25 Dhjetor 2024

Skënderbeu, hero kombëtar i shqiptarëve!

Sulltan Mehmeti II: “Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë ,si Skënderbeu”.

Shkruar nga Bujar Klinaku

Kohëve të fundit janë ngritur debate lidhur me deklaratat e deputetit të Kuvendit të Kosovës Gëzim Kelmendi , i cili ditë më parë e kishte quajtur Gjergj Kastriotin-Skënderbeun  hero të katolikëve, e jo hero kombëtar.

“Katolikët e kanë heroin e tyre – Skënderbeun. Në shekullin e XV-të nuk kanë ekzistuar kombet dhe luftërat janë bërë për çështje fetare”, ishte shprehur Kelmendi.

Këto deklarata të këtij deputeti se gjoja Skënderbeu “ishte vetëm heroi i katolikëve” nuk qëndrojnë. Skënderbeu ishte hero i gjithë kombit shqiptar, i cili nuk zhvilloi beteja, as luftëra fetare pushtuese, ashtu sikurse Perandoria Otomane, por çlirimtare kundër pushtuesit të egër dhe gjenocidal-Perandorisë Otomane. 

Luftërat  pushtuese këto, të cilat nuk kishin vetëm karakter fetar, racist, asimilues dhe shkombëtarizues, por edhe  kolonial, hegjemonist, militarist  dhe territorial, jo vetëm të  Ballkanit dhe të Evropës, por edhe të Lindjes së Afërt dhe të Mesme deri në Persinë e dikurshme.

Kush ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu?

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405- 1468) personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve për luftën më se njëshekullore të tyre kundër vërshimit osman për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë. Nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë e të organizuar, shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre.

Figura e tij paraqet një nga ato raste, jo të shpeshta në histori, kur shtresat e ndryshme shoqërore të një kombi takohen me një personalitet të shquar, në të cilën gjejnë shprehjen e vet aspiratat e vetitë e tyre më të mira dhe që për këtë arsye bëhet simbol i bashkimit kombëtar dhe i luftës së tyre të përbashkët.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë.

Ai e kuptoi, më qartë se kushdo tjetër, detyrën që shtronte çasti historik: nevojën e bashkimit politik, si kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e interesave të të gjitha shtresave shoqërore, të pasura e të varfra, të kërcënuara tashmë prej pushtuesve osmanë në çështjet jetike.

Njohja e thellë e jetës, e botëkuptimit, e traditës dhe e luftës së shqiptarëve kundër pushtimit të huaj si dhe e organizimit të shtetit e të ushtrisë osmane, i dhanë mundësi Skënderbeut të ndërtonte me efektivitet të lartë gjithë veprimtarinë e tij si burrështetas dhe udhëheqës ushtarak i shquar.

Ai arriti në përfundimin se, përballë një pushtuesi të fuqishëm, siç ishte Perandoria Osmane, shqiptarët nuk mund të arrinin në fitore, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh, pa një bazë organizative të qëndrueshme, pa bashkërendimin e mjeteve dhe të burimeve njerëzore, ekonomike, ushtarake e materiale, pa bashkërendimin e të gjitha veprimeve që zhvilloheshin në rrafsh të brendshëm e të këtyre me veprimet e ndërmarra në rrafsh ndërkombëtar.

Një nga hapat e parë në këtë drejtim qe themelimi, me nismën e nën drejtimin e tij, i Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës, që përbënte të parin bashkim të gjerë politik të shqiptarëve.

Duke njohur zhvillimin e ngjarjeve dhe perspektivën e tyre, Skënderbeu e kuptoi me kohë se nuk mund të mbrohej vendi, të çliroheshin viset e pushtuara dhe të zhdukej përfundimisht rreziku i pushtimit osman, duke qëndruar mbi bazën e Besëlidhjes Shqiptare si aleancë politike vullnetare, karakteristikë që ajo e kishte pasur në fazën e saj fillestare.

Prandaj, në gjirin e koalicionit të fisnikëve shqiptarë u krye dora-dorës një zhvendosje në raportin e forcave (që karakterizon etapën e dytë të veprimtarisë së Skënderbeut si burrë shteti), dhe që çoi në fund të viteve 50-të në krijimin e një pushteti të vetëm shtetëror për të gjitha viset e lira shqiptare.

Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, mbi të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug të viseve të lira, ai u dha mundësi nënshtetasve të tij të zhvillonin një veprimtari ekonomike e tregtare deri diku normale. Prandaj, ashtu si më parë, edhe në këto vite vazhduan të eksportoheshin nga portet e Adriatikut drithëra e prodhime të tjera.

Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu u kushtoi vëmendje viseve të pushtuara. U mbajtën kështu të gjalla dhe u forcuan më tej lidhjet me banorët e këtyre viseve, gjë që ndikoi në forcimin e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve dhe në konsolidimin e mëtejshëm të kombit shqiptar, duke i dhënë mundësi të mbijetojë e të zhvillohet më pas në kuadrin e Perandorisë Osmane.

Procesin e bashkimit të shqiptarëve e favorizoi shumë edhe toleranca e lartë fetare e Skënderbeut.

Si i krishterë dhe  i rritur në ambientin mysliman, ai qëndroi mbi dallimet fetare. Ai bashkëpunoi ngushtë dhe pa asnjë paragjykim me klerin e riteve të ndryshme dhe dërgoi si ambasadorë të tij në vendet e huaja priftërinj katolikë dhe ortodoksë.

Respektimi i besimeve, e riteve fetare ndikoi pozitivisht në procesin e bashkimit të shqiptarëve.

Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV-të dhe të tërë veprës së Skënderbeut.

Aftësitë e Skënderbeut si burrështetas spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Ai e vlerësoi drejt rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, si kusht i nevojshëm për të përballuar agresionin osman.

Duke pasur të qartë se rrezikut osman mund t'i bëhej ballë me sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu iu drejtua vazhdimisht shteteve evropiane dhe kërkoi pjesëmarrjen e tyre në luftën kundër armikut të përbashkët, si dhe përkrahje materiale për luftën e popullit shqiptar.

Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti është i pandarë nga veprimtaria e tij si udhëheqës ushtarak i talentuar.

Në kushtet e pabarazisë, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij ushtarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve.

Këtë parim, të ndjekur prej tij, e shprehin me vërtetësi edhe fjalët që Marin Barleti ka vënë në gojë të Skënderbeut, se “kush nuk është në gjendje ta mundë armikun me një ushtri prej 8 deri 12 mijë vetash, nuk do të mund ta bënte këtë edhe me një ushtri shumë më të madhe”.

Lidhur me këtë, Gjenerali anglez Xhejms Wolfe (heroi i Kuebekut ) kishte deklaruar se: “Skënderbeu ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse”.

Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princat evropianë të kohës.

Ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre, që bazohej mbi trupat mercenarë të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi.

Prandaj, William Temple, burrë shteti dhe shkrimtar anglez i shekullit XVII, në veprën e tij mbi "Virtytin Heroik", e vë Skënderbeun “si një nga shtatë kapedanët e mëdhenj të pakurorëzuar (jo mbretër) të Evropës”.

Skënderbeu edhe  vetë luftonte i pangarkuar me armatime të rënda e me krah të shpërvjelur si një ushtar i zakonshëm. Në betejë ai ishte, në të njëjtën kohë, komandant i talentuar, dhe ushtar i guximshëm, që me shembullin e tij bëhej burim frymëzimi për luftëtarët shqiptarë. Edhe në jetën e përditshme Skënderbeu ishte i thjeshtë dhe kohën e kalonte kryesisht me bashkëluftëtarët e tij, duke bërë jetë ushtari.

Skënderbeu gëzonte dashurinë nga bashkëkombësit e vet, jo vetëm sa qe gjallë, por edhe pas vdekjes. Figura e tij mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i asaj lufte që habiti botën me fitoret e saj legjendare dhe u bë krenaria për një të kaluar, të cilën donin ta përsërisnin.

Këngët që shqiptarët i thurën Skënderbeut, të cilat i këndonin me krenari edhe përpara pushtuesve, gojëdhënat e lidhura me vendet ku veproi e luftoi ai dhe me vise të tjera të banuara prej tyre, i dhanë atij tiparet e një luftëtari me forca vigane, të pajisur me trimëri të pashoqe, i cili i kalonte caqet e realitetit dhe merrte cilësitë e një figure që mishëronte aspiratat e një populli të tërë për liri e pavarësi.

Kujtimi i Skënderbeut jetoi, jo vetëm në zemrën e popullit që e lindi. Ai pati një shtrirje që kalonte kufijtë e Gadishullit të Ballkanit. Skënderbeu i detyroi të gjitha kohërat të flisnin për të.

Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrështetasve, e në përgjithësi të opinionit publik evropianë, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj. Këtu e ka burimin ajo literaturë e shumëllojtë dhe shumëgjuhëshe, që i është kushtuar figurës së këtij Heroi, në të katër anët e Botës.

Kur vërshimi osman qëndronte si një shpatë mbi Evropën Qendrore, kur në Gadishullin e Ballkanit shpërthyen lëvizjet për çlirimin kombëtar etj., historianët, shkrimtarët e poetët e përdornin figurën e heroit shqiptar si flamur frymëzues për mobilizimin e popujve të tyre në luftë për liri.

Dëshmi e përhershme e vlerësimit dhe e respektit të thellë që kanë popujt  e tjerë për Skënderbeun, krahas botimeve të shumta për të, janë sheshet dhe rrugët e Romës, të Parisit, të Brukselit, të Gjenevës dhe të qyteteve të tjera të vendeve të ndryshme, ku janë vendosur monumente e buste të tij, ose që mbajnë emrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.

Madje në një rast, historiani dhe  shkrimtari francez Voltaire kishte thënë se : “Sikur Perandoria Bizantine të kishte pasur njerëz si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes do t'i kishte shpëtuar pushtimit Turk”.

Rreziku i kombit nga sektet e ndryshme fetare

Përpjekjet për të krijuar tensione fetare, në forma të tilla, në kohën kur vendi ka shumë sfida më të mëdha para vetës, janë me qëllime të pastra ogurzeze për vendin dhe të ardhmen e tij. Kosova ka kohë që ka proklamuar rrugën e vet drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike, demokracive perëndimore dhe vlerave perëndimore.

Prandaj, deklarimet e tilla, si rasti i deputetit Gëzim Kelmendi, dhe jo vetëm ai, duke i dhënë konotacion fetar figurës së Skënderbeut janë tendenca për të ndërprerë rrugën e saj drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

Bashkëjetesa fetare e shqiptarëve, është një vlerë e veçantë, e kultivuar ndër shekuj, për shkak të rrethanave dhe kontekstit specifik kombëtar. Kjo na ka bërë dhe duhet të na bëjë krenarë.

Mirëpo, sulmet e egra ndaj figurave të mëdha kombëtare, që po ndodhin herë pas here, janë krejtësisht të papranueshme dhe atakojnë substancën kombëtare.

Deklaratat e tilla, me motive fetare janë tepër të rrezikshme dhe e dëmtojnë kohezionin e brendshëm kombëtar.

Harmonia dhe toleranca fetare e shqiptarëve si vlera thuajse unikale kombëtare fetare, u krijuan ndër shekuj, paralelisht dhe pazgjidhshmërisht me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, nën kujdesin e veçantë të rilindësve tanë dhe në kushte specifike, të ndryshme nga kombet e tjera në Ballkan.

Depërtimi i sekteve dhe i rrymave të rrezikshme fetare është bërë kryesisht, nëpërmjet organizatave të huaja joqeveritare të spektrit fetar.

Krizat dhe destabiliteti politik, social, ekonomik, financiar që ka përjetuar vendi ynë gjatë tranzicionit, e të shoqëruara me mungesën e shtetit ligjor dhe me cenime të rënda të rendit  dhe sigurisë; mungesa e financimeve nga shteti dhe shpresa te ndihmat që vinin nga jashtë; mungesa e një ligji për komunitetet fetare; pozicioni i përshtatshëm gjeografik; mungesa e strukturave efikase shtetërore që të merreshin me menaxhimin e raporteve ligjore dhe të detyrimeve të ndërsjella të shtetit me komunitetet fetare janë disa nga faktorët që i lanë hapësirë ardhjes së sekteve e lëvizjeve fetare, veprimtaria e disa prej të cilave është e ndaluar me ligj në shumë shtete.

Të gjithë duhet të bashkëpunojnë për të neutralizuar rrezikun e depërtimit të ekstremizmit në komunitetet tona fetare. Është për të ardhur keq, që në këto vite të pluralizmit, ligjvënësit shqiptarë, nuk u angazhuan si paraardhësit e tyre patriotë, në rikrijimin e asaj infrastrukture të domosdoshme ligjore për të mbrojtur nga rreziqet -besimet fetare shqiptare.

Forcat politike duhet haptazi dhe prerazi të distancohen nga ndonjë tendencë e segmenteve të caktuara të tyre për të përdorur politikisht Bashkësitë Islame apo komunitetet e tjera fetare.

Tradita e forcave politike shqiptare, që historikisht nuk kanë synuar të krijojnë një elektorat mbi baza fetare, është njëri ndër faktorët e rëndësishëm që i kanë ruajtur besimet tradicionale  fetare të shqiptarëve nga fanatizmi, ekstremizmi apo fundamentalizmi fetar dhe që e kanë çimentuar harmoninë dhe tolerancën tonë fetare.

Prandaj, duhet një vetëdijesim më i madh, jo vetëm i strukturave shtetërore, por edhe të vetë komuniteteve fetare, të intelektualëve dhe në përgjithësi të shoqërisë civile ndaj rasteve të raportuara si kërcënime të tolerancës fetare apo tentativave të elementeve të diskutueshme që përpiqen të infiltrojnë në emër të fesë për parandalimin e kësaj dukurie, që po rrezikon kombin tonë dhe shtetin që po e ndërtojmë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)