S'mund te kemi zhvillim ekonomik pa sistem gjyqësor te mirëfilltë
Shkruar nga Nehat Emrullahu
Për një ekonomi në zhvillim i rëndësishëm është funksionimi i sistemit gjyqësor i cili është i varur plotësisht nga vullneti dhe stabiliteti politik.
Fillimisht duhet kuptuar lidhshmërinë në mes të ekonomisë dhe gjyqësorit.
A është i varur zhvillimi ekonomik nga sistemi gjyqësor?
Një sistem gjyqësor i pakorruptuar sa mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik? Gjyqësori a mund ta ndaloj apo vetëm hesht korrupsionin në biznese?
Për investitorët e jashtëm sa është i rëndësishëm stabiliteti politik dhe sistemi gjyqësor i qëndrueshëm?
Këto dhe shumë dilema te tjera në lidhje me raportin në mes të zhvillimit ekonomik dhe funksionimit të qëndrueshëm të sistemit gjyqësor na bëjnë të pyesim se cili duhet të jetë prioritet i parë dhe cilin mekanizëm duhet Qeveria ta vë në veprim me shpejt dhe më lehtë, zhvillimin ekonomik apo sistemin gjyqësor?
Stabiliteti politik, juridik dhe ekonomik janë garanci për mirëqenie të duhur për qytetarët. Politika duhet dhe mund ta prodhoje një sistem gjyqësor, i cili krijon siguri dhe besueshmëri te qytetarët, bizneset vendore dhe bizneset ndërkombëtare.
1. Këndvështrimi im është se nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa funksionim të mirëfilltë të sistemit gjyqësor.
Nuk mund te kemi funksionim të sistemit ligjor pa vullnetin dhe përkrahjen e Ekzekutivit dhe Legjislativit. Prandaj kohezioni politik dhe juridik me atë ekonomik është i domosdoshëm për krijimin e parakushteve edhe për investitorët nga vendet e zhvilluara.
Tashmë të gjithë e kanë vënë prioritet zhvillimin ekonomik, këtë qytetaret e pranojnë si një diçka e premtuar dhe e mundur për realizim.
Prandaj, krijimi i vendeve të punës mund të bëhet vetëm me zhvillim ekonomik. Zhvillimi ekonomik mund të realizohet duke qenë funksional dhe i pavarur sistemi gjyqësor.
Edhe pse me të drejtë vlerësohet se buxheti i Kosovës është konsumues dhe fare pak ose aspak i dedikuar për zhvillimin ekonomik, megjithatë, menaxhimi i drejtë i tij, menaxhimi funksional i investimeve publike, transparenca dhe çmimi konkurrues, duhet të jenë të rëndësisë së veçantë.
Ekonomia joformale me vite supozohet të jetë e barabartë me buxhetin e planifikuar të Qeverisë së Kosovës.
Është një mundësi e mirë që të shtohet numri i taksapaguesve dhe në këtë mënyrë të rritet inkasimi i mjeteve të (pa)planifikuara, të cilat mund të drejtohen lehtë në investime publike. Kështu rrisim vetëdijesimin dhe përgjegjësinë qytetare në drejtim pagesë-investim-shfrytëzim.
Duke pas parasysh se numër i konsiderueshëm i bizneseve është i varur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga investimet kapitale të qeverisë në nivelin qendror si dhe atë lokal, domosdoshmërish shtrohet kërkesa për menaxhimi të drejtë dhe korrekt të sistemit të prokurimit, i cili tashmë është i vlerësuar si sistem i njëanshëm dhe i korruptuar.
Ndërprerja e hallkës së ashtuquajtur prokurim - firma klanore ose firma të korruptuara mund të bëhet vetëm e vetëm me ndihmën e plotë të vullnetit politik institucional dhe sistemit gjyqësor.
Firmat klanore, firmat me pronar - menaxhment të paradisponuar për korrupsion si dhe firmat fiktive, përveç punësimit të një numri të kufizuar të punëtorëve për projektet përkatëse vështirë se mund të jenë kreative, inovative dhe të sigurojnë perspektive të qëndrueshme për të punësuarit dhe gjeneratat e reja.
Prandaj funksionimi i ligjit i përkrahur fuqishëm nga strukturat politike dhe gjyqësori në kompleksitetin e vetë do të krijonte stabilitet dhe minimizonte korrupsionin dhe krimin e organizuar.
2. Si mund të lirohemi nga ky koncept i cili po na fundosë duke humbë shpresat për një të ardhme më të mirë. si mund ta fillojmë zhvillimin ekonomik?
Duke marrë parasysh numrin e lëndëve në sirtarët e gjyqësorit në raport me numrin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, del se gjyqtarët-prokurorët-avokatët-strukturat politike, lehtë mund të manipulojnë me prioritetin e (mos)shqyrtimit të lëndës deri në mbulese nga pluhuri ose harresë si dhe gjykim jo të drejtë dhe të vonuar.
Prandaj me këtë nuk është befasi për vlerësim të institucioneve si më të korruptuarat nga qytetarët, OJQ-të vendore dhe institucionet përkatëse ndërkombëtare.
Zhvillimi ekonomik mund të fillojë vetëm e vetëm atëherë kur Qeveria dhe Legjislacioni përkrahin pa kushtëzime sistemin gjyqësor moralisht dhe financiarisht në mënyre që të rritet siguria dhe besueshmëria te qytetarët, bizneset vendore si dhe institucionet ndërkombëtare të cilat raportojnë dhe këshillojnë investitorët nga vendet e tyre për investime në Republikën e Kosovës.
Përkrahja morale nënkupton largimin nga ndikimet e jashtme të strukturave politike dhe lirimin deri në pavarësi të plotë të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, derisa përkrahja financiare është që sistemi gjyqësor dhe prokurorial të siguroj në pavarësi të plotë financiare në mënyre që ta menaxhojnë kuadrin e mjaftueshëm ligjor profesional dhe kompetent me qëllim të shqyrtimit të të gjitha lëndëve përkatëse në kohë dhe sasi.
Sigurimi financiar i Sistemit Gjyqësor realizohet ekskluzivisht nga dy burime:
a. Buxheti duhet të rritet nga Qeveria e Kosovës në masë të mjaftueshme dhe;
b. Inkasimi i taksave gjyqësore të bëhet drejtpërdrejt në llogarinë e Institucionit gjyqësor dhe prokurial.
3. Qeveria e porsazgjedhur duhet ta vë prioritet numër një, fuqizimin e aspektit ligjor në të gjitha nivelet në mënyrë që të reflektojë siguri dhe besueshmëri te qytetarët dhe komuniteti i bizneset.
Ftesat formale për një siguri më të madhe, për përkrahje të parandalimit të korrupsionit, për zhvillim ekonomik, për bojkotim të produkteve nga Serbia deri te kërkesa për ndaljen e qytetarëve për të mos ikur nëpërmes të Serbisë dhe shtigjeve tjera të mundshme në vendet e Evropës nuk besoj se do të ndihmonin shumë, përkundrazi, kjo mund ta irritojë edhe më shumë edhe klasën e mesme, e cila çdo ditë e më shumë është duke iu bashkangjitur pjesës së qytetarëve që lufton për sigurimin e pagesave komunale të detyrueshme dhe krijimit të kushteve minimale për mbijetesë.
Prandaj për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e domosdoshme është eliminimi i dukurive negative dhe përfundimisht fillimi i funksionimit të shtetit ligjor.
Me këtë, të gjithë qytetarët ndihen të barabartë dhe te respektuar. Bizneset vendore fillojnë të jenë konkurruese, kreative dhe inovative. Punësimi dhe shpresa për të ardhmen hapet.
Një numër i konsiderueshëm i biznesmenëve shqiptarë të suksesshëm jashtë vendit sigurisht që do të vijnë të investojnë dhe të krijojnë vende të reja të punës, jehona nuk përfundon më kaq, sepse bizneset e mëdha, bizneset me kapital të konsiderueshëm nga gjithë Evropa dhe vende tjera janë në kërkim të partnerëve, këta kanë interes të investojnë aty ku ka siguri dhe fuqi punëtore të kualifikuar të të gjitha niveleve dhe profesioneve.
4. Zhvillimi ekonomik është ngushtë i lidhur me funksionimin e shtetit ligjor, siç është lidhshmëria edhe me organizmat tjera. Prandaj në të njëjtën kohë duhet të fillojë edhe përkujdesja dhe reformat në arsim dhe shkencë, shëndetësi dhe sigurime sociale, planifikim hapësinor dhe mbrojtje të ambientit, zgjidhjen e problemeve sociale etj.
Kjo do ta bëjë që kënaqësia qytetare do të jetë në rritje, dashuria ndaj atdheut do të bëhet edhe më e madhe, respekti për lidershipin politik brenda dhe jashtë vendit do të jetë meritor, gjasat për integrim në BE, NATO dhe në Kombet e Bashkuara do të bëhej realitet.
Modalitetet për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm lidhen ngushtë me angazhimin dhe menaxhimin e potencialit intelektual, profesional dhe njerëzor që do të bënte që ta shfrytëzojë racionalisht dhe me eficiencë infrastrukturën ligjore, fizike dhe natyrore për të mirën ekonomike, politike dhe sociale të qytetarëve.
Pra, funksionimi i plotë i sistemit gjyqësor duhet të mbetet prioritet mbi prioritetet në mënyre që qytetarët ti realizojnë të gjitha të drejtat e garantuara me Kushtetutë.
(Autori është inxhinier i diplomuar i Makinerisë)