25 Dhjetor 2024

Sopoti vazhdon të flasë

Shkruar nga Zenelabedin Latifi

Edhe këtë vit si çdo vit tjetër, pas 69 viteve, Sopoti po e pret 4 nëntorin, që tani shoqërohet edhe me përmendoren e 64 martirëve të vrarë në vitin 1944 nga zullumqarët serbosllavë dhe shovinistët maqedonas.

Por dëshmitari i gjallë, që me fjalët e tij e ngriti këtë përmendore, Haxhi Bajram Latifi, këtë vit nuk gjendet pranë nesh që të kujtojë edhe një herë datën e 4 nëntorit.

Ai u largua me idealin e realizuar, sepse pas vetes la dëshminë e gjallë, që ishte ëndërr e tij. Para një viti, gjegjësisht në nëntorin e vitit 2012, kur në gazetë u botua shkrimi im “4 Nëntori i ftohtë për Sopotin!”, derisa po ia lexonim atë, ai u emocionua shumë dhe nuk mundi t\'i mbajë lotët, duke thënë se asnjëherë nuk e ka menduar se do të vijnë këto ditë për ne, që edhe nipi i tij të shkruajë për tragjedinë e asaj dite të tmerrshme.

Sopoti, si fshat ka një pozitë mjaft strategjike, dhe gjithmonë si shkak i saj ka qenë pre e sulmeve të ndryshme, ku më të rëndësishmet janë masakra e 4 nëntorit 1944 dhe montimi i hedhjes së minës gjoja nga shqiptarët, në vitin 2003. Ky fshat ka më pak se 300 banorë, ku afër 90% e tyre jetojnë me ndihma sociale dhe merren me bagëti.

Ngritjen e përmendores e pasuan disa faza, ku më 4 nëntor 2007 u hodh gurthemeli i ndërtimit të saj. Në ceremoninë e kësaj dite Haxhi Bajram Latifi tha disa fjalë para gjithë pjesëmarrësve, ku mes tjerash citoi se ashtu si e kanë përjetuar këtë ditë sopotasit, ka qenë një ditë shumë e rëndë, fjalë të cilat Ali Ahmeti i vlerësoi të rënda sa malet.

Pastaj në mars të vitit 2008 në Sopot me pjesëmarrjen e Ali Ahmetit, e shpalosëm edhe planin e atij lapidari, që do të bëhej dëshmitar i padrejtësive dhe dëmeve që na i ka shkaktuar shkjau. Derisa po vazhdonte procesi, sopotasit në verën e vitit 2008 i gjetën eshtrat e të vrarëve, kurse më gjegjësisht në gusht i varrosën pranë përmendores.

Në ato momente Ali Ahmeti, i cili e dinte se çfarë është lufta, ngase vetë kishte qenë pjesëmarrës në luftën e vitit 2001, për sopotasit tha: \'Këta njerëz nuk janë vra se nuk bënë diçka, këta njerëz nuk janë pajtuar me pushtues, nuk janë pajtuar me robërinë, këta njerëz nuk kanë pranuar të huajt, kanë dashur trollin e vet, dhe kanë dashur të jenë të lirë në tokën e vet, për atë edhe janë pushkatuar edhe janë masakruar\'.

Kurse Haxhi Bajram Latifi atë ditë edhe pse mjaftë i emocionuar, kishte thënë: \'Më 4 nëntor 44 ditë e shtunë ka qenë atë ditë i morrën të gjithë, disa i kanë dërguar në Shushevë i kanë mbyt, disa i kanë mbyt në fshat, unë kam qenë 14 vjeçar në atë kohë, edhe mu më kan marrë një herë por shpëtova\'.

Kur kujton historinë e Sopotit, njëkohësisht je duke kujtuar fatin e shumë fshatrave shqiptare. Sopoti është një pasqyrë që shfaq shumë fshatra, të cilat qenë masakruar nga shkjau.

Tani derisa martirët po pushonin pranë përmendores, më 8 nëntor të vitit 2008, Sopoti ishte mbuluar nga ngjyra e kuqe e flamujve që gjendeshin pranë përmendores, kurse ajo ishte mbuluar me bez të kuq. Ishte një lumturi e madhe derisa shihje se si Sopoti po bëhej me përmendore, gjë e cila kishte qenë vetëm një ëndërr që askush nuk kishte guxuar ta përmendë.

Kështu, triumfuesit sopotas u nisën drejt përmendores dhe e shpalosën atë, gjë e cila tregoi edhe një herë se shpata dhe arma e shkjaut asnjëherë nuk do ta zhdukë shqiptarin, ajo vetëm se do ta shtojë popullsinë tonë.

Me shpalosjen e përmendores doli në pah se fitues ishim ne, kurse humbës ishte shkjau, i cili i zhytur pas kësaj bote kishte harruar se edhe ai e ka një fund.

Tani vrasësit nuk jetojnë më, kurse martirët e Sopotit u ngjallën për të jetuar përsëri e për të mos vdekur më, sepse dëshmorët nuk vdesin, ata janë të gjallë, ashtu siç edhe na ka premtuar Krijuesi absolut, fjalë të cilat ndodhen edhe në përmendoren me shqiponjën dykrenore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)