Stop abuzimit me ligjin dhe shëndetin e qytetarëve !

Fjalimi në seancën e sotme plenare të Kuvendit
Shkruar nga Margarita Kadriu
Në Kosovën tonë të vogël nuk kalon java pa shpërthyer ndonjë skandal,e që zakonisht ka të bëj me mungesën gati totale të sundimit të ligjit dhe me protagonistë të mafias e oligarkëve kosovarë të lidhur me individë e zyrtarë të lartëtë skenës politike dhe institucionale.
Në mesin e skandaleve të panumërta që po shpërthejnë në publik, është njëri për të cilin qytetarët janë të shqetësuar dhe të brengosur , dhe në vazhdimësi më kontaktojnë për të ngritur këtë cështje edhe në Kuvendin e Kosovës.
Organizata Botërore e Shëndetit, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit, që shënohet çdo vit , sivjet ia dedikoi vëmendjen sigurisë së ushqimit, për të cilën po flitet shumë, sidomos gjatë kohëve të fundit.
Si pasojë e mosfunksionimit normal të institucioneve kompetente të shtetit , në tregun tonë, gjithfarë produktesh ushqimore qarkullojnë prej vitesh pa u mirëkontrolluar, as në hyrje dhe as në shpërndarje , shitje e konsumim.
Agjencitë përkatëse shtetërore që bëhen se kinse bëjnë kontrollin e ushqimeve, janë shumë jotransparente, dhe sidomos të papërgjegjshme kur është fjala për të publikuar të dhëna që prekin interesat klienteliste dhe monopoliste të shoqërive të caktuara tregtare , që falë lidhjeve korruptive me zyrtarët e caktuar të shtetit bëjnë çfarë të duan, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e të gjithë qytetarëve në Kosovë.
Ndërkohë, ata që e pësojnë gjithmonë janë qytetarët e Kosovës, të cilët ndihen të pasigurt, për shkak të mungesës së kontrollit dhe moszbatimit të ligjshmërisë.
Cfarë garancish jep shteti ynë, për të mos lejuar depërtimin në treg të produkteve të rrezikshme për shëndet?
Për shkak të krimit ekonomik me dhe për motive korruptive që ka përfshirë edhe segmente shtetërore, siguria e ushqimit , aktualisht është bërë më e dobët se asnjëherë me parë.
Se cilësia e importeve për ushqim human nga jashtë nuk mirëkontrollohet flet shumë qartë edhe raporti i Komisionit për bujqësi, ku shihet qartë se ligji nuk po zbatohet dhe popullata definitivisht nuk është e mbrojtur nga produktet ushqimore të dyshimta.
Duke favorizuar dallaveret me lëndët dhe mallërat e importuara, siç ka ndodh kryesisht me grurin për kafshë apo me qumështin pluhur, nga Serbia, kjo pasiguri jo vetëm thellohet,por tanimë ka rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve , ndërsa në anën tjetër po dëmtohen dhe demotivohen prodhuesit vendorë të produkteve bujqësore në vend.
T`u ofrohet qytetarëve krunde për miell si dhe qumësht pluhur të skaduar nga importi, në vend të qumështit vendor të kafshëve , dhe në vend se të mbrohet dhe stimulohet prodhimi vendor i grurit apo qumështit, kjo me të vërtetëështë e tepruar.
Të nderuar deputetë dhe kabinet qeveritar, këtij abuzimi me ligjin dhe shëndetin e qytetarëve duhet ti thuhet STOP , edhe atë që nga Kryeministri e qeveria, por njëkohësisht edhe nga Prokuroria e shtetit dhe gjyqësori, duke i detyruar shkelësit e ligjit të përballen me drejtësinë.