26 Dhjetor 2024

Takimi i Prizrenit nuk duhet të mbesë vetëm në letër

Shkruar nga Behgjet Pacolli


Si një njeri me eksperiencë të gjatë ndërmarrëse në rrafsh ndërkombëtar, unë kam një ndjesi të veçantë ngase sot është arritur dita kur dy vendet, Shqipëria dhe Kosova po nënshkruajnë marrëveshje që janë korniza e bashkëpunimit të ardhshëm në të gjitha fushat,  e që çojnë kah krijimi i një hapësire të përbashkët zhvillimore.

E di rëndësinë e hapësirës, e tregut, e avantazheve konkuruese të kësaj hapësire në rrafsh rajonal dhe ndërkombëtar. Prej kohësh kam punuar që aftësitë ndërmarrëse të shqiptarëve të bashkohen në një subjekt të vetëm dhe sot së bashku me klasën ndërmarrëse të shqiptarëve në të dy anët e kufirit ndihem besëplotë për të ardhmen.


Por ka dhe një arsye tjetër të fuqishme pse unë sot e shoh horizontin e këtij bashkëpunimi më qartë. Si ndërmarrës global e kam zbërthyer shumë herët idenë e rilindasit modern Arben Xhaferi, për një hapësirë unike shqiptare në rrugën tonë të integrimit europian, për takimet e përbashkëta qeveritare dhe parlamentare, për institucione të përbashkëta në këtë rrugë. Së bashku me intelektualë të hapësirës sonë kombëtare, me politikanë, me profesorë kam krijuar që herët një Lëvizje që të çon kah ky objektiv i mirëqenies kombëtare themeluar mbi konceptin e njësisë së kulturës, zakoneve, të gjuhës, të territorit.


Ndaj sot po i lejoj vetes, që brenda kostumit tim të anëtarit të kabinetit qeveritar të Kosovës, të ofroj një qasje konkrete si e shoh unë ardhmërinë e këtij takimi që po zhvillojmë sot.


  Së pari, ne duhet të krijojmë një strukturë të përhershme që të projektojë zhvillimet e ardhshme, të ideojë dhe realizojë projektet konkrete brenda marrëveshjeve që nënshkruam dhe që do të nënshkrojmë në të ardhmen.

Ky komitet ndërministror miks, do sugjeroja që të bashkëdrejtohej prej përfaqësuesve të nivelit më të lartë me eksperiencë në resoret ekonomike të dy vendeve.

Ai do të jetë i lidhur tërë kohën, do të zhvillojë takime shumë të shpeshta mes vedi dhe me shoqërinë civile, me grupet e interesit, etj.


Janë disa drejtime ku unë shoh se mund dhe duhet të përqëndrohet puna e përbashkët e këtij komiteti, i cili nën direktivat e dy kryeministrave do t’i japë frymë dhe jetë ideve të mëdha që do të vijnë nga truri shqiptar, ndërmarrja shqiptare, akademia, individët e shquar.

Komiteti do të ofrojë pika referuese në mënyrë që mbledhjet e ardhshme të miratojnë projekte konkrete me arsyeshmëri ekonomike, logjistike dhe ligjore. Unë besoj se mbledhja pasuese duhet të përgatitet nga ky komitet i përbashkët siç thashë më parë të bazuara në ligjet, mundësitë dhe arsyeshmërinë ekonomike dhe në formën e një ideje të projektuar të miratohen.

Eksperienca më thotë se projektet e ardhshme të përbashkëta mund të jenë:


 Krijimi i një kompanie të përbashkët  të aviacionit me partneritet publiko privat për të cilën ka nevojë dhe hapësirë imediate të operimit.
Sistemi hekurudhor ashtu si është nuk mund të funksionojë asnjëherë dhe do duhet të organizohet kompania kombëtare e përbashkët e hekurudhave, mundësisht e hapur dhe me Maqedoninë (për shkak të aspektit gjeografik, pasi Maqedonia është shumë e interesuar për t’u ndërlidhur strategjikisht me portin e Durrësit.) Unë e kam diskutuar këtë dhe me presidentin e Maqedonisë kur isha president idenë e krijimit të një holdingu të fuqishëm hekurudhor sepse Maaqedonia është shumë e  ndërlidhur me vendet fqinje.

Asetet e këtij holdingu do të jenë asete publike të dy shteteve të hapura për partneritete publiko-private sipas modeleve skandinaviane, të Beneluksit, të Britanisë së madhe.


Do duhet të krijohet për shkak të specifikave tona (komplementaritetit thëngjill-ujë) një holding i përbashkët energjitik sipas të njëjtit model.Ai mund të shndërrohet në lojtar rajonal duke rimodernizuar të gjithë kapacitetet e veta prodhuese nëpërmjet përfshirjes në bursë. Edhe ky gjigand do të ishte i hapur për investime private nëpërmjet partneritetit publiko-privat.


Duke patur parasysh shpenzimet e mëdha, përditshmërinë e rasteve të sëmurëve të rëndë në këtë rajon dhe shpenzimet marramendëse që harxhohen për udhëtime jashtë vendit për shërim, që pos kostos së shërimit marrin kosto të përcjellësit, vizave, sigurimeve, etj, për qytetarët e të dy vendeve, dhe duke marrë parasysh seriozitetin e shtetit në këtë lëmi, është koha të fillohet me hapa konkretë për krijimin e një Qendre Kombëtare spitalore (për shërimin e sëmundjeve onkologjike, kardiologjike, të leukemisë,neurokirurgjisë, etj).

Kjo qendër do të planifikohej idealisht në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës, në Kukës, ku gjendet dhe aeroporti, dhe lidhshmëria ideale me autostradë. Kjo qendër (mund të gjendeshin donacione private përveç donacione të dy qeverive respektive), do të kishte përveç 600 shtretërve të shtrimit, klinika, salla operacioni me teknologji mjekësore më të fundit. Ajo do të përfshinte hotele për shoqëruesit e të sëmurëve dhe një Qendër kërkimore të medicinës.


Do duhej krijuar një Fond për sigurimin shëndetësor kombëtar sipas modelit skandinav që do të financohej ekskluzivisht prej akcizave të duhanit, alkoolit dhe mallrave të luksit dhe të ardhurave prej kontribuesve, lartësia e të cilave do të varej sipas madhësisë së të hyrave personale.
Këto do të ishin pikat kyçe në të cilat do të duhej të koncentrohej fillimisht Komiteti mikst ndërministror. 


Përveç tyre është krejt normale që të harmonizohen proceset legjislative, paketat fiskale respektive në veçanti, ato tatimore, doganore, mundësia e trajtimit të njëjtë të shtetasve respektivë në oportunitetet e biznesit, unifikimi i dokumentacionit shoqërues dhe i praktikave tregëtare midis dy vendeve. Do të duhet të mbahet parasysh mosdublifikimi i ngarkesës tatimore në industritë prodhuese. Dhomat e tregëtisë dhe industrisë do duhej të bashkëpunonin për t’i përgatitur lëndën e parë për mbledhjet e ardhshme qeveritare.


Shpresoj shumë që mbledhja e parë do të jetë e suksesshme duke hapur rrugë për një proces historik afrimi, bashkimi deri në integrimin e përbashkët në Unionin Europian. Nëse marrëveshjet që do të firmosim sot do nisin të jetësohen, atëherë duhet të jemi të qetë se kemi bërë diçka të madhe.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)