“Taksa,” Amerika, dhe Kosova: përthyerja e marrëdhënieve transatlantike
Shkruar nga Faton Bislimi
Me 5 Maj 2019, kisha publikuar një shkrim autorial mbi “Samitin e Berlinit: Ajo që nuk e tha deri më tani” ku kisha analizuar rendësinë gjeopolitike të këtij takimi dhe mesazhet diplomatike të ndërlidhura me të e të përcuara kjartazi por në mënyrë të pathënë direkt, ne mes SHBA-ve dhe Gjermanisë, respektivisht Presidentit Trump dhe Kancelarës Merkel.
Në atë shkrim, kisha paralajmëruar se fati i Kosovës dhe vecanërisht i procesit të dialogut Kosovë-Serbi tanimë ishte bërë një rast prima facie i përthyerjes në marrëdhëniet transatlantike.
Sa për rikujtim, aty kisha thënë, ndër të tjera:
“Krejt kjo u bë mëse e qartë kur erdhi letra e Presidentit Trump për Thacin dhe Vuqiqin në Dhejtor të vitit 2018. Aty paralajmërohej se Kosova e Serbia bashkë me Amerikën do të festonin në Shtëpinë e Bardhë arritjen e marrëveshjes historike në mes të dyja palëve. Letra në fjalë, që u lexua vetëm sipërfaqësisht nga të gjithë, ishte mesazhi më i drejtpërdrejtë dhe më i vrazhdë diplomatik që Shtëpia e Bardhë po i bënte – jo vetëm Kosovës e Serbisë – por Gjermanisë në vecanti dhe BE-së në përgjithësi. Letra ishte dokumenti që përcoi mesazhin unilateralist amerikan për gjeopolitiken globale vis-à-vis Evropes (kryesisht Gjermanisë).”
Ky veprim nga Presidenti Trump shënon fillimin sforcimit të pozitës amerikane karshi zhvillimeve në Evrope, përmes imponimit direkt në krye të procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe plagë e hapur e Evropës.
“Por, Kancelarja Merkel e ka lexuar më mire se gjithëkush tjetër letrën e Presidentit Trump… Andaj, në kundërpërgjigje të kësaj sfide, ajo bashkë me Presidentin Macron, bëri atë që duhej: ftoi Samitin e Berlinit për të përcuar tani mesazhin e vet drejtë Shtëpisë së Bardhë, se Gjermania bashkë me Francën dhe BE-në në përgjithësi, do të përkujdeset që të zgjidhë cështjet e veta në oborrin e vet duke mos i lënë hapësirë e as nevojë Amerikës për ndërhyrje.
Një fjalë popullore thot “dreqi fshihet në detaje.” Andaj, duhet patur parasysh se pjesëmarrja e Presidentit Macron dhe znj. Mogherini në Samitin e Berlinit (Maj 2019) nuk ishte aspak e rastësishme.
Macron u ftua për shkak të kundërthënjeve të tij të vazhdueshme me Presidentin Trump e vecanërisht për idenë e krijimit të Ushtrisë Evropiane. Kurse Mogherini u ftua në cilësinë e Zëvendës Presidentës së Këshillit të Evropës së BE-së e jo si Shefe e Politikës së Jashtme të BE-së.
Kjo është shumë relevante sepse si Zëvendës Presidente ajo përfaqëson gjithë BE-në. Andaj, Kancelarja Merkel është kujdesur që ftesa dhe pjesëmarraj e Mogherinit të jetë në vijë me mesazhin diplomatik që ajo po i përconte Shtëpisë së Bardhë.
Normalisht, krejt kjo betejë diplomatike gjeopolitike që, fatmirësisht, përqëndrohet në rajonin tonë, nuk shkoi pa u kuptuar nga Shtëpia e Bardhë. Si rezultat, delegacioni kosovar u ftua në takim në Ambasadën Amerikane në Berlin, tek Ambasadori Grenell, para se të shkonte në Samitin e Berlinit.
Kjo nuk ishte as koincidence e as takim kurtuazie. Ishte mesazhi që Shtëpia e Bardhë po i dërgonte Kancelarës Merkel, se Amerika është saktë e vetëdijshme për mesazhin tuaj; dhe ne kemi disa miq që aty do jenë prezentë dhe janë shumë më shumë në anën tonë se sa të tuajën.”
Pra, është Maji i vitit të kaluar kur Ambasadori Grenell bëhet direkt pjesë e politikës së Shtëpisë së Bardhe duke u inkuadruar në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Ambasadori Grenell gjen një aleat të përsosur për të kryer misionin e vet – ai gjen Presidentin Thaci të gatshëm të bëjë cfarëdo që i kërkohet atij në emër të SHBA-ve.
“E këtë rol dhe këtë mesazh më së miri e ka përcuar Presidenti Thaci, duke qenë kryesisht kundërthënës ndaj Gjermanisë dhe lutës ndaj Amerikës. Ajo që Thaci nuk e kupton është se ai është vetëm vegël e përdorur në këtë lojë të madhe gjeopolitike. Fatekqësia e tij është të besojë se rëndësia e tij politike kundrejtë Amerikës është më e madhe sesa e një pike uji në oqean.
Prandaj, Samiti i Berlinit nuk ishte asgjë më shumë se sa një mesazh për Shtëpinë e Bardhë ne vazhdën e kontradiktave, kundërthënieve, dhe zhvillimit të kuptueshëm diplomatik në mes dy liderëve global politik sic është Amerika dhe Gjermania. Ishte një aktivitet frytdhënës gjeopolitik në marrëdhëniet transatlantike shumë më shumë se sa gjithëcka tjetër.
Me mendësi të ciltër, përkushtim të sinqertë, dhe veprime të matura politike (së pari në vendet tona, e pastaj edhe diplomatikisht), ne gjithëherë do të dalim fitues nga cfarëdo debati apo marrëveshje në marrëdhëniet transatlantike.
Por, mund edhe të pësojmë nëse në vazhdimësi përfaqësohemi nga të tillë që besojnë në iluzionet optike të paraqitjeve diplomatike dhe nuk e kuptojnë thelbin e mesazheve që realisht përcillen nga këto paraqitje, e aq më pak rolin e vet në to.”
Fatkeqësisht, sic edhe kisha paralajmëruar gati para një viti në shkrimin e asaj kohe të cekur më lartë, Presidenti Thaci edhe sot e kësaj dite vazhdon të luaj lojën në të cilën ai si duket me të vërtetë beson së është lojtar i pazëvendësueshëm.
Në anën tjetër, zhvillimet e fundit politike në Kosovë kanë sjellë një shumicë parlamentare dhe një Qeveri nën udhëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti që mund të pranojë gjithëcka tjetër, po nënshtrimit ndaj Thacit sidomos në tema jetike për vendin sic është dialogu me Serbinë.
Taksa 100% që po kërkohet të hiqet me ngulm nga SHBA-të bëhet për arsye të rinisjes së dialogut dhe me qëllim të përfundimit të tij pikërisht sic ka thenë Presidenti Trump, në një ceremoni nënshkrimi të një marrëveshje finale në mes Kosoves e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.
Por, ngutia e Amerikës, respektivisht e Administratës Trump ka të bëjë direkt edhe me zgjedhjet Presidenciale në SHBA që do të mbahen në nëntor të këtij viti.
Përderisa Presidenti Trump ka një mori të mirash në sferën ekonomike që mund t’I shpërfaqë në fushatën e tij si suksese të mandatit të pare, ai thuajse nuk ka asnjë sukses të tillë të rendësishëm në sferën e politikës së jashtme.
Një marrëshje finale në mes Kosovës e Serbisë e arritur në Shtëpinë e Bardhë me nikoqir Presidentin Trump është suksesi që do të shpallej botërisht si fitore e politikës së jashtme amerikane mu në zemër të Evropës.
Sidoqoftë, Kosova në asnjë rrethanë nuk e ka luksin e as komoditetin bile që të nënvlerësojë angazhimin serioz amerikan për të rinisur dialogun dhe besa edhe për të përfunduar atë.
Heqja e takses, duhet të bëhet në përputhje me kërkesën amerikane, dhe në koordinim të plotë me Washingtonin për hapat tjerë në këtë proces të dialogut. LVV dhe LDK si partnerë qeverisës nuk duhet të hamenden assesi, por të bashkërendojnë procesin e dialogut me Serbinë bashkë me Amerikën sepse dëgjueshmëria ndaj saj në këtë rast nuk është nënshtrim, por besim tek aleati kyc që kemi pasur.
Anash interesat elektorale të Trump, anagazhimi amerikan në Kosovë është i etabluar në politikën e jashtme amerikane dhe nuk duhet dyshuar se do na zhgënjejë. Miqësia jonë me Amerikën nuk guxon të bije prehë e përthyerjes në marrëdhëniet transatlantike.
Përkundrazi, lidershipi ynë, repsektivisht Qeveria e Kosovës, duhet të marrë në dorë këtë proces për të mirën e vendit dhe duke shmangur cfarëdo keqkuptimi me SHBA-të. Përndryshe, jemi peshk kogja i vogël për të notuar të vetëm në oqeanin e madh të marrëdhënieve ndërkombëtare.
/Faton Bislimi është anëtar i Komitetit Këshillues Strategjik për Diplomacinë Qytetare pranë German Marshall Fund të SHBA-ve në Washington, DC, si dhe anëtar ekzekutiv i Bordit të Drejtërove të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në New York. Ka qenë kandidat i LDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare/