"Super-zbuluesit" dezinformatorë kundër SHISH-it
Në artikullin e sotëm të gazetës "Sot", "super-zbuluesi" Adriatik Doçi dezinformon në mënyrë të majmë që nga titulli.
Me titull - "SHISH 3 mijë vetë nën përgjim, listë kërkesash në Kuvend për forcimin e kapaciteteve, Komisioni i Sigurisë mblidhet nesër për fondet shtesë", "super-zbuluesi" Doci manipulon me shifrat.
Qartazi, shifra është e kurdisur dhe nuk është e saktë. Nga e di ky se fiks 3000 persona mund të jenë nën pergjim, kur ky informacion në lidhje me sa persona jane në përgjim, më merr mendja, është i klasifikuar?!
Më merr mendja, gazeta "Sot" e "motra binjake" "Dita" s'kanë e s'duhet të kenë akses në informacione të klasifikuara. Pra, del qartë se gazetat e përmendura gatuajnë dezinformacione. Nën urdhërin e kujt?!
Edhe më parë gjatë viteve dolën "burime" të tilla të stisura në gazetat e përmendura dhe anëmbanë shtypit.
Dezinformatorët kundër SHISH filluan fushatën që prej emërimit të Drejtorit aktual duke i servirë publikut falsititete dhe duke iu dhënë ngjyrë politike situatës sipas inateve partiake, me qëllim për ta nxirë imaxhin Institucionit të SHISH-it dhe Drejtorit të tij, z. Lika.
Shkruaj këtë shkrim thjesht si opinion personal dhe më shqetëson edhe pozitën e "klounit të cirkusit" të ish Drejtorit të SHISH, Fatos Klosi që, si "analist i patjetërsueshëm" mbi shërbimet sekrete dhe çështjeve të sigurisë, del nëpër gazeta e televizione, duke përpjekur të baltosë imazhin i tanishëm të SHISH, si i varur politikisht dhe i paaftë.
Nuk e diskutoj rolin e tij gjatë detyrës dhe kontributet që mund t'i kishte dhënë, sepse jam jashtë dijenisë së këtyre gjërave dhe as nuk më përket mua të di, por pozitën e tij të papërgjegjshme në mass media pas daljes nga detyra, sidomos në vitet e fundit.
Mbi të gjitha, ai nuk sheh trarin në sytë e vet si një servil politik i një partie të caktuar dhe si dekonspirues i madh i sekreteve shtetërore sa i përket luftës së Kosovës (për të cilën vepër nuk ka dhënë ende llogari!) dhe sheh kashtën e padukshme në sytë e udhëheqjes aktuale të SHISH, udhëheqje që në fakt ka menaxhuar Institucionin në mënyrë kompetente dhe profesionale drejt sukseseve të mëdha operative, sidomos në luftën kundër terrorit.
Mos vallë pas kësaj fushate antikombëtare të "gazetarucëve" sidomos të "Sot" e "Dita" fshihet edhe komanda dhe "burimet" e falsifikuara të Klosit, që edhe nga karrierizmi dëshiron të zë prapë kolltukun në krye të SHISH?
Kujt i shërben kjo fushatë dezinformacionesh dhe dekonspirimesh të Klosit dhe zhurmës së "çërdhës së gazetarucëve" kundër SHISH?
Në mënyrë të kthjellet jo sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë!
Por kot e keni ju që mendoni se me këto vepra do të pengoni aktivitetin e SHISH, sidomos tani kur vendi mund të rrezikohet nga organizata terroriste e fundamentaliste islamike dhe nga krimi i organizuar.
Kot lodheni, dielli nuk mbulohet me shoshë!