Tarifat e energjisë duhet të standardizohen me ato të BE-së
Shkruar nga Jakup Krasniqi
Duke qenë se Kosova është zotuar ti përshtatë politikat e saj të energjisë në linjë me ato të BE-së dhe meqë jemi nënshkrues të Traktatit të Komunitetit për Energji (TKE), atëherë zhvillimi i mëtejmë i tregut energjetik duhet të jetë: pa monopol, kushte për konkurrencë, mosdiskriminim, barazi dhe respektim të mbrojtjes së konsumatorëve.
Protestat, përmbajtja e pankartave dhe shqetësimet e tjera që kanë ngritur protestuesit e ditëve të fundit, lidhur më faturat e muajit janar, konsideroj se janë fakte të favorshme për ta analizuar modelin e politikave energjetike që po aplikon Zyra e Rregullatorit për Energji, si dhe politikat menaxhuese të KEK-ut.
KEK-u ende ka mbetur i vetmi operator i gjenerimit e furnizimit me energji, reformimi, strukturimi, e së fundi edhe privatizimi i rrjetit dhe distribucionit nuk ka krijuar kushte për eliminimin e monopolit në tregun e energjisë, nuk kanë siguruar mosdiskriminim të konsumatorëve dhe kanë penguar liberalizimin e tregut të energjisë etj. Mbi bazën e këtyre fakteve shtrohen pyetjet:
o Pse politikat aktuale energjetike në Kosovë janë shmangur nga ekonomia e tregut të lirë dhe përgjithësisht nga politikat energjetike të BE-së?
o Pse nuk po vazhdohet me reformimin struktural të sektorit të energjisë?
o Pse po zvarritet shfrytëzimi i burimeve alternative të energjisë?
o Cilat janë arsyet implementimit selektiv të strategjisë për energji etj.
Pa dashur ti amnistoj gabimet e mundshme të zyrtarëve të KEK-ut, gjatë procesit të leximit dhe faturimit, konsideroj se debati i këtyre ditëve nuk do ketë efekt, pa një raport gjithë përfshirës nga Zyra e Rregullatorit për Energji, i cili do të identifikonte shkaqet e fryrjes së faturave të energjisë për muajin janar, dhe njëkohësisht do të shërbente për të nxjerrë gjykime të drejta në lidhje me atë se:
1. A ishin veprimet e KEK-ut në pajtueshmëri me kushtet e licencës?
2. A ka zbatuar KEK-u tarifat e rregulluara nga ZRRE?
3. A ka zbatuar KEK-u rregullat, aktet dhe vendimet e lëshuara nga ZRRE?
4. Pse nuk janë bërë hulumtimet nga ana e ZRRE-së, në lidhje me efektet që ka krijuar aplikimi i bllok tarifave dhe përgjithësisht aplikimi i strukturës aktuale tarifore?
Mungesa e një raporti të tillë si dhe analiza e cila do të bazohej në një hetim kompetent (ashtu siç parashihet në ligjin për rregullatorin e energjisë), ka krijuar huti në opinion, një imazhi të keq për KEK-un, i cili do të reflektojë në ulje të inaksimit, luhatjen e besimit tek investitorët, dhe përgjithësisht në performancën e KEK-ut) dhe ka luhatur besimin e ZRRE-së, në raport me të qenit i pavarur dhe rregullator i tregut të energjisë. Mungesa e një debati kompetent nga institucionet përgjegjëse (ZRRE, Komisioni i Konkurrencës, Organizatat e Konsumatorëve dhe akterët e tjerë nga shoqëria civile) do ta vështirësojë analizën në lidhje me:
I. Efektet e aplikimit të sistemit të tillë tarifor
Nëse e analizoni strukturën e tarifave me pakicë të energjisë elektrike, vëreni se ZRRE ka vendosur në pozita shumë diskriminuese konsumatorët e amvisërisë në raport me konsumatorët tjerë. Ky grup i konsumatorëve, i cili përben 80 për qind të numrit të përgjithshëm të konsumatorëve, janë te ngarkuar me dy lloj çmime për sezon (i lartë, (i dimrit) dhe të ulët, (i verës) dhe dy lloj çmimesh kohore (i ditës dhe i natës) dhe tri bllok tarifa (B1,B2 dhe B3). Do të thotë, fatura e këtyre konsumatorëve kanë 12 lloje të ndryshme ngarkesash; (A1*B1 + A1*B2 + A1*B3 + A2*B1 + A2*B2 + A2*B3), varësisht nga cila bllok tarifë dhe cili sezon i tarifës evidentohen si shpenzues. Sistemi i tillë tarifor ka dhënë mundësi për keqkuptime, gabime, por edhe keqpërdorime, dhe mbi të gjitha është në kundërshtim me kërkesat e tregut të energjisë. Këto janë tarifa regresive-ndëshkuese për konsumatorin dhe të cilat aplikohen vetëm tek ne. Diferenca në ngritjen e çmimit nga tarifa ne sezonin e ulët A1 në të lartën në A2, (në të cilën regjistrohet mbi 60 për qind e konsumit të energjisë) është më e lartë, për 39.8 për qind , dhe kur kësaj i shtohen: diferenca në çmim të kalimit nga bllok tarifa B1 në bllok tarifën B2 e cila është 27.8 për qind, dhe diferenca në çmim i kalimit nga bllok tarifa B1 në bllok tarifën B3 e cila është 50.3 për qind më e lartë, rrjedh se konsumatori i amvisërisë në sezonin e dimrit paguan çmim energjie përafërsisht 80 për qind më të lartë në krahasim me sezonin e verës.
Vlen të theksohet se në muajt e dimrit po thuaj të gjithë konsumatorët e amvisërisë shpenzojnë mbi 600 kilovat orë për muaj energji elektrike, që i bie se shumica ngarkohen me bllok tarifën B3, e cila e bën rrymën për konsumatorët e amvisërisë me çmimin më të lartë nga 30.4 për qind deri 32 për qind në krahasim me konsumatorët, industrial dhe konsumatorët tjerë të mëdhenj.
II Harmonizimi dhe transparenca e procedurave me legjislacionin primar dhe sekondar për miratimin e tarifave të energjisë
Para çdo miratimi tarifor ZRRE ka obligim ligjor të bëjë: konsultime për çështjet që kanë të bëjnë me tarifat më të gjitha palët, ti identifikojë çështjet të cilat kanë çrregulluar tregun, ti publikojë ato dhe tiu mundësojë të gjitha palëve të interesuara dhënien e komenteve para miratimit tarifor, të nxjerrë analizën mbi ndikimet gjithë përfshirëse të strukturës së aplikuar tarifore, domethënë me ndikimet; ekonomike dhe sociale, në konsum, në performancën teknike të KEK-ut, (ndikimi i tyre në humbjet komerciale), si dhe të nxjerrë efektet e dëmshme nga aplikimi i tarifave regresive për konsumatorët e amvisërisë. A ka nevojë të ndryshojë metodologjia aktuale e përcaktimit të çmimit të energjisë, në mënyrë që të arrijmë për puthëshmërinë në mes çmimeve dhe kostos reale të prodhimit. Cilët janë faktorët që kanë eliminuar konkurrencën dhe transparencën e operatorëve në tregun e energjisë në Kosovë.
III. Mungesa e raportit të ZRRE-së mbi monitorimin e punës së KEK-ut
Pas rasteve të fundit, nuk ka siguruar informacion në lidhje me atë se:
1. A janë shkelur kushte e licencës?
2. A janë zbatuar tarifat e aprovuara nga ana e ZRRE-së?
3. A janë shkelur rregullat, aktet, vendimet, etj. të lëshuara nga ana e ZRRE-së? dhe
4. A e ka krijuar fryrjen e faturës së energjisë aplikimi i bllok tarifave apo gabimet në leximin e faturave?
5. Për mungesë të një analize, mbi efektet e investimeve në performancën e KEK-ut, ku dhe pse gjatë gjithë këtyre viteve secili investim që është bërë në KEK, është arsyetuar si investim për zvogëlimin e humbjeve teknike dhe komerciale, KEK-u prapë se prapë po operon me nivel të madh të humbjeve teknike dhe komerciale (mbi 38 për qind ), cilat janë ndikimet e këtyre humbjeve në tarifë, dhe pse ky ritëm kaq i ulët i zvogëlimit të humbjeve?
Debatet dhe deklarimet e pa përgjegjshme të zyrtarëve të ndryshëm në lidhje me faturat e muajit janar, sipas raporteve të KEK-ut kanë dëmtuar inkasimin për muajin e fundit mbi 6 milionë euro dhe sipas këtij trendi për tremujorin e fundit pritet rënie e inkasimit përafërsisht mbi 18 euro, (kjo është pjesa e të hyrave nga konsumatorët me pagesë të rregullt), ku sipas kontratës mbi shitjen, borxhet e tremujorit të fundit i transferohen 100 për qind kompanisë Limak&Çalik.
Përfundimisht do të rekomandoja që:
ZRRE duhet të braktisë praktikat e përcaktimit të çmimit dhe tarifave pa një analizë me gjithëpërfshirëse dhe jashtë parimeve të tregut të lirë të energjisë.
Të heqë tarifat ndëshkuese (bllok tarifat) për konsumatorët e amvisërisë, dhe të aprovojë sistemin tarifor, i cili do të garantonte, mos diskriminim, barazi dhe respektim të mbrojtjes së konsumatorëve.
Të vendoset një limit mbi të cilin nuk do të pranoheshin; mbulimi i investimeve, humbjeve (komerciale dhe teknike) dhe atyre politike për mes ndëshkimit me tarifa të justifikueshme të konsumatorit.
(Po ju përkujtoj se për politika të gabuara energjetike, keqmenaxhimin, keqshfrytëzimin të resurseve dhe nivelin jo të kënaqshëm të performancës operative, në fund faturën po e paguan konsumatori).
Të mos ketë ngritje të çmimit të energjisë; meqenëse vitin e kaluar ZRRE ka bërë një ngritje prej 8.9 për qind pa TVSH, gjegjësisht 9.8 për qind me TVSH, ngritje kjo që është arsyetuar si pasojë e ngritjes së rentës për thëngjill, ndonjë ngritje eventuale e çmimit të energjisë do të ishte e pa justifikueshme, e cila do të dekurajonte investimet e jashtme në Kosovë, do të rriste rrezikun për trazira sociale dhe përgjithësisht do ti fuste politikat tona energjetike në antagonizëm të thellë me politikat e ekonomisë së tregut të lirë.
Të ndërpritet plani ABC i furnizimit me energji të konsumatorëve.