30 Dhjetor 2024

Të drejtat e njeriut në Kosovë, ilizion apo realitet

Shkruar nga  Behxhet Sh Shala

Në mbarë botën, 10 Dhjetori njihet dhe shënohet si Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut pasi që me 10 dhjetor 1948 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut e që konsiderohet si Kushtetuta Botërore për Rregullimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Të gjitha shtetet që e kanë përkrahur këtë Deklaratë, nenet e kësaj deklarate i kanë bërë pjesë të Kushtetutës që nënkupton angazhimin e tyre për respektimin, mbrojtjen, përparimin dhe promovimin e këtyre të drejtave ndonëse realizimi është diçka për të dëshiruar prandaj edhe kemi shkelje të rënda të këtyre të drejtave në mbarë botën.

Republika e Kosovës, si shtet me një histori të shkurtër shtetërore, me një demokraci tejet të brishtë, vend i cili ka kaluar një proces të rëndë të transformimit nga një vend ku ka pasur shkelje masive të drejtave të njeriut që përfundoi me një luftë ku pati 12.000 të vrarë, mijëra të plagosur, mbi 7000 që ende llogariten të zhdukur, afërsisht 800.000 të shpërngulur me dhunë, me mbi 120.000 shtëpi, banesa, objekte fetare dhe kulturore të shkatërruara, me viktima të shumta të dhunës seksuale si mjet lufte e ka të pamundur të shndërrohet në një vend ku do të drejtat e njeriut do të respektoheshin në përputhje me standardet ndërkombëtare për një kohë aq të shkurtër dhe në këtë kontekst ekonomiko – social dhe politik.

KMDLNj është e përkushtuar në përmirësimin e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe mbrojtjen e tyre mirëpo situata ekonomike- sociale, ajo politike dhe ndjenja e paperspektivës është përcaktuese për kualitetin e këtyre të drejtave.

Një vend si është Kosova me një papunësi prej 55-60% ( pjesa dërrmuese janë të rinj ),  me një varfëri thuaja 70% ( 18% varfëri e skajshme me më pak se një euro në ditë ), shërbime shëndetësore jo të mira, arsimim që më shumë prodhon analfabetë se të arsimuar, ku mbi 100.000 pensionistë nga pensionet e tyre nuk i plotësojnë kushtet për mjekim minimal e lëre më një jete të dinjitetshme, ku të rinjt në kërkim të një jete më të mirë në numër të madh ikin nga Kosova, ku liria e fjalës është e rrezikuar sikur që është rrezikuar edhe liria fetare, ku personat e privuar nga liria nuk mund të integrohen pas vuajtjes së dënimit, ku viktimat e dhunës seksuale janë të margjinalizuara, ku krimi i organizuar mbetet i pandëshkuar, nepotizmi është kriter kryesor për punësim mbi çdo kriter profesional dhe ku korrupcioni është shenj identifikimi në planin kombëtar dhe sidomos ndërkombëtar është shumë vështirë apo edhe e pamundur të flitet për standarde ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Kosova është i vetmi vend në Europë që e ka të kufizuar lirinë e lëvizje si njëra nga vlerat dhe të drejtat elementare të njeriut  pikërisht nga ata që vendosin standarde për të drejtat e njeriut dhe me to edhe sanksione për mosrespektimin e tyre!

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë, në 25 vjetorin e themelimit dhe aktivitetit të pandërprerë ( është themeluar me 14 dhjetor 1989 ) kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës por edhe nga ndërkombëtarët që në shumë fusha janë vendimmarrës këtu që të angazhohen për respektimin e të drejtave të njeriut pavarësisht  përkatësisë etnike, fetare, racore, politike, moshore dhe statusit së tyre shoqëror.

Kosova ka nevojë për një arsim cilësor dhe të pandikuar nga politika, për një shëndetësi që mbron shëndetin e qytetarëve, për një administratë profesionale dhe jashtë ndikimit politik, për një gjyqësi të reformuar e cila do të nxirret nga kthetrat e politikës, për liri të papenguar të medieve, për shfaqje të identitetit seksual ndryshe, për luftë kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar, për më tepër të drejta dhe liri fetare, për zhvillim ekonomik dhe zbutje të varfërisë dhe papunësisë dhe për krijimin e ndjenës së perspektivës.

Vetëm në këtë rast mund të flasim për respektimin e të drejtave të njeriut në përputhje me standardet ndërkombëtare si parakusht elementar për ndërtimin e një shoqërie demokratike që është edhe synim i të gjithëve.

Gjendja e të drejtave të njeriut në Kosovë sot nuk mund të përdoret as si standard e as si model suksesi për shtetet e tjera. Është pikërisht e kundërta. Është dështim i institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare për moszbatimin e standardeve ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut në Kosovë!

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)