Të festosh i hidhëruar
Shkruar nga Dr.Sadat Rrustemi
Vitin që po lëmë pas qytetarëve të Kosovës pak u jep vullnet për ndryshime pozitive. Kriza e thellë ekonomike në vend, shtimi i papunësisë, të hyrat ditore 1,5 cent për kokë banori, me të hyra mesatare mujore 200 euro, thellimi në korrupsion ditë e më tepër, janë fakte të mjaftueshme për secilin qytetarë se gjendja në vend është tepër shqetësuese.
Nëse shikojmë nga këndvështrimi i shpenzimeve ditore, apo mujore i qytetarëve në vendin tonë, po ashtu vërejmë se ekziston një deballansim në mes të hyrave mujore dhe asaj që shpenzohet në pjesën dërmuese të popullatës si shtresë e varfër që ka përshkuar vendin tonë.
Po aq sa rritet varfëria në vend, po thuajse shtohet luksi si dhe teprimi në gjëra të pavlera.
Një ndër investimet pa vend, të panevojshme, pse jo dhe shumë të dëmshme qoftë nga aspekti i ndotjes se ajrit, i shkatërrimit të pasurisë, rrezikimit të jetës së njeriut, etj, është dhe investimi në mjete piroteknike dhe fishekzjarr.
Doganat e Kosovës çdo vit shënojnë rritje në importim të mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve. Këtë vit janë importuar në vlerë prej mbi 3 milion euro mjete të tilla.
Nëse do bënim krahasime me shtetet e pasura evropiane, do tua kalonim atyre koston e shpenzimeve në mjete piroteknike, krahasuar të hyrat tona me vendet në rajon.
Them, ndër objektivat e fesë Islame është;ruajtja e jetës së njeriut dhe ruajtja e kapitalit-pasurisë së tij. Ruajtja e qenies njerëzore është në fokus të Islamit, ngase ai është krijesë më fisnike, i respektuar te Zoti i tij.
Ndaj i tërë përkushtimi i është bërë njeriut me qëllim që ti mundësohet ati jetesa e jo mbytja, pra të jetoj me perspektive, dinjitet, rehati, etj.
Në momentin që njeriut i kanoset rreziku për jetë, doemos duhet intervenuar për ti kthyer ati perspektivën e jetës.
Nga këtu konkludojmë se nëse dikush feston, aq më tepër kur nuk di se çka dhe për kenë feston, gjithnjë në kurriz dhe dëm të tjerëve, me perspektiv për të gjithë qytetarët (pa varësisht a festojnë apo jo)do të ishte sikur qeveria, të merrte iniciativa për të stopuar përdorimin e këtyre mjeteve, të cilat për çdo vit sjellin kob në shumë familje.
Mjetet e informimit njoftojnë se janë identifikuar mbi njëzet raste në Kosovë të lënduar nga mjetet piroteknike, dy nga ta kanë humbur shikimin, kurse njëri nga ta përballet me vdekje.
Shikuar nga këndvështrimi islam, jo vetëm që nuk mundë tu gjesh arsye viktimave(duke përjashtuar ata që janë dëmtuar pafajsisht), por të dhimbsen se do të përballen me ndëshkim edhe para Ligjvënësit.
Po ashtu them se legjislacioni Islam ka vendos kritere bazë për ta menaxhuar apo shfrytëzuar pasurinë. Jemi të thirrur fetarisht që ta ruajmë e ta shtojmë pasurinë, e assesi ta dëmtojmë, qoftë pasuri e jona apo e të tjerëve.
Prandaj me përgjegjësi të plotë konstatojë se harxhimi i pasurisë në këtë mënyrë siç po veprohet tek ne me rastin e festave të fund vitit, ku shpenzohen miliona euro në mjete piroteknike, apo afro një milioni për sms, etj, jo vetëm që është mëkat i dyfishtë, por dhe humbje e begatisë së pasurisë.
Me siguri se nëse të gjitha ato mjete do ti dedikoheshin;jetimëve, skamnorëve, të sëmurëve, apo do të investoheshin në rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë në vend, do të ishte shumë më mirë dhe më e qëlluar.
Këto objektiva që i pasatheksuam duhet ti shërbejnë shoqërisë kosovare, posaçërisht komunitetit myslimanë që të vetëdisohen, e ti shmangën gjërave që nuk e ndërlidhin jo vetëm me festat fetare, por edhe janë larg interesave jetësore.
Ky pra është një mesazh i Islamit, karshi gjithë njerëzimit, posaçërisht komunitetit tonë, i cili u dëshiron atyre jetë të mirë në vazhdimësi, qetësi shpirtërore e fizike, tejkalim të sfidave, siç ju dëshiron atyre sa ma pak brenga, e përvuajtje.
Gjithashtu nuk duhet harruar se jurisprudenca islame e tëra është në interes të njeriut, siç është e përkushtuar në vazhdimësi sjelljen e mirësive dhe avancimin e tyre, pengimin e gjërave të dëmshme dhe minimizimin e tyre.
Ndaj angazhimi për të përmirësuar mirëqenien njerëzore është e kërkuar prej çdo kujt që është i thirrur apo predisponon mekanizma për te.
/Autori është Specializant i të drejtës së gruas myslimane-shqiptare, dhe asaj ndërkombëtare/