Sundimi i rendit dhe ligjit, lufta kundër informalitetit dhe ekonomisë së kriminalizuar janë garancë e rritjes së buxhetit në 3 miliardë euro
Shkruar nga Safet Gërxhaliu
Pas një kohe të gjatë, Kosova votoi kabinetin e ri qeveritar si kabinet i shpresës dhe i vizionit pozitiv për ardhmërinë e Kosovës.
Në shpalosjen e programit të kryeministrit të ri të Kosovës, z. Albin Kurti, në Parlamentin e Republikës së Kosovës, u prezantuan pikat substanciare për ardhmërinë e Kosovës e në veçanti një qasje pak më ndryshe rreth zhvillimit ekonomik dhe proceseve ekonomike të cilat dua të besoj që do të jenë një lokomotivë edhe për stabilitet politik, social, integrues, edukativ dhe mbi të gjitha psikologjik në aspektin e përmirësimit të imazhit të Kosovës dhe përcepsionit negativ të krijuar rreth Kosovës gjatë viteve të fundit.
Mund të humbet kohë në identifikimin e shumë barrierave për të bërë biznes në Kosovë, por duhet të kuptohet se të gjitha këto barriera mund të zgjidhen dhe të i takojnë të kaluarës vetëm me forcim dhe zbatim të sundimit të rendit dhe ligjit.
Mekanizmi kyç i zgjidhjes së korrupsionit, nepotizmit, kriminalitetit, evazionit fiskal dhe këtyre dukurive negative që e kanë përcjellur vendin tonë ështe sundimi i rendit dhe ligjit.
Jemi dëshmitarë të disa kritikave rreth prononcimit të kryeministrit të ri z. Albin Kurti rreth rritjes së buxhetit në 3 miliardë euro, që nga opozita dhe qarqet opozitare u quajt si një mision i pamundur, por jam i mendimit që një qasje e tillë negative është mjaftë e gabuar dhe e pa argumentuar.
Në qoftë se qeveritë e kaluara me këtë dozë të korrupsionit, qoftë institucional qoftë klanor, më këtë vobektësi të sundimit të rendit dhe ligjit dhe me këtë informalitet kanë arritur të kenë 2 miliard e 400 milion euro atëher si mund të thuhet që nuk do të arrihet rritja e buxhetit për vitin 2021 në 3 miliardë euro, kur dua të besoj që do të luftohet për shtet dhe jo për pushtet, kur sundimi i rendit dhe ligjit do të jetë i barabartë për të gjithë dhe nuk do të ketë biznese të favorizuara nga politika, ku do të rritet përgjegjësia individuale dhe institucionale, ku do të ketë llogaridhënie për çdo shpenzim, ku agjencionet kyçe si Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës do të jenë të orientuara në dialog me sektorin privat dhe jo të jenë penalizues të sektorit privat dhe atë në mënyrë selektive varëisht nga përkatësia politike e bizneseve dhe cilave klane ju takon.
Besoj se një orientim i tillë qeveritar për të mbështetur sektorin privat përmes një dialogu publiko-privat në standarde ndëkombëtare, dialog i cili sektorin privat nuk do ta shikoj për ta penalizuar por për të krijuar partneritet dhe bashkëpunim në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.
Sundimi i rendit dhe ligjit nuk duhet të trajtohet vetëm nga këndëvështrimi i mbështetjes së sektorit privat vendor dhe zhvilimit ekonomik por edhe si mekanizëm kyç për tërheqjen e investimeve të huaja që për fat të keq në Kosovë janë zhdukur falë mungesës së sundimit të rendit dhe ligjit dhe dukurive tjera negative.
Dua të besoj që suksesi më i madh i kabinetit qeveritar të kryeministrit z. Albin Kurti në një periudhë afatshkurtër do të jetë vetëm në qoftë se arrinë të bëjë një skenim të gjendjes aktuale e cila është vërtet shqetësuese dhe kaotike dhe e dyta është fakti që suksesi do të varet jo për të përmirësuar situatën aktuale por në rend të parë për ta ndaluar të keqen që ju është kurdisur vendit nga qeveria e kaluar.
Kabineti qeveritar i kryeministrit z. Kurti e ka një përparësi në këtë realitet sepse mjafton të mos bëjnë keq dhe të veprojnë keq që të jenë shumë të mirë dhe të pranuar nga populli por dua të besoj se zotimet e z.Kurti do të jenë obligim moral për bartje të përgjegjësisë që të realizohen sepse është koha kur për shtet dhe ardhmëri duhet të bëhet më tepër se sa të flitet.