22 Dhjetor 2024

Strategjia për të ardhmen efikase të gjyqësorit

 Shkruar nga Fejzullah Hasani


Gjykatat në Kosovë, pas luftës, filluan punën si gjykata emergjente. Të ndodhura në një kaos dhe rrëmujë institucionesh, ato gjetën një numër të madh lëndësh të pazgjidhura, midis të cilave edhe shumë lëndë në procedurën përmbaruese, që nuk ishin përmbaruar ende. Pra, që në fillim, gjykatat në punën e tyre u përballën me shumë sfida.

Disa nga sfidat ishin: numri i pamjaftueshëm i gjyqtarëve (duke punuar një kohë madje edhe pa personel ndihmës, i cili do të pranohej ndërkohë, por jo edhe në numër të nevojshëm), mungesa e adresave për shkak të lëvizjes së popullsisë nga pjesët rurale në ato urbane, mungesa e dokumentacionit kadatstral, mungesa e arkivave të gjykatave, mungesa e bashkëpunimit me segmentet e policisë, si dhe përvoja e vogël e një numri gjyqtarësh që ishin inkuadruar në gjyqësor. Të gjitha këto përbënin pengesa shumë të mëdha, disa edhe të pakapërcyeshme  për mbarëvajtjen e punës së gjykatave të Kosovës.

Shkaqet kryesore për të cilat gjyqësori gjendet në një gjendje të tillë konsideroj se janë:

·    numri skajshmërisht i vogël i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë;
·    mungesa e përkrahjes së pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në të gjitha aspektet, duke filluar nga mungesa e krijimit të kushteve për punë,  përkrahjes materiale dhe ofrimit të sigurisë në situata të domosdoshme.

Jam i vetëdijshëm se individët e caktuar në gjyqësor (qofshin ata gjyqtarë apo personel ndihmës) me veprimet e tyre abuzive dhe aspak profesionale e kanë komprometuar gjyqësorin, ndërsa kam arsye për të besuar se me reformat e implementuara së fundi gjyqësori është liruar nga bartësit e tillë të funksioneve gjyqësore, edhe pse, për fat të keq, nga procesi janë larguar edhe gjyqtarë me kredibilitet të lartë profesional dhe moral për arsye të tjera (kriteri i moshës apo mos kalimi i provimit të etikës). Megjithatë, numri më i madh i gjyqtarëve kanë kryer punën e tyre me  nder dhe devotshmëri.    

Nga këndvështrimi im, sfidat kryesore për gjyqësorin tani e tutje janë:

·    reformimi kuptimplotë i sistemit  gjyqësor, si në aspektin e kuadrove, ashtu  edhe në aspektin organizativ (ku përfshihen ndërtimi i një gjyqësori të pavarur, të paanshëm dhe kredibël, krijimi i kushteve të punës për gjyqtarët, duke përfshirë edhe ngritjen e pagave dhe barazimin e tyre me pagat e dy pushteteve të tjera);
·    ulja e numrit të lëndëve të pazgjidhura dhe sjellja e numrit të tyre në kufij normal.

Sfida më vete dhe mjaft e madhe për gjyqësorin do të jetë kthimi i besimit të opinionit, ku  gjyqësori do të vlerësohej si vend i shenjtë ku ndahet vetëm drejtësia, ku qytetari do të jetë i sigurt se aty do të vendoset vetëm në bazë të ligjit dhe verdiktin të cilin e jep gjykata, çfarëdo qoftë ai, do të pranohet.

Për arritjen e këtyre synimeve Këshilli Gjyqësor i Republikës së Kosovës, i mbështetur nga USAID-i, e ka parë të domosdoshme që të hartojë një Strategji gjithëpërfshirëse me qëllim të uljes së numrit të lëndëve të prapambetura. Janë formuar disa grupe punuese, të cilat pasi kanë shqyrtuar defektet që e kanë shoqëruar gjyqësorin e Kosovës në segmente të caktuara, kanë përpiluar raporte për gjendjen e gjetur dhe kanë dhënë propozime se si të procedohet në të ardhmen, me qëllim të përshpejtimit të procedurave .

Është hartuar Strategjia me objektiva të qarta dhe të limituara në afate kohore. Me qëllim të realizimit të kësaj Strategjie është parashikuar që Këshilli Gjyqësor të caktojë normën e saktë dhe obliguese për gjyqtarët, të cilët do të stimulohen për tejkalim të normës së caktuar (për lëndët e kryera mbi normën e obliguar) dhe për këtë janë siguruar edhe mjetet nga buxheti i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës.

Çdo mos përmbushje e normës së caktuar do të tërheqë përgjegjësi për gjyqtarët. Çdo gjyqtar do të jetë i detyruar t’i procedojë së pari lëndët e vjetra, me përjashtim të atyre që konsiderohen me prioritet.

Nga hulumtimet që kanë bërë grupet punuese është konstatuar se për një numër jo të vogël të lëndëve është arritur afati i parashkrimit relativ apo absolut, por të cilat akoma në raportet vjetore tregohen si të pakryera dhe detyrë e të gjithë kryetarëve të gjykatave do të jetë që t’i veçojnë këto lëndë dhe të pushojnë procedurat.

Nga numri i përgjithshëm i lëndëve të pakryera, pothuajse gjysma janë lëndë përmbarimore – lëndë që presin për t’u ekzekutuar. Rrjedhimisht, është rekomanduar mundësia e themelimit të agjencive private të përmbarimit për të shkarkuar gjykatat nga këto lëndë.

Realizimi i kësaj strategjie nuk do të jetë i lehtë dhe pa sfida, ndërsa sfidë kryesore për ta implementuar këtë Strategji me sukses do të jetë mos plotësimi i të gjitha vendeve me gjyqtar .Ne kemi përmbyllur fazën e tretë të emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve me 120 vende vakantet lira, për faktin se nuk kishte kandidatura të mjaftueshme për gjyqtar dhe prokuror.

Edhe pse ne presim shumë nga këto reforma dhe kjo Strategji, megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm për faktin se reformat, çfarëdo qofshin ato, krijojnë vështirësi dhe duhet lënë kohës për të parë se sa është realizuar kjo Strategji dhe sa ishin reale pritjet tona në mënyrë një të ardhme të ndritshme për sistemin gjyqësor të vendit, që përfundimisht do të sillte edhe ngritjen e besimit të qytetarit për këtë sistem.


Autori është Kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)