanë pulsuar aktive me qenien e tyre për kohë të gjatë, pra këto atribute, të gërshetuara me vlerat liberal-demokratike duhet të jenë busullë orientuese të përçuara tek mërgata shqiptare nëpërmjet qendrave kulturore dhe sociale, të cilat aktualisht janë të pakta dhe me pak e hiq orientim nga  institucionet shtetërore  e në veçanti nga Ministria e Diasporës.
 
Që kjo të arrihet është e nevojshme jo vetëm ambasada por edhe institucionet përkatëse të vendit të kenë takime të drejtpërdrejta me mërgatën shqiptare. Gjithashtu është e domosdoshme që qendrat kulturore dhe sociale në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës të jenë përgjegjëse për hapjen dhe mbarëvajtjen e shkollave në gjuhën shqipe, për shkak se, duke pas parasysh se shumë fëmijë të lindur jashtë vendit do të jenë të ekspozuar përball rrymave të ndryshme të cilat nuk janë kompatibile me aspiratat tona euro-atlantike, edukimi dhe arsimimi në frymën kombëtarë bëhet një obligim jo vetëm moral por edhe kombëtarë e shtetëror.

Në fund mund të konstatojmë se hapja e qendrave kulturore dhe sociale në shtetet e ndryshme evropiane dhe në ShBA janë gjithsesi të nevojshme, porse orientimi dhe kanalizimi i tyre është një domosdoshmëri, përveç tjerash, për shkak se në fund të fundit do të kemi një revalvim të  mërgatës, të  ndihmave të tyre financiare, e mbi të gjitha të shqiptarizmës.

(Autori është kryetar i Partisë Nacionale Demokratike Shqiptare)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)