23 Dhjetor 2024

Të gjithë duhet të jemi duke luftuar armikun e njëjtë e që është Virusi COVID-19.

Shkruar nga Albin Kurti

 Me vendimin e saj të ditës së hënë, Qeveria e Republikës së Kosovës, me një votë gati unanim, miratoi masa të reja të rekomanduara nga Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik, për të fituar sa më bindës dhe sa më shpejt betejën tonë të përbashkët kundër virusit COVID-19.

Po të njëjtën natë, presidenti i Republikës së Kosovës ndërmori një hap të paprecedentë dhe të papërgjegjshëm por, fatkeqësisht, jo edhe të papritur, duke iu bërë thirrje qytetarëve dhe zyrtarëve policorë që të rezistojnë zbatimin e Vendimit të Qeverisë dhe, në këtë mënyrë, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin publik të qytetarëve dhe banorëve të Republikës sonë.

Ndërsa, dje në mëngjes, presidenti vazhdoi edhe më tej betejën e tij kundër rekomandimeve të IKShP-së, duke e kontestuar Vendimin e Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Përkundër gabimeve elementare juridike dhe pretendimeve që nuk qëndrojnë fare, të bëra nga presidenti në kërkesën e tij, unë dhe Zyra ime dërguam përgjigje në kërkesën e presidentit mbrëmë para orës 22:00, në të cilën përgjigje kemi sqaruar qëndrimin tonë në lidhje me argumentimin prima facie të kërkesës, pretendimin e presidentit për dëmin e pariparueshëm si dhe në lidhje me interesin publik.

E kemi bërë të qartë konsiderimin tonë se Rregullorja e Punës së Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar qartë në Rregullin 57.4 shkronjat (a), (b) dhe (c) se në mënyrë kumulative duhet plotësuar kriteret e përcaktuara me këtë dispozitë.

Presidenti në këtë rast duhet në mënyrë kumulative (1) të ndërtojë prima facie rastin, (2) të dëshmojë se ekzekutimi i vendimit i shkakton dëm të pariparueshëm dhe (3) të dëshmojë se masa e përkohshme është në interesin publik. Marrë parasysh që presidenti si palë në procedurë nuk e ka plotësuar asnjërin nga të tri kushtet të cilat kërkohet të plotësohen në mënyrë që Gjykata të aprovojë kërkesën për masën e përkohshme, ne kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese ta refuzojë kërkesën në lidhje me vendosjen e masave të përkohshme.

Si kryeministër i Republikës së Kosovës, nuk kam përgjegjësi më të lartë dhe më të rëndësishme sesa mbrojtja e shëndetit të të gjithë qytetarëve të vendit.

Prandaj unë, bashkë me të gjithë Qeverinë time, jemi zotuar se do të veprojmë në përputhje të plotë me rekomandimet e ekspertëve të IKShP-së dhe, në veçanti, të drejtorit të tij, prof. Dr. Naser Ramadani. Lufta e presidentit kundër këtyre rekomandimeve ka ardhur në kohën më të papërshtatshme të mundshme.

Sipas ekspertëve të IKShP-së, po hyjmë në dy javët më kritike, kur rreziku për përhapjen e përshpejtuar të virusit është në nivelin më të lartë.

Kam thënë dhe do ta përsëris edhe një herë: Nuk ka vend për panik. Mirëpo, në javët që vijnë, më shumë se kurrë, duhet secili prej nesh, institucionet edhe qytetarët, të veprojë me kujdes të shtuar, në mbrojtje të të gjithëve.

Në kohë amullie si kjo është me rëndësi jetike që të mos harrojmë se të gjithë duhet të jemi duke luftuar armikun e njëjtë e që është Virusi COVID-19.

Ne do të vazhdojmë me punën tonë në raport me menaxhimin sa më të mirë të kësaj situate, pavarësisht veprimeve të presidentit, derisa të sigurohemi që do të dalim shëndetshëm e sigurt prej saj.

Mos lejoni t’ju ndikojnë apetitet politike, por rrini nëpër shtëpitë e juaja, lani duart dhe bëni kujdes me distancën.

/Shkrimi është marr nga facebook i kryeministrit Kurti/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)