Sporti ja mbrrin para politikës ndonjëherë
Një web faqe kroate index.hr thotë: Majlinda Kelmendi është më e njohur se shteti që përfaqëson.
Një profesoreshë e Universitetit të Rio de Janeiro-së, kishte shkruar ditët e fundit se me administratën e re proamerikane në Brazil, janë shtuar shanset e njohjes së Kosovës.
Profesoresha e cila ka qenë në Kosovë dy herë në projekte të ndryshme, potenconte se edhe suksesi i Majlinda Kelmendit fituese e medaljes së artë olimpike në xhudo në kategorinë deri 52 kilogram, ka ndikuar në imazhin e vendit tonë Kosovës në njërin nga shtetet më të mëdhenj të botës.
Nuk është e vetmja profesoresha braziliane që analizon relacionin sport-diplomaci edhe një profesor tjetër amerikan, i Universitetit John Hopkins potenconte se suksesi i Majlinda Kelmendit e ka ndryshuar imazhin e Kosovës në botë. Qindra kolumne, kopertina, kronika televizive, ju kushtuan heroinës tonë dhe me siguri qindra mijëra apo miliona njerëz në botë ndëgjuan për herë të parë për Kosovën.
Ndëgjuan mirë për të. Nuk ndëgjuan për kosovarë në Siri, por për kosovarë që janë të parët në botë për sport.
Flasin mirë anglisht ashtu si bëri Majlinda me hijeshinë e vet, me modestinë e vet. Në fjalimin e përgatitur nga Ministria e jashtme ose nga vetë Ambasadorja Vlora Çitaku në Këshillin e Sigurimit, u përmend me mburrje Majlinda Kelmendi.
Dhe çfarë ? Ky ndryshim imazhi nuk ndikon thjesht dhe vetëm te popullatat. Ai ndikon edhe te katet e epërme të politikës, aty ku merren vendimet.
Dhe ndoshta ka ardhur koha të mendohet një strategji për përdorimin e sportit në funksion të diplomacisë së Kosovës. Sporti ja arriti më shpejt se diplomacia me hy në organizatat sportive botërore, ndërsa shteti jonë ende nuk ka hy në OKB. E bash për këtë, ndoshta sporti, (ai i suksesshëm) mund të ndihmojë diplomacinë.
Një hap u krye kur në pritjen e zëvendëspresidentit amerikan Xhoe Bajden, së bashku me zyrtarët më të lartë shtetërorë doli edhe e arta Majlinda Kelmendi.
Nuk di se kujt i kishte shkuar mendja: ministrit të jashtëm, kryeministrit apo presidentit të vendit, por lëvizja ishte e qëlluar. Me gjasë, Bajdeni ashtu siç pohoi edhe vetë do ti mburrej nipave që kishte takuar kampionen olimpike dhe nuk do ta harrojë kurrë takimin me të.
Por ne nuk kemi probleme me SHBA. Ne i kemi problemet me të tjerët, me ata që nuk na njohin, që na pengojnë në integrimin tonë ndërkombëtar.
Majlinda përsëri mund të na ndihmojë. Mbase duket utopi që në shpatullat e saj të vogla dhe të forta me vendosur ngarkesa të reja të mëdha. Por jo, bëhet fjalë për veprime simbolike. Për shembull, ju e mbani mend sesa emocion prodhoi ajo kur fitoi një tjetër medalje në Rusi.
Rusia i pranoi pasaportën asaj, i dha vizë, i këndoi himnin, i ngriti flamurin, e nderoi me gardë ushtarake, ku edhe vetë Presidenti Putin, që i ka qef artet marciale u ngrit në këmbë. A mund të bëjë diçka Majlinda kundrejt Rusisë ? Dmth të shkruajë, të flasë, të lobojë që Rusia të heqë veton ndaj anëtarësimit tonë në OKB ?
Majlinda e vetme, mbase nuk mund të bëjë asgjë. Por sportistët e tjerë të suksessshëm, bashkë me të, mund të bëjnë. Shumë shpejt ekipi jonë përfaqësues i futbollit, mund të shkojë në Rusi. Mund të bëjë ndeshje miqësore, por nëse kualifikohet, atëherë do të duhej të shkonte atje për ndeshje zyrtare. Futbolli është sport më masiv sesa xhudo. E tash, edhe futbollistët mund të mendohej të bënin njëlloj thirrje bashkë me Majlindën: mos na pengoni në hyrjen tonë në OKB!
Nuk ka diskutim se Kosova nuk shihet në botë më si më parë. Një shtet i vogël e ka të vështirë të prodhojë lajme të mira botërore, por Majlinda, futbollistët e kombëtares, dhe këngëtarët e famshme si Rita Ora, Dua Lipa prodhojnë vazhdimisht. E tash ato janë eksporti jonë më i mirë. Kanë qenë eksport artistik, sportiv, por duhet dhe mund të jenë dhe politik.
Dikush mund të thotë, mos me e ngatërruar sportin me politikën. Është e pamundur mos me e ngatërruar, edhe sikur të duam ne. Dua Lipa erdhi në Kosovë pas suksesit të Kombëtares sonë të futbollit. Krenaria e saj për origjinën shqiptare u potencua fort prej saj dhe unë dua të besoj se suksesi i futbollit ndikoi në këtë krenari.
Dua Lipa, sportistët tanë e duan Kosovën, e duan kombin dhe ndaj mund të bëjnë diçka simbolike për ne. Të lobojnë simbolikisht për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kur pretendonte se lobonte njëfarë Xhejms Berisha me fluturaken e tij, e pse të mos e bëjnë edhe këta emra të shquar që na japin krenari, por dhe që i njeh krejt bota?
/Autorja është magjistre e linguistikës frënge/