Ta raportosh të vërtetën në Ballkan, të rrezikohet jeta!
Shkruar nga Alon Ben Meir dhe Arbana Xharra
Gazetari hulumtues nga Kosova, Parim Olluri, i njihte ata që fizikisht e sulmuan dy vjet më parë para shtëpisë së tij. ” Unë i kam dërguar Policisë së Kosovës disa emra, bazuar në shkrimet që kisha shkruar ato dite dhe emrat që kisha përmendur, por as Policia dhe as Prokuroria nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim”, thotë Olluri.
Në vend të kësaj, gazetari tregon sesi politikanët, të cilët u përmenden në dëshminë e tij në polici i dërguan mesazhe përmes njerëzve të tjerë se “ata nuk ishin përfshirë në sulmin ndaj tij”.
Si rezultat, shumë gazetarë që janë të angazhuar për raportim të drejtë në Kosovë dhe vende të tjera të Ballkanit ndjehen të pasigurt, pasi është bërë normale që të kërcënohen dhe madje të sulmohen fizikisht.
Kërcënimi në rritje ndaj mediave të pavarura në vendet e Ballkanit, tregon qartë korrupsionin e përhapur dhe krimin e organizuar në këtë pjesë të Evropës.
Ironikisht, vendet e Ballkanit që dëshirojnë të bashkohen me BE duket se e injorojnë faktin që liria e shprehjes është një nga parakushtet thelbësore për pranimin në BE.
Ata e nënçmojnë faktin se liria e shtypit është një nga shtyllat kryesore të një demokracie, qeverisjeje të mirë dhe llogaridhënie politike. Sipas statutit të BE-së, asnjë vend nuk mund të bashkohet ne BE pa garantuar lirinë e shprehjes, si një të drejtë themelore njerëzore (neni 49 i Traktatit të Lisbonës).
Organizatat ndërkombëtare të përkushtuara për mbrojtjen e gazetarëve, shprehin shqetësimin e tyre të thellë rreth mjediseve armiqësore nën të cilat punojnë gazetarët e Ballkanit. Raporti vjetor botëror i Human Rights Watch (HRW) dokumenton sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve në Bosnje dhe Herzegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni. Raporti i HRW është bazuar në intervistat e 86 gazetarëve, shumica e të cilëve shkruajnë për çështje të ndjeshme si krimet e luftës dhe korrupsioni.
Vetëm disa ditë më parë, mijëra qytetarë serb dolën në rrugë në Serbi, duke kërkuar zgjedhje të ndershme, shtyp të lirë dhe dorëheqjen e Presidentit Aleksandar Vuçiç. Qytetarët serbë kanë arritur të kuptojnë se presidenti i tyre po shfrytëzon pozitën e tij për përfitime financiare duke shtrënguar kontrollin e tij mbi pushtetin dhe kontrollin mbi mediat për të parandaluar raportimin që e dëmtojnë atë.
Sead Numanoviç, gazetar nga Bosnja dhe Hercegovina, tregon se mjedisi për mediat në vendin e tij po bëhet gjithnjë e më i pasigurt. “Sulmet fizike ndaj gazetarëve janë bërë të zakonshme dhe po ndikojnë në jetën e tyre të përditshme. Kur një gazetar sulmohet fizikisht nuk përbën më as lajm”, thotë Numanoviç.
Në vitin 2018, pronari i gazetës “The Bosnian Times”, Nedžad Latić dhe gazetari i televizionit BN, Vladimir Kovačević u sulmuan fizikisht dhe autorët e të dy sulmeve nuk janë arrestuar dhe nuk janë përballur me drejtësinë. “Nuk është e vështirë të konkludohet se ky vit do të jetë shumë më i keq për gazetarët sesa vitin e kaluar. Është shumë shqetësuese të bëjmë punën tonë në një mjedis të tillë kërcënues “, thotë Numanoviç.
Edhe pse Koracia është anëtare e Bashkimit Evropian, nuk është vend i sigurt për gazetarët. Hrvoje Bajlo, pronar i gazetës “Zadar” dhe korrespondent për faqen kombëtare të internetit Index.hr, u sulmua vitin e kaluar dhe vuajti nga lëndime të rënda fizike. Kjo ndodhi tri javë pasi Toma Medved, Ministri i Punëve të Veteranëve, dyshohet se kërcënoi një tjetër gazetar, Vojislav Mazzocco.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve “CPJ” me qendër në SHBA, i bëri thirrje autoriteteve malazeze vitin e kaluar për të garantuar siguri për Olivera Lakić, një gazetare hulumtuese në të përditshmen lokale “Vijesti”, e cila u qëllua jashtë ndërtesës së saj në maj të vitit 2018.
Lakiç, e cila ka raportuar gjerësisht për krimin dhe korrupsionin në Malin e Zi, ishte gazetare e dytë nga Vijesti që u sulmua vitin e kaluar. Një bombë shpërtheu pranë shtëpisë së kolegut të saj Saed Sadikoviç me 1 prill të vitit 2018, njoftoi CPJ në atë kohë.
Sipas raportit më të fundit të “Freedom House” “Shetet në Transit”, korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri mbeten një problem serioz, pavarësisht nga përpjekjet e fundit të qeverisë për të shuar këto kundërvajtje. Sipas këtij raporti përzierja e biznesit, politikës dhe zotërimit të mediave të caktuara nga bosët e fuqishëm të korruptuar, pengon zhvillimin e mediave të pavarura.
Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë. Aleksander Cipa, tha se shumica e kërcënimeve që i marrin gazetarët vijnë nga grupe kriminale që veprojnë dhe kanë monopol mbi sektorët e rëndësishëm të ekonomisë. “Gazetarët dhe redaktorët në Shqipëri ushtrojnë edhe vetëcensurë për shkak të interesave ekonomike të grupeve të biznesit dhe pronarëve të medias që kanë krijuar partneritete.”
Nuk është vetëm korrupsioni dhe krimi i organizuar që pengojnë zërat e besueshëm; kur kritikohet një ideologji dogmatike, sidomos kur është në pyetje Islami, është shumë e rrezikshme për gazetarët.
Gazetarët në të gjithë Balkanin përballen me një presion të ngjashëm edhe nga qeveria turke, e cila targeton këdo që guxon të kritikojë veçanërisht Presidentin turk Erdogan. Më 20 korrik 2016, ambasada turke në Prishtinë dërgoi një shënim në ministrinë e jashtme të Kosovës, duke u kërkuar atyre të hetojnë dhe dënojnë gazetarin Berat Buzhala pasi ai bëri komente publike kritike ndaj Erdoganit në mediat sociale.
Në shënimin e ambasadës turke kërkohet nga Qeveria e Kosovës të sigurojë që hapat e nevojshëm do të ndërmerren në lidhje me këtë person në përputhje me ligjin”. Një fotografi e komenteve të Facebook-ut të Buzhalës kundër Erdoganit i ishte bashkangjitur kësaj kërkese.
Xhelal Neziri, një gazetar i shquar nga Maqedonia, thotë se gjatë pesë viteve të fundit, dy gazetarë nga ky vend përfunduan në burg. “Gazetarët përballen me kërcënime jo vetëm nga politikanët e korruptuar, por edhe nga figurat politike që përdorin fenë si mbulesë për t’i shërbyer interesave të tyre. Nëse kritikoni ideologjinë e tyre fetare, një makineri e tërë do t’ju linçojë “, tha Neziri.
Megjithëse kushtetuta e shumicës së shteteve të Ballkanit garanton lirinë e shtypit, kushdo që guxon të kritikojë abuzimin e fesë shpallet armik i Islamit dhe përballet me qortimin më të ashpër dhe shpesh me thirrje të qartë për ‘asgjësim’. Aparati fetar që mbështet Presidenti turk është veçanërisht aktiv, së bashku me ata që janë të lidhur me qendrat e fuqisë financiare në Ballkan, të cilat përhapin doktrinën më themelore të Islamit.
Derisa vendet e Ballkanit pretendojnë të jenë shtete demokratike, ato duket se e injorojnë faktin se liria e shtypit është themelore për një demokraci funksionale. Vendet e Ballkanit të cilat dëshirojnë të bashkohen me BE nuk duhet të kenë asnjë iluzion se aspiratat e tyre mund të realizohen nëse ato nuk përmbushin kërkesat e Kartës së Bashkimit Evropian.
Si e tillë, BE është në një pozitë për të ushtruar ndikim të rëndësishëm në këto vende. Ata duhet ta bëjnë të qartë se kërcënimi, ngacmimi dhe persekutimi i gazetarëve do të përjashtojë çdo anëtarësim të ardhshëm në BE.
Publiku i Ballkanit duhet të dijë se ata mund të llogarisin në mbështetjen e BE-së në betejën e tyre për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shtypit dhe liderët e tyre do të duhet të kuptojnë se shkelja e vazhdueshme e këtyre të drejtave ka një çmim të rëndë.