Smogu: Çfarë bën bota për ta luftuar
Shkruar nga Iniciativa #MerrFrymë
Në dhjetor të vitit 1952, Londra u kap nga një episodë e shkurtër por fatale e ndotjes së ajrit.
Përderisa deri vonë flitej për rreth 4.000 të vdekur nga pasojat e këtij smogu, studime të reja tregojnë se numri real i viktimave ishte në fakt tre here më i lartë. Shumica e 12.000 vdekjeve të periudhës pas smogut i ishin atribuar gabimisht gripit sezonal.
Përgjegjës për smogun e madh të Londrës ishte ndotja me dioksid sulfuri (SO2) nga djegia e pa filtruar e thëngjillit për prodhim të rrymës elektrike dhe ngrohje rezidenciale, në kombinim me kushtet atmosferike.
Fataliteti i smogut të Londrës ndërgjegjësoi popullatën për gjendjen e ajrit dhe nxiti legjislacion për mbrojtje të cilësisë së tij (Clean Air Act në vitin 1956).
U morrën hapa për të ndaluar thëngjillin për ngrohje rezidenciale. Sistemi i ngrohjes u zëvendësua me teknologji të bazuara në gaz, naftë dhe karburante alternative solide.
Në anën tjetër u vendosën dhe u implementuan standarde të reja dhe rigoroze për djegien e thëngjillit për prodhim të rrymës elekrike. Me menaxhimin e problemit të energjisë, cilësia e ajrit u përmirësua dukshëm.
Megjithatë, problemet nga djegia e thëngjillit dhe emetimet e SO2 nuk u zhdukën në tërësi. Në vitet e tetëdhjeta u ngrit çështja e të rreshurave acidike dhe acidifikimit të liqeneve skandinave. Si rezultat i kësaj episode ndërkufitare të ndotjes u vendosën standarde të reja të filtrimit.
Sot Londra përballet me ndotje të ajrit nga kombinimi i grimcave ndotëse shumë të imëta (PM2.5) dhe dioksidit dhe okside të azotit (NO2, NOx), të emetuara në veçanti nga automjetet me naftë. Që në javën e parë të vitit 2017 ky metropol e tejkaloi limitin e lejuar vjetor të ndotjes.
Si ndikon smogu në shëndetin tonë
Grimcat PM 2.5 janë ndotës me diametër prej 2.5 mikrometrash. Si të tilla, ato jo vetëm që depërtojnë në mushkëri, siç është rasti me grimcat PM10, por përmes rrugëve të frymëmarrjes përfundojë edhe në sistemin kardiovaskular.
Emetimet e larta të NO2 po diskutohen aktualisht si shkaktar i mijëra vdekjeve të parakohshme. Në faqen e komunës së Londrës raportohet se vetëm në vitin 2010, nga ndotja me grimca PM2.5 dhe NO2 kanë humbur jetën 9.400 persona.
Rreth 5.900 të vdekjeve të parakohshme rezultuan nga nivelet toksike të NO2, ndërsa 75 përqind të hospitalizimeve me probleme kardiovaskulare ishin të asocuara me PM2.5.
Rrezikun që ndotja e ajrit paraqet për shëndetin publik e dëshmojnë edhe studime aktuale shkencore.
Një studim kanadez ka konstatuar se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit nga trafiku mund të ngrisë dukshëm shansën për të zhvilluar dementia.
Ndërkaq, nga një studim evropian del se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit me grimca të inhalueshme PM10 dhe PM2.5 rezulton në incidencë, pra, shpeshtësi të kancerit të mushkërive.
Jo vetëm kaq: studimi konkludon se edhe niveli i ndotjes nën limitet aktuale të Bashkësisë Evropiane për grimca PM10 (40 mikrogram per metër kub) dhe PM2.5 (25 mikrogram për metër kub) përbën rrezik për zhvillim të kancerit të mushkërive.
Reagime në Oslo, Paris, Krakov
Shembulli i Londrës tregon se si mund të reduktohet ndotja nga thëngjilli, por është relevant edhe në kontekstin e debatit dhe përpjekjeve aktuale për të reduktuar ndotjen nga automjetet.
Me reduktimin e nivelit të ndotjes së ajrit nga oksidet e azotit dhe grimcat PM2.5, londinezët kalkulojnë se brenda një dhjetëvjeçari do të mund të shpëtojnë katër milion vite jetë. Në qendër të këtij debatit janë veturat me naftë.
Komuna e Londrës aktualisht është angazhuar të hartojë plane afatgjata për të reduktuar qarkullimin e veturave në zona qëndrore në mënyrë permanente, për shembull duke përcaktuar zona me qarkullim të reduktuar automjetesh.
Njëkohësisht, komuna i është bashkangjitur shoqërisë civile në një padi të suksesshme ndaj qeverisë për hartim planesh të mangëta të veprimit për ajrin, duke e detyruar qeverinë ti rishikojë ato.
Qytetet si Parisi, Madridi, Meksiko kanë ndaluar përkohësisht qarkullimin e veturave për shkak të smogut, përderisa Krakov ia ka dalur që pas një beteje gjyqësore të iniciojë ndalimin e thëngjillit për ngrohje rezidenciale brenda këtij dhjetëvjeçari.
Këtë javë edhe Oslo ndërmori hapa për uljen e ndotjes së ajrit, duke ndaluar qarkullimin e veturave me naftë nga ora 6 në mëngjës deri në orën 22:00.
Smogu i Prishtinës tejkalon rregullisht limitet
Ndërkohë, vlerat e ndotjes së ajrit në Prishtinë, të cilat maten dhe raportohen nga Komuna e Prishtinës, Ambasada Amerikane dhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, i tejkalojnë rregullisht këto limite.
Sipas Ministrisë së Mjedisit termocentralet e stërvjetëruara mbesin ndotës permanent, por përmasat alarmante të ndotjes së ajrit në kryeqytet i shkaktojnë gjatë dimrit ngrohja rezidenciale të pasuara nga makinat.
Andaj, Iniciativa #MerrFrymë i ka caktuar vetes dy qëllime:
1. Nxitja e Komunës së Prishtinës që të marrë hapa në kontrollin e ngrohjes rezidenciale dhe të bizneseve e institucioneve të ndryshme në kryeqytet, të cilat përdorin materiale me nivel të lartë të ndotjes.
2. Nxitja e Ministrisë së Infrastrukturës që të aplikojë menjëherë kontrollin e emetimit të gazrave nga automjetet përmes Kontrolleve Teknike.
Reagimi shpëton jetë
Tek ne mungojnë statistika të sakta të vdekshmërisë së shkaktuar nga ndotja e ajrit, por mjekët dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike vazhdimisht ka alarmuar për rritje të rasteve me sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare.
Siç ilustrojnë shembujt e lartëpërmendur të kryeqyteteve botërore, është e mundur dhe më se e nevojshme që të ndërmerren masa afatshkurtëra dhe afatgjata për reduktimin e burimeve të ndotjes së ajrit, përfshirë këtu trafikun dhe djegien e thëngjillit. Hapat të cilët do të mund dhe do të duhej të ndërmerreshin, do të shpëtonin jetë.
(#MerrFrymë është një iniciativë vullnetare, në mesin e së cilës ka edhe profesionist ligjorë dhe studiues të politikave dhe qeverisjes mjedisore)