Sllupçani ende frymon
Shkruar nga Ilir Osmani
Të kujtosh të kaluarën, ta përshkruash atë, ta përsëritësh atë, t`i qasesh ndodhive të saja ndoshta është gjë e bukur, por, edhe më e bukur është t`i qasesh historisë së këtyre trojeve, në veçanti historisë së fshatit tim.
Jo që jam shumë lokalist, e që nëpërmjet fjalës së shkruar tentoj të arrij diçka, dhe prapa këtyre fjalëve fshihet ndonjë tendencë, assesi, unë sot shkruaj për një aryse tjetër, duke shpresuar që sadopak të filloj të ngroh dielli mbi ne, dhe eventualisht të rikthehet ndricimi dhe shkëlqimi i fytyrave të mërzitura të banorëve të fshatit tim. Megjithatë, për të arritur deri aty, dikush disi duhet të punojë, dikush duhet ta shpirtëzojë një ideal në shoqëri deri te ndonjë progresivitet i mundshëm!
Po ta shikosh Sllupçanin nga larg të përngjan si një zotëri i gjatë, kokën lartë, por fiton përshtypjen që këtij zotërie i kanë rënë mbi supe shumë halle e derte, vuajtje e vështirësi, por, kur afrohesh më afër tij menjëherë e kupton që ky zotëri aspak nuk e ka humbur idealin dhe bujarinë. Kur jemi këtu afër tij, zotëria na ngjan i rreptë dhe stabil, por, mos kini dert, zakonisht njerëzit e rreptë kanë vyrtyte të mëdha, të përjetshme.
Vazhdojmë të ecim, futemi brenda tij, shikojmë përreth dhe hasim me një fshat, i shtrirë në dy anë dhe me lumin në mes, gjë që i jep edhe më bukuri fshatit, kështu, rrjedhimisht hasim në dy minaret të mëdha në mesin e shtëpive të rindërtuara nga lufta që tash po na e quajnë konflikt, dhe fitojmë përshtypjen që është fshat i dendur me shtëpi dhe natyrisht me karakter fetar.
Vazhdojmë të ecim por ju lutem mos të çuditeni, nuk takojmë shumë njerëz që lexojnë gazeta, e as që shpejtojnë për në punë, nuk dëgjohen shumë zëra të bilbilave e shumë mangësi të tjera, por sështë me rëndesi, kështu deshti të jetojë fshati im, kështu u bë më i bukur, kështu sepse para së gjithash ai deshti liri, të frymojë i lirë, ai nuk lakmoi në gjëra luksoze, ai atdheun dhe çlirimin e tij e kishte të mishëruar për ashti e palce.
Atje lart dikund mbi shtëpi valëviten disa flamuj, janë disa varreza, natyrisht thuhet që asnjë toke të lirë nuk ë mungojnë varrezat e dëshmorëve, mos mburroni afrohuni shihni sa bukur rriten lulet mbi varre, shihne sa i bukur duket fshati im prej atje, shihni këta dëshmorë se si jetojnë të bashkuar në jetën ku ka vdekur vdekja e jeton jeta.
Shihe muzeun e tyre që e ndërtuan njerëzit e thjeshtë, futuni brenda, por mos harroni se të hysh në një muze nuk ështe vetëm të shikosh por të ndjesh të shijosh, kur shikoni ata koleksione pikturash e simbole lirije mos i shikoni si gjëra të vdekura, pa shpirt, mos rrini të ftoftë para tyre, kujtoni se aty ështe një ndjenjë, një mesazh, një ideal, një porosi që e harruam. Eh, kur jemi në muze nuk mund të mos rikthehemi pas disa vite
Para disa vitesh ky fshat ishte ai i cili zgjoi te shqiptarët ndjenjën dhe dashurinë për atdhe, u solidarizua, përveç asaj materiales edhe shiprtëtoren edhe, sa e sa nëna mbetën pa djemtë e tyre, sa e sa fëmijë mbetën jetimë, sa njeriu sot jeton me trishtim dhe me nostalgji për ata që humbën para disa vitesh, shumë të rinjë falën gjymtyrat e trupit, e sa e sa sakrifica tjera të cilët sot shkelen me të dy kembët.
Sot, mjerisht ky vend që dikur kishte afër 600 shtëpi nga të cilat vetëm 8 mbetën të pa dëmtuara e djegura, është lënë anësh, është harruar e përbuzur, askujt nuk i bië ndër mend të paktën njëherë ta vizitojë dhe t`i nderojë në përjashtim të rasteve specifike, për shembull ndonjë akt që fiton poena politike, harruan dhe janë të verbër e shurdhër ndaj meritave të këtij fshati dhe vështirësive që sot ai përballet, banorët, ata të cilet lanë anësh jetën e zakonshme dhe intensivisht iu bashkuan rradhëve te UÇK-së sot jetojnë me njëmijë mundime, ata heqin njëmije mundime për të nxjerrë bukën e gojës, shumë të tjerë kanë braktisur vendlindjen dhe pa asnjë adresë kanë mësyer rrugëve të Europës, e disa të tjerë të gjorë që janë këtu nuk kanë ç`të hajnë e ç`të veshin, është e thjeshtë, dikush është viktimë e dikush gëzon privilegje, kjo është fatkeqësia e cëshjtes në fjalë, mjerisht...
Por, sido që të jetë pavarsisht të gjithave, sot sa jemi në muze nuk kërkojmë pallate e kolltuqe, e as bajraktar e as emër, por, kërkojmë prej atyre që ua sollëm lirinë me dhëmbë e me thonjë të jenë sa më të ndërgjegjshëm dhe më transparent sidomos kur gjendemi pranë 100 vjetorit të kombit Shqiptar.
Sepse, sot e gjithë shpresa jonë varet nga ndërgjeja tyre, nuk është kjo tokë e kjo liri dhuratë nga askush, nuk ështe gjë tjeter vetëm si diçka e krijuar me përpjekje dhe me vullnetin e atyre që sot prehen në paqen absolute.
T`i lëmë anash të metat morale, lakminë individuale, sepse individualizmi e bënë njeriun egoist, të ashpër, cinik. Shërbimi më i madh që mund ti bëhej këtij populli do të ishte që gjithçka t`ia atribuonit vetë popullit dhe puna juaj të dëshmojë në favor të tij.
Natyrisht, asgjë sbëhet menjëherë, janë pak 11 vite, duhen ende vite ju kuptojmë, por, të paktën ushqeni vyrtytet e popullit nëse jo nevojat e tyre, pakësoni dëmet tuaja ndaj tyre nësë jo dëmet e të huajve.