23 Dhjetor 2024

Studimet doktorale në kthetrat e improvizimit

Shkruar nga Milazim Krasniqi

Aktualisht, në shumicën e kolegjeve si edhe në Universitetin e Prizrenit, në atë të Pejës, po në disa raste edhe në vetë Universitetin e Prishtinës, ka jo pak mësimdhënës që nuk e kanë titullin e doktorit të shkencave e aq më pak titullin e nevojshëm universitar.

Universiteti i Prishtinës nuk e ka ende të kompletuar strukturën treshkallëshe të studimeve, e cila është bërë e obligueshme që nga Takimi i Berlinit i vitit 2003 të ministrave të vendeve nënshkruese të Deklaratës së Bolonjës.

Po të na pyesësh gjithandej në UP, të thonë me entuziazëm të shpifur se Bolonjën e mbajmë si vëthin në vesh, ndërsa e vërteta është se edhe në fund të vitit 2012 mungojnë studimet e rregullta doktorale në këtë universitet, gjë që flet më së miri se sa është përqafuar dhe respektuar faktikisht fryma e Bolonjës.   

Fatkeqësisht, edhe konkursi për pranimin e vijuesve në studimet doktorale në Universitetin e Prishtinës, i shpallur me shumë mundime në pranverën e këtij viti, ende nuk është përmbyllur dhe po shkon drejt zhbërjes, sepse emrat e kandidatëve të propozuar për pranim, ende nuk janë publikuar, gjë që e bën të qartë se procesi i leksioneve as që ka mundur të fillojë, edhe pse ata janë pranuar sipas konkursit publik për vitin akademik 2012/2013.

Në këtë kontekst, dy probleme janë serioze, i pari, pse nuk është provuar në gjithë këto vite që të zihet deri dikund ritmi me Komunikatën e Berlinit të vitit 2003, pra që të aplikohet struktura treshkallëshe e studimeve në Universitetin e Prishtinës?  Më tutje, pse u bë vetëm një eksperiment me fillimin e studimeve doktorale, duke proklamuar se ato do të hapeshin në çdo tre vjet dhe e gjitha praktikisht u bë pa e pasur akreditimin e nevojshëm?

E dyta, pse për gjithë këto vite nuk janë përgatitur programet e këtyre studimeve në të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës, aty ku ka kuadro për këtë nivel studimesh?

Meqë është evidente se në disa raste ka pasur dhe ka rezistencë nga mësimdhënës dhe njësi akademike kundër hapjes së studimeve doktorale (që të parandalohet konkurenca, ashtu që ata kur të pensionohen të vazhdojnë të jenë mësimdhënës!), shtrohet pyetja se pse Ministria e Arsimit e ka lejuar ndër vite këtë qasje refuzuese, e cila në fakt është ngulfatëse për zhvillimin e Universitetit të Prishtinës, po edhe të mbarë shoqërisë sonë? 

Por, pyetje për punët e pakryera mund të bëhen pa fund, ama përgjigje nuk mund të mirren, meqë bllokimi i punëve bëhet pikërisht për të mos dhënë përgjigje.

Edhe tash që viti i ri akademik ka filluar, askush nuk ka një përgjigje të qartë lidhur me fatin e studimeve doktorale në këtë universitet publik. Agjencia e Akreditimit është në të drejtën e saj kur thotë se nuk do të lejojë fillimin e studimeve doktorale  pa programe të akredituara.

As Universiteti i Prishtinës e as shoqëria jonë nuk kanë nevojë për studime doktorale shkel e shko, me programe të paverifikuara, të cilat nuk japin asnjë prognozë se cili do të jetë benefiti i shoqërisë nga doktoratat e arritura me programe të paverifikuara.

Përkundrazi, Universiteti i Prishtinës ka nevojë që përmes studimeve doktorale serioze, të rritë prestigjin dhe rangimin e vet, sikundër që shoqëria jonë do të kishte benefite konkrete prej këtij zhvillimi. 

Përndryshe, kështu si janë sot studimet doktorale, periodike në disa drejtime të veçanta dhe pa programe qartësisht të krahasueshme me universitetet serioze, supozohet se kanë sjellë në tregun e punës akademike edhe persona, niveli akademik i të cilëve nuk do t’i qëndronte një kriteri të mirëfilltë për këtë nivel studimesh.

Por, edhe ardhja me doktorata nga jashtë, kryesisht nga rajoni, është bërë një dukuri që tërheqë vëmendjen, së paku për kohën rekorde me të cilën ato doktorata bëhen e mbrohen. Dhe që pothuajse asnjëra prej tyre nuk publikohet pastaj, që të jetë në dispozicion të komunitetit shkencor përkatës e të kritikës, ndërsa është e ditur se botimi i tezës së doktoratës, pas mbrojtjes së saj në universitet, në shumë vende është obligative, para se të mirret diploma.

Prandaj, mbrojtja më e mirë nga këso prirjesh do të ishte aplikimi i studimeve të rregullta doktorale në Universitetin e Prishtinës, studime të akredituara e të mbikëqyrura me gjithë kapacitetet akademike pse jo edhe administrative. Natyrisht, Universiteti i Prishtinës është i vetmi në Kosovë që ka kapacitete për këtë nivel studimesh, prandaj koncentrimi në këtë institucion, që të jetë bartës i këtyre studimeve, është me interes sategjik jo vetëm për arsimin e lartë po edhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të shtetit e të shoqërisë sonë.

Natyrisht, nevojat e arsimit të lartë dhe të institutcioneve të ndryshme në Kosovë për personel me kualifikime të nivelit të studimeve doktorale janë shumë të mëdha. Aktualisht, në shumicën e kolegjeve si edhe në Universitetin e Prizrenit, në atë të Pejës, po në disa raste edhe në vetë Universitetin e Prishtinës, ka jo pak mësimdhënës që nuk e kanë titullin e doktorit të shkencave e aq më pak titullin e nevojshëm universitar.

Bile, vetë Universiteti i Prishtinës është shumë i varur nga bashkëpunëtorët e jashtëm, aq sa po të mos ishin ata në dispozicion, në disa programe do të rrezikohej edhe mbarëvajtja formale e mësimdhënies. Qoftë dhe vetëm për të përmbushur këtë nevojë direkte të tregut të punës të kolegjeve private dhe të universiteteve publike, ka qenë kaherë e nevojshme që studimet doktorale në UP të bëheshin të rregullta e të furnizonin këto themelata me kuadro që do të kishin kualifikime adekuate akademike.

Nga ana tjetër, edhe një varg institutesh, korporatash e bankash pa dyshim kanë nevojë për ekspertë kulminantë, gjë që e rritë edhe më shumë nevojën për këtë profil në tregun e sotëm të punës, i cili thjesht mungon nga mungesa e politikave adekuate zhvillimore akademike në UP.

Në këtë kontekst, nuk duhet lënë jashtë vëmendjes as faktin se Kosova për shkak të rrugës së vështirë të ndërtimit të shtetit e të shoqërisë demokratike të sotme, ka një numër shumë të vogël të doktorave të shkencave, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, krahasuar me numrin e popullsisë.

Në një komentin lidhur me këtë problematikë më ka rënë të shoh se për nevojat e zhvillimit normal të një vendi, është e nevojshme që brenda një viti të doktorojnë prej 100-150 persona në një milionë banorë.

Sigurisht që nevojat ndryshojnë nga vendi në vend e edhe nga lëmia në lëmi, por indikacioni vendimtar është se duhet një numër i caktuar i personave me kualifikime kulminante e me aftësi të kërkimit të mirëfilltë shkencor, për ta ruajtur a përshpejtuar dinamikën e zhvillimit të një vendi e të një shoqërie. Ndërsa, trashëgimia e Kosovës në këtë fushë në të kaluarën ka qenë e rëndë, sepse përzgjedhja e njerëzve të cilëve u janë lejuar doktoratat, së paku deri në fundin e viteve tetëdhjetë,  ka qenë mjaft restriktive dhe e motivuar nga „përshtatshmëria ideo-politike“.

Mirëpo, edhe ajo trashëgimi e fituar me shumë vështirësi, është duke u konsumuar me sshpejtësi, sepse  një numër i madh i atyre doktorëve të shkencave, tashmë kanë shkuar në pension, ose janë ndarë nga jeta. Shumë prej tyre nuk janë zëvendësuar më mënyrë adekuate, po me disa arnime e me zgjidhje të motivuara nga ndikime  patriotike, por që gjithmonë mbeten jashtakademike.             

Të gjitha këto janë arsye që mund të analizohen e të komentohen si të duam, varësisht nga ndjeshmëria e nga aftësia e të kuptuarit të peshës së tyre në jetën e vendit. Por, një çështje mbetet gjithmonë akute e që nuk do analizë por kërkon zgjidhje: zhvillimi i  Universitetit të Prishtinës dhe forcimi i komponentës hulumtuese në të nuk mund të jetë i plotë pa studimet e rregullta doktorale. Ky nivel i studimeve është i dedikuar për hulumtim të pavarur, për qasje origjinale në studim e për furnzimin e mjedisit akademik me projekte, me ide e vizione të reja shkencore.

Studimet master nuk e arrijnë atë nivel prandaj nuk mund ta kompensojnë mungesën e studimeve doktorale në planin e hulumtimeve shencore. Prandaj, zgjidhja më e mirë dhe afatgjatë është forcimi i strukturës treshkallëshe të studimeve në UP, e jo lënia e kësaj pune në dorë të spontanitetit e të improvizimit. E sigurt është që procesi shkencor dhe produkti i tij nuk kanë gjë të përbashkët me spontanitetin dhe me improvizimin. Por, as zhvillimi i shtetit e i shoqërisë demokratike. ( Gazeta “Epoka e re”)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)